Hernia diskale, kirurgjia nuk është gjithmonë zgjidhja e duhur

redaktor

Hernia diskale është një ndër sëmundjet e shpeshta që shfaqet me rritjen e moshës. Megjithatë, gjatë viteve të fundit është vënë re një shtim i rasteve të hernies edhe tek moshat e reja. Traumat e ndryshme, mungesa e kalciumit në kocka, si dhe sforcimet fizike janë faktorët që nxisin dëmtimet në shtyllën kurrizore, duke ndikuar kështu në shfaqjen e hernies, si pasojë e shtypjes së vertebrave të shtyllës kurrizore. Dhimbjet e sëmundjes mund të shfaqen në qafë, në rastet kur dëmtimet prekin vertebrat e qafës, në zonën e kraharorit, si dhe përreth belit, ku dhimbjet janë më të shpeshta. Mjekja Ilda Xhelili tregon se trajtimi i sëmundjes duhet të ndjekë një praktikë të rekomanduar nga mjeku specialist, ku fillimisht duhet të veprohet me qetësimin e dhimbjeve nëpërmjet medikamenteve e aktiviteteve të rekomanduara fizike. Sipas saj duhet të hiqet dorë nga ideja se qetësimi i dhimbjeve mund të arrihet me anë të ndërhyrjes kirurgjikale. Kjo e fundit nuk duhet të shihet si forma më e mirë për të eliminuar dhimbjet e shkaktuara nga hernia. Kryerja e ndërhyrjeve kirurgjikale këshillohet në raste të rënda, kur dhimbjet kanë arritur në stadet më të rënda, duke shfaqur probleme edhe në pjesët e tjera të trupit. Sipas ekspertëve të shëndetit shfaqja e hernies tek pacientët me moshë të re, lidhet ngushtë me mënyrën e jetesës dhe punës që kryejnë. Përdorimi masiv i kompjuterit, dhe qëndrimi i keq, e me orë të zgjatuara po bëhet shkak për shfaqjen e sëmundjes tek moshat më të reja.

Çfarë është hernia diskale dhe si shfaqet?

Përpara se të flasim për hernien diskale është e nevojshme të japim një informacion të përgjithshëm për ndërtimin e shtyllës kurrizore. Shtylla kurrizore, ose kolona vertebrale përbën boshtin kryesor të sistemit kockor, mbi të cilën mbështetet dhe kryen shumë funksione organizmi i njeriut. Kolona vertebrale është e përbërë nga 32-33 vertebra (rruaza) që vendosen njëra mbi tjetrën nga zona e qafës, deri te kërbishti dhe bishti. Shtatë vertebrat e para i korrespondojnë zonës së qafës dhe quhen vertebrat cervikale (C1-C7), 12 vertebrat pasardhëse i përkasin zonës së kraharorit dhe quhen vertebra torakale (T1-T12), për të vazhduar me pesë vertebrat e zonës së belit ose lumbare (L1-L5). Dhe në fund kemi vertebrat e kërbishtit dhe të bishtit, të cilat janë të përbëra nga vertebra të ngjitura në një kockë të vetme (kërbishti dhe bishti). Çdo vertebër është e përbërë nga një hapësirë në mes dhe zgjatimet përkatëse. Duke u vendosur njëra mbi tjetrën ato formojnë kolonën vertebrale nëpër të cilën kalon palca kurrizore. Kjo palcë fillon nga kërbishti deri në zonën e qafës, për të vazhduar më tej në brendësi të kafkës me masën trunore. Nga zona e qafës, duke u drejtuar për poshtë, vertebrat vijë duke u trashur, pra bëhen më solide dhe të forta sepse edhe pesha që duhet të mbajnë vjen duke u rritur nga lartë-poshtë. Nga palca e kurrizit në drejtim të zgjatimeve të vertebrave dalin fije të shumta nervore të cilat përfundojnë në zona të ndryshme të trupit dhe janë përgjegjëse për sensibilitetin. Pikërisht në nivele të ndryshme të kolonës vertebrale dhe për arsye të ndryshme qofshin këto faktorë të jashtëm apo të brendshëm mund të ndodhë fryrja e pulpës (palcës) dhe dalja e saj jashtë hapësirës së vertebrave duke bërë edhe shtypjen (komprimimin) e fijeve përkatëse nervore, e cila është përgjegjëse për simptomën kryesore të këtij fenomeni, dhimbjen. Pikërisht kjo dalje ose rrëshqitje e pulpës së palcës jashtë diskut vertebral përbën atë sëmundje që quhet hernia diskale (ose prolabim diskal). Hernia diskale mund të ndodhë në çdo disk, por vertebrat që preken më shpesh janë ato të mesit dhe më pas ato të qafës. Meshkujt preken rreth 4.8 për qind më shumë se sa femrat.

Cilat janë shkaqet më të shpeshta që çojnë në shfaqjen e hernies diskale?

Shkaku më i zakonshëm i kësaj patologjie është degjenerimi i diskut ndërvertebral si rezultat i traumave të ndryshme, por edhe i sëmundjeve degjenerative të diskut apo të procesit të plakjes. Kur disku është i dëmtuar, pulpa ose palca e ka shumë më të lehtë të dali jashtë tij. Mjaft të prekur nga kjo sëmundje janë sportistët të cilët kryejnë ushtrime dhe sforco fizike. Njëkohësisht, edhe gratë gjatë periudhës së menopauzës, si rezultat i degjenerimeve kockore nga pakësimi i kalciumit në kocka. Kalciumi pakësohet në kocka edhe me rritjen e moshës prandaj të moshuarit janë më të prekur nga kjo patologji. Gjithashtu edhe sëmundjet e ndryshme degjenerative kockore (që shkatërrojnë kockat) e favorizojnë këtë patologji. Ekzistojnë të dhëna që hernia diskale mund të ketë edhe një predispozicion gjenetik (familjar). Pra mendohet se njerëzit që kanë në rrethin e tyre familjar të prekur nga hernia kanë probabilitet më të lartë për t’u prekur nga kjo sëmundje, se sa ata që nuk kanë.

Duke u ndalur tek manifestimi i sëmundjes, cilat janë shenjat më të shpeshta klinike që tregojnë praninë e hernies?

Shenjat klinike të hernies diskale ndryshojnë në varësi të vendndodhjes së hernies dhe shkallës së rrëshqitjes ose prolabimit të masës së palcës, si edhe të fijeve nervore që shtypen (komprimohen) në këtë rast. Shenja më e shpeshtë është dhimbja, e cila mund të jetë dhimbje e një stadi të lehtë dhe kalimtare, për të vijuar deri në format më të rënda dhe agresive të sëmundjes. Kur preken vertebrat e qafës perceptohen dhimbje prapa kokës, dhimbje të pjesës së sipërme të shpinës apo të supit dhe të krahut. Kur preket zona e mesit, pacienti mund të paraqitet me dhimbje të nervit shiatik për shkak të prekjes së një prej rrënjëve nervore të këtij nervi. Këto dhimbje zakonisht janë të vazhdueshme, pra të pandërprera ose të paktën janë të vazhdueshme në një pozicion të veçantë të trupit. Simptoma të tjera mund të përfshijnë ndryshime ndijore të tilla si mpirje, ndjesia e shpimit nga gjilpërat, dobësim muskular e deri në paraliza. Hernia mund të prezantohet edhe pa dhimbje apo simptoma të dukshme në varësi të vendndodhjes së saj. Nëse masa pulpoze që del jashtë diskut nuk shtyp indet e buta ose nervat, ajo nuk mund të shkaktojë ndonjë simptomë të dukshme. Në pjesën dërrmuese të rasteve ndodh që sëmundja të zbulohet apo të kapet gjatë kryerjes së ekzaminimeve radiologjike për arsye të tjera shëndetësore.

Ku konsiston trajtimi i hernies fiskale?

Në shumicën e rasteve herniet diskale nuk kërkojnë trajtime kirurgjikale. Gjëja më e vlefshme në këto raste është pushimi i gjatë dhe përdorimi i qetësueseve të ndryshëm dhe antiinflamatorëve, si gjithmonë përdorimi duhet të jetë i bazuar vetëm në recetën e përshkruar nga mjeku. Duhen pasur kujdes efektet anësore të preparateve qetësuese në aparatin tretës dhe kardiovaskular. Medikamentet antidhimbje përdoren si përpjekje e parë për të lehtësuar dhimbjet akute dhe për t’i lejuar pacientit kryerjen e nevojave të përditshme. Në këto raste janë të domosdoshme edhe procedurat fizioterapike (tërheqje, masazhe, stimulime elektrike) nën kujdesin e mjekut specialist.

Në cilat raste shfaqet e domosdoshme ndërhyrja krirugjikale?

Kirurgjia mund të jetë e dobishme në ato raste kur sëmundja është e një stadi të rëndë dhe dhimbjet që ndjen pacienti janë të padurueshme, pasi qetësuesit dhe metodat e tjera trajtuese nuk kanë dhënë efektet e duhura. Kirurgjia në përgjithësi këshillohet që të kryhet në rastet kur pacienti ndjen dhimbje të forta në këmbë, kur ka dobësi muskulare, probleme të fshikëzës së urinës apo humbje të kontrollit të zorrëve.

A ndikon në reduktimin e dhimbjeve vendosja e brezave në zonën e belit?

Një mjet i zakonshëm për eliminimin e dhimbjes është përdorimi i brezave në zonën e belit dhe i qaforeve në zonën e qafës të cilat bëjnë të mundur kufizimin e lëvizjeve ekstreme dhe lehtësimin e dhimbjeve. Edhe në këtë rast është mjeku që këshillon se si duhet mbajtur brezi, dhe për sa kohë.

Kryerja e aktiviteteve fizike ç’rol luan në trajtimin e hernies?

Ndër sportet më pozitive që rekomandohet, ashtu si edhe për shumë sëmundje të tjera kockore është noti. Noti luan rolin e një tërheqësi natyral duke ndihmuar që pjesa e rrëshqitur (prolabuar) të mund të shkojë sadopak në vend. Edhe mbajtja në formë e trupit, në peshë normale ndikon në lehtësimin e funksionit dhe peshës që mban shtylla kurrizore. Prandaj një jetë aktive fizike çon në minimizimin e prekjes nga kjo patologji. Duke qenë të kujdesshëm me dietën ushqimore që përzgjedhin, ndihmojmë në mbajtjen e peshës së duhur trupore. Mbipesha është një tjetër faktor që ndikon në shtimin e dhimbjeve të hernies, ndaj duhet bërë kujdes që të mos teprohet me peshën trupore.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *