I nderuar lexues! Spahi quhej feudali osman që zotëronte feud (timar) me të ardhura vjetore deri në 20.000 akçe. Spahiu e gëzonte timarin me kusht që të shkonte në luftë si kalorës i armatosur me shpenzimet e veta sa herë që e quante të nevojshme pushteti qendror. Në kohë paqeje, spahiu ishte i detyruar të jetonte në feud për të kryer rolin e vet si feudal. Brenda feudeve spahinjtë kishin zakonisht edhe ekonomi të tyre personale. Gjatë periudhës së lulëzimit të sistemit të timarit në shek.XV-XVI, spahinjtë përbënin pjesën dërrmuese të klasës feudale, si dhe forcën më të rëndësishme ushtarake të Perandorisë Osmane në përgjithësi e po ashtu të trevave shqiptare në veçanti. Me shthurjen e këtij sistemi u dobësua pozita ekonomike, shoqërore e politike e tyre.
