Lorik Cana mban peng formacionin e Lazios për derbin me Romë, që do të zhvillohet të dielën në Olimpico në orën 15:00.
Mbrojtësi 31-vjeçar, sikurse raportojnë mediat italiane po shtrëngon dhëmbët për të qenë në dispozicion të Piolit ndaj verdhekuqve pas dëmtimit që pësoi në fitoren 3-0 me Sampdorian, megjithatë gjithçka do të vendoset në përfundim të seancës së fundit stërvitore.
Kapiteni i Kombëtares shqiptare është një ndër lojtarët më të preferuar të trajnerit italian në repartin e mbrojtjes dhe duke marrë në konsideratë karakterin e tij luftarak, vështirë se do ta humbasë këtë sfidë shumë të rëndësishme të sezonit. Gjithsesi, me apo pa Canën moduli i lojës së Lazios nuk do të ndryshojë, në fushë formacioni i Piolit do të zbresë me rreshtimin 4-3-3.
Cana pritet të formojë dyshen e qendrës bashkë me holandezin De Vrij, ndërsa krahët e mbrojtjes do të mbulohen nga Basta dhe Radu. Në mesfushë si qendër e djathtë do të luajë Onazi, ndërsa Parolo do të spostohet nga e majta, në vend të të dëmtuarit Senad Lulic, kurse në qendër do të vendoset Biglia.
Përsa i përket sulmit me shumë mundësi Klose do të ulë në stol serbin Djordjevic, ndërsa Mauri dhe Henderson, do të mbështesin nga krahët.
