Njëherë si thashethem dhe së fundi e aprovuar me projekte e dokumenta, potencialin arkeologjik të identitetit shqiptar i quajtur ndryshe “Kultura e Komanit” po e dëmtojmë me duart e mëndjet tona. Më 12 dhjetor 2014 Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë, i kryesuar nga Ministrja e Kulturës jep aprovimin për kalimin e trasesë së tensionit lartë OST Shqipëri – Kosovë në mes e paralel me kodrën e sitit arkeologjik.
“Kultura e Komanit” përfaqëson identitetin kombëtar të shqiptarëve, është nyja lidhëse midis ilirëve dhe shqiptarëve të sotëm. Qysh në verë 1961, kur nisën punimet nga arkeologët shqiptarë si Hëna Spahiu e Skënder Anamali, e deri në ditët e sotme, ku prej shtatë vjetësh vazhdojnë kërkimet shkencore nga ekipi ndërkombëtar i arkeologëve, i udhëhequr nga arkeologia shqiptare Etleva Nallbani, varreza e Dalmacës mbi Koman nxori në dritë trupin e një qyteti të heshtur mesjetar. Cilido shtet i zhvilluar në botë do t’ia kishte zili këtij zbulimi, ndërsa ne me duart tona po e groposim edhe njëherë. Projekti i kalimit të linjës së tensionit të lartë pikërisht mbi këtë pikë arkeologjike me rëndësi të klasit të parë, bën që interesi ndërkombëtar, kërkimet e mëtejshme të ndërpriten, pasi sipas specialistëve pjesë të caktuara të tij do të shkatërrohen gjatë vendosjes së shtyllave, gërmimeve, rrugëve të transportit, nga ana tjetër fushat manjetike të krijuara do të bëjnë të pamundur përdorimin e teknikave të tyre bashkëkohore të studimit. Siti arkeologjik nuk është një pikë e vogël, por bëhet fjalë për më shumë se 30 ha (disa varreza, 12 kisha, shtëpi banimi, kalaja, punishte prodhimi etj). Sipas specialistes Nallbani mbështetja financiare, por dhe shkencore e huaj vjen në rënie, sepse nuk hedh kush para e dije në një vend që vetë ne nuk e mbrojmë. Shumë nga të rinjtë e zonës punojnë çdo verë me arkeologët për zbulimin e Dalmacës. Ju lutemi nuk është akoma vonë për ndreqjen e një gabimi që do t’i kushtojë shtrenjtë të ardhmes arkeologjike dhe vendit tonë. Boll të devijoni vetëm një km dhe asgjë nuk do të ndodh. Me këtë shkrim, ne si komanas, i drejtohemi Presidentit të Republikës, Kryeministrit, ministrave përkatës, Agjensisë së Shërbimit arkeologjik e gjithë shqiptarëve.
Letër e nënshkruar,
Ndoc Selimi,
Amazona Hajdaraj

po a keni provu te dergoni leter drejteperdrejt, tek qeveria, ose pse nuk i ftoni mediat? ne rast se nuk ka reagime nga ta esht mir ta organizoni nje proteste, i pari do te vij.