Akti modern i një njeriu të drejtë

anazapta

Të martën e shkuar Papa Benedikti i XVI-të shpalli publikisht dorëheqjen nga posti më i lartë i Kishës Katolike. “Pasi kam shqyrtuar vazhdimisht ndërgjegjen time përpara Zotit, arrita përfundimin se forcat e mia, për shkak të moshës së thyer, nuk janë më në gjëndje për të ushtruar detyrën në mënyrën e duhur […]”. Pyetjes se përse Papat paraardhës, në më shumë se shtatë shekuj histori, nuk e kanë ndjerë nevojën e largimit nga detyra për shkak të pleqërisë, Papa Ratzinger i përgjigjet me një kthjelltësi befasuese: “[…] në botën e sotme, e karakterizuar nga ndryshime të shpejta dhe e tronditur nga çështje shumë të rëndësishme për jetën e besimit, për të drejtuar anijen e Shën Pjetrit, është e domosdoshme forcë dhe në trup, dhe në shpirt. Kjo forcë, gjatë muajve të fundit, brenda meje ka rënë aq shumë sa duhet me keqardhje të pranoj paaftësinë time për të administruar mirë detyrën  që më është dhënë.”

 

Pra, “në botën e sotme”, nuk mjafton të jesh një Papë, por duhet të dish ta ushtrosh detyrën qeverisëse mbi një organizatë që njeh më shumë se 1,2 miliardë besimtarë në mbarë botën. Por “Kisha e Shenjtë” është e përbërë nga njerëz që rrallë herë janë shenjtorë, dhe të jesh “çobani” i tyre nuk ka qënë asnjëherë e lehtë. Jozeph Ratzinger, gjermani i dashuruar pas librave dhe filozofisë më shumë sesa pas rrjedhës dhe administrimit të pushtetit në Vatikan, vendos të dalë nga skena me një vendimarrje të paprecedente për epokën moderne. Monarku absolut i Kishës Katolike, trashëgimtari i Shën Pjetrit, lideri shpirtëror i një pjese të mirë të banorëve të këtij planeti, pranoi “pafuqinë”, duke shpresuar që Papa i ardhshëm të jetë i fortë “në shpirt dhe në trup”.

 

Por vendimi i tij nuk është emocional, përkundrazi është i peshuar dhe i vuajtur. Kanë kaluar tetë vite që kur, në prill të 2005-ës, bavarezit Ratzinger iu desh të mbarte mbi supe trashëgiminë e një vigani karizmatik si Papa Ëojtyla. Pa pasur kapacitetin e lindur komunikues të polakut, Papa Ratzinger, që veten e quajti si “punëtor i përulur në vreshtin e Zotit”, u trajtua menjëhërë si një Papë tranzicioni. Por një njeri i drejtë dhe konservator, që gjithë jetën ia ka dedikuar fesë dhe doktrinës katolike, nuk mund të duronte dekadencën e ngadaltë dhe të heshtur të Kishës që drejtonte. Më shumë sesa te polemikat me botën islame të shkaktuara në 2005-ën nga fjalimi në universitetin e Ratisbonës (kundër dhunës në emër të Zotit); më shumë sesa te skandali i priftërinjëve pedofilë (të cilët u dënuan ashpër nga Papa Ratzinger); më shumë sesa te dokumentat e rezervura që u publikuan nëpër gazeta falë tradhëtisë së bashkëpuntorëve të ngushtë (çështja e ashtuquajtur Vatileaks); shkaku i thellë i dorëheqjes duhet gjetur diku tjetër.

 

Në dhjetor të 2011, Papa Ratzinger shprehu keqardhjen dhe tronditjen e tij maksimale për fenomenin që ai përkufizoi si “mërzitjen dhe lodhjen e të qënit i krishterë në Europë”. Pra, Papa Benedikti i XVI-të nuk është aq i sëmurë apo i lodhur sa të tërhiqët nga një post aq i rëndësishëm, duke pasur parasysh se në një monarki si ajo e Vatikanit, vetëm vdekja mund të pengojë nga të “qënit” Papë. Jozeph Ratzinger, tashmë pothuajse 86 vjeçar, ka frikë se nuk ia del më të “ushtrojë” detyrën e një Pape, domethënë të qënit drejtues i shpirtrave dhe ndërgjegjieve të besimtarëve të krishterë. Me finesën intelektuale që gjithmonë e ka karakterizuar dhe me inteligjencën tipike që rrjedh nga populli të cilit i përket, teologu gjerman shkundi nga themelet Vatikanin e përgjumur.

 

Heqja dorë e Ratzinger-it është sa një akt modern, aq dhe një dorëzim përpara botës moderne ku nuk mjafton më veshja papale për të qënë një “çoban i denjë i kopesë së Zotit”.

 

*PhD – E Drejta Kushtetuese Italiane dhe Europiane – Verona. Rubrika Europa – çdo të shtunë, në DITA

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *