Lajmi i “zënies” së një peshkaqeni 500 kilogramësh në rrjetat e peshkatarëve të Shëngjinit, mbeti shumë telegrafik, pa jehonën që do e karakterizonte natyrshëm. Ngase, edhe ne sikur e gjithë bota, u “transferuam” për ca ditë në Francë, e nuk ua kishim ngenë fort ndodhive tona, këtu. Ashtu siç e pamë në TV kafshën gjëmëmadhe, ku një peshkatar po ja hapte me forcën gojën e gjakosur e stërmadhe, që sikur donte t`i bënte një promocion falas vdekjes së ardhur prej një goje të tillë, ajo të fuste tmerrin thjesht me idenë se edhe ujrat tona e paskërkan këtë lubi. Deri më sot, jetuam me bindjen se peshkaqenët, Shqipëria i ka në tokë; por mos o Zot, edhe deti qenka mbushur me ta. Se vërtet, deti ka qenë e mbetet e vetmja prehje për ne. Dhe pse ai është bërë “varri” i dhjetra e qindra jetëve këto dy dekada, prapë deti mbetet një dashuri e relaks i panegociuar. Kur vjen stina e nxehtë, ne jo thjesht bëjmë plazh, por i japim vetes një shans për t`iu shkëputur kësaj toke të zhuritur me zhul bëmash e plagësh, vuajtjesh e stresesh, drejt përmasave të paqta ujore, me ndjesinë e shijuar, por vështirë të artikuluar, se më mirë një peshk (qoftë dhe trupeshk), i pafajshëm në det, se sa njeri në tokën matanë. Por ja që, vjen një peshkaqen që bie në rrjetat e peshkatarëve të Shëngjinit, e ta prish krejt terezinë!/E.H

Peshkaqenet e medhej nuk kane qene banore te ujrave tona,por kane filluar ti frekuentojne me fillimin e Eksodit me varka,skafe,komardare,bidona etj.Rasti i fundit i kapanonit turistik grek,qe mori flake duhet te kete pasur edhe shume viktima te padeklaruar,qe i numerojne peshkaqenet.
Mirë e kini shkruar o Ermir djali por nuk na ke futur një çikë nê krahasimin se cilët janë më të rrezikshëm,- peshkaqenët e detit apo këta të tokës? Që të dimë dhe ne ku të rrimë,-në det apo në tokë? Tung!