Një nga futbollistët e parë që ka dalë kundër Fifa-s është kapiteni i kombëtares turke dhe mesfushori i Atleticos së Madridit Arda Turan.
Lindin polemikat e para sa u përket votimeve të protagonistëve në garën për Topin e Artë. Një nga futbollistët e parë që ka dalë kundër Fifa-s është kapiteni i kombëtares turke dhe mesfushori i Atleticos së Madridit Arda Turan. Ky i fundit në një intervistë deklaroi se votat e tij për trajnerin më të mirë të vitit janë ndryshuar nga delegatët e Fifa-s, pasi pashai i Stambollit siç njihet nga të gjithë 27-vjeçari ballkanas në këtë garë nuk mund të votonte askënd tjetër përveçse trajnerit të tij te Atletico Diego Pablo Simeone.
“Delegatët më pyetën se kë preferoja si trajnerin më të mirë të vitit dhe përgjigjja ime ishte sigurisht El Cholo Simeone, ndërsa përsa i përket lojtarit më të mirë votova Cristiano Ronaldon. Por ndërkohë kur pashë listën e publikuar nga Fifa u surprizova pa fund, pasi vura re që pikët maksimale të dhëna nga unë për trajnerin më të mirë kishin shkuar për Jose Mourinhon, dhe Simonen e kisha renditur vetëm të tretin pas Joachim Low, ndërkohë që e vërteta është krejt e kundërt pasi unë kam votuar në vend të parë Diego Simeone dhe pas tij kam renditur me radhë Low dhe Mourinhon”, u shpreh mesfushori.
Në vijim, Arda Turan foli me fjalët më të mira për trajnerin argjentinas të Atleticos, ndërsa theksoi gjithashtu se në këtë mes ka një ngatërresë të madhe. “Për mua Simeone është trajneri më i mirë në Botë, dhe unë personalisht nuk e krahasoj El Cholon me asnjë teknik tjetër në botë. Do të doja që ai ta kishte fituar çmimin si trajneri më i mirë i vitit dhe më vjen shumë keq që nuk ja arriti dot. E kam thënë edhe më parë dhe po e sqaroj sërish në mënyrë që media dhe e gjithë bota ta dinë”, theksoi turku i madrilenëve.
