Ngjarja e Parisit, ndër të tjera ekspozoi dhe një problematikë, që lidhet me të drejtat dhe cenimin e lirive civile. Ekzekutimi i tre terroristëve, përtej nevojshmërisë logjike e ofruar nga ekspertët e fushës, duket se konfirmoi edhe njëherë, se kemi të bëjmë me një zbatim të politikave shtetërore të tipit, “qëllo për të vrarë”. Ndonëse për momentin, në kërkim të zgjidhjes së shpejtë të situatës, synohet një rrugëzgjidhje me sa më pak kosto në jetë qytetarësh, gjithsesi, ky fenomen është venë gjerësisht në fokusin e kritikave të organizmave dhe institucioneve, që vigjilojnë për ruajtjen dhe pacenueshmërinë e të drejtave të njeriut.
A ka të drejtë shteti të vrasë, teksa detyra kryesore e tij është të ruajë jetën e qytetarëve, edhe kur bëhet fjalë për raste ekstreme të natyrave të dhunshme ?
Sigurisht që dispozitat ligjore parashikojnë dhe një kuadër masash në raste ekstreme, ku në pamundësi të zgjidhjeve alternative dhe ku rreziku për jetën e qytetarëve është i lartë, të shkohet drejt marrjes së jetës së individit, që është shndërruar në një kërcënim real, si në rastin konkret me tre pengmarrësit.
E drejta për jetën
Por, a po sfidojnë këto praktika shtetërore, ligjet ndërkombëtare dhe rajonale, në të cilat garantohet roli dhe detyra e shtetit të ruajë jetën e individëve, subjekt të juridiksionit të tyre? Ky është dhe shqetësimi, që ngrenë institucionet e të drejtave të njeriut, teksa vërehen raste të shumëfishta të ekzekutimeve direkt të shënjestrave, në eliminim të plotë të tyre, praktika që vijnë si alternativë ndaj arrestimit dhe sjelljes së tyre para drejtësisë. Shqetësimi ngrihet pikërisht tek proporcionaliteti i masave që ndërmerren, në mënyrë që të mos përdoren si ndëshkim në vend të logjikës, që duhet të ofrojë dhe garantojë kuadri ligjor.
Sigurisht që tema është tepër delikate në trajtim, pasi emocioni si ndjesi e kuptueshme, në raste të tilla, ka tendencë të mbysë racionalitetin. Por, garancia që të drejtat e njeriut duhet të zbatohen nga autoritetet shtetërore, ngelet një detyrim, pa të cilën nuk funksionon asnjë shoqëri demokratike. Kjo garanci, është e nevojshme të funksionojë në të gjithë instancat dhe agjencitë ligjzbatuese, që kanë për detyrë të merren ligjërisht me individët, subjekt të kësaj natyre. Në këtë mënyrë krijohet garancia që kultura e respektimit të ligjit të shndërrohet në një normë të panegociueshme, edhe në momente të tilla, ku ndëshkimi jashtë kuadrit ligjor, shfaqet si i ligjëruar emocionalisht.
Kufizime të tjera të të drejtave ligjore
Por, fenomeni është më shqetësues, teksa lufta ndaj terrorizmit, ka ekspozuar gjithnjë e më shumë në rritje, cenim të fushës së të drejtave të njeriut, teksa niveli i autoritetit shtetëror, fillon dhe zgjerohet duke ndërhyrë në fusha të tjera. Ndalim i paligjshëm dhe pa vendim gjykate të personave të dyshuar, mbajtja e tyre në vende sekrete, mohimi i garancisë ligjore për asistencë mjekësore si edhe ligjore, transferimi apo ekstradimi i tyre pa kaluar nëpërmjet mekanizmit ligjor në fuqi.
Ruajtja e vlerave universale të lirisë dhe të drejtave të njeriut, është detyrë kryesore shtetërore. Kjo detyrë përfshin dhe mos cenimin e këtyre të drejtave dhe ndëshkimin ligjor në rast se konstatohen dhunime ligjore. Nga ana tjetër, është detyrim gjithashtu shtetëror, marrja e masave që lufton në mënyrë efikase fenomenin e terrorizmit. Dhe pikërisht ndërmjet këtyre dy sferave, krijohet një tension delikat, pasi marrja e këtyre masave, bien ndesh pikërisht me detyrën shtetërore për garantimin e ruajtjes dhe të drejtave të njeriut.
Vëzhgimi, ruajtja e të dhënave, dhe e drejta për privatësi
Karakteri i masave që angazhon strukturën shtetërore ndaj luftimit të këtij fenomeni, prek edhe jetën private si edhe personale të qytetarëve. Pushteti i mbikëqyrjes ka marrë përmasa të rëndësishme duke u fuqizuar me kalimin e kohës mbi individin. Në forma elektronike ose jo, ajo që shikohet si shqetësim është grumbullimi tejet i lartë, për çdo individ, i të dhënave të shumëllojshme. Por, teksa këto të dhëna, janë të një karakteri masiv, problematika që ekspozohet është se këto akte, kryhen pa autorizime ligjore, pra në mungesë dhe anashkalim të plotë të autoritetit gjyqësor. Është sa e paligjshme, por edhe e palogjikshme në një kuptim ligjor, mbledhja dhe grumbullimi i të dhënave të ndryshme mbi individë në masë, që nuk janë as të dyshuar në lidhje me X aktivitet apo veprimtari. Pa folur këtu, për rrezikshmërinë që këto informacione personale mund të bien në duart e personave të paautorizuar nga ligji, për trajtimin e tyre.
Një pyetje logjike, lind si domosdoshmëri në këtë situatë: A mund të flasim për një revolucion në shkencën e së drejtës, teksa prezumimi i pafajësisë nuk “ekziston” më?!
BE dhe regjistrimi në masë i të dhënave të pasagjerëve ajrorë (PNR)
Ngjarjet e Parisit, pritet të shoqërohen me një reagim evropian në ditët në vijim. Reagimi i parë, erdhi menjëherë me mbledhjen e gjithë Ministrave të Brendshëm të BE-së, në praninë edhe të Sekretarit amerikan të Shtetit, Eric Holder. Dy janë objektivat e radhës: bllokimi i mundësive për “luftëtarët e huaj”, që të udhëtojnë si edhe masa konkrete, kundër propagandës terroriste në internet.
Çështja e “luftëtarëve të huaj”, që ikin drejt zonave të luftimit, duke u shndërruar në një potencial rreziku kur kthehen ne vendet evropiane, po shqetëson prej kohësh BE-në. Nën këtë kuadër është projektuar edhe sistemi i regjistrimit të të dhënave të pasagjerëve ajrorë, si një mekanizëm që do të detektojë, parandalojë dhe luftojë këtë fenomen.
Mirëpo edhe kjo iniciativë në kuadrin e marrjes së masave anti-terror, është refuzuar nga Parlamenti Europian (Komisioni i Lirive Civile) pasi bie ndesh me të drejtat themelore të qytetarëve dhe sundimin e ligjit. Projektligji që synon të krijojë një regjistër unik, do të regjistrojë automatikisht çdo fluturim ajror, të dhënat e personit, nr. e telefonit, të kartës së kreditit, adresën e postës elektronike, vendin ku janë rezervuar hotelet, etj. Pra, një detajim të pronotimit, rezervimit dhe lëvizjeve të çdo personi dhe mjeteve me të cilat ai ka kryer këto veprime. Një projektligj, që në thelb cenon të drejtën për privatësi si edhe ruajtjen e të dhënave private.
Por, me sa duket, tensioni që ka krijuar ngjarja e Parisit do të vendosë sërish në tavolinën e kalim-miratimit projektligjin në fjalë, me një probabilitet të lartë për t’u miratuar. Le të shpresojmë, se refuzimi në kohë i kalimit të këtij projektligji, do të imponojë përgjatë miratimit të tij të mundshëm, një logjikë të fortë proporcionaliteti, zbatim të principit të barazisë dhe të mosdiskriminimit, si kushte të domosdoshme për respektimin tërësor të të drejtave të njeriut./im.ta/
