I nderuar lexues! Mali i Lunxhërisë ndodhet në rrethin e Gjirokastrës, në vargmalin Shëndelli-Lunxhëri-Bureto, shtrihet rreth 25 km nga Gryka e Këlcyrës në veri e deri tek Gryka e Selckës në jug. Lartësinë më të madhe e ka në pjesën jugore (maja e Spilesë ose e Lalucit 2155 m). Shpati perëndimor që bie në drejtim të luginës së Drinos, është më i butë e më i gjerë dhe në të dalin burime të shumta karstike, sidomos pranë shkëputjeve tektonike. Po nga ky shpat zbresin një sërë përrenjsh me forcë të lartë gërryese e bartëse. Qendrat e banuara shtrihen kryesisht në shpatin perëndimor të malit të Lunxhërisë dhe ngjiten deri në lartësinë 800-900 m.
