I nderuar lexues! Xhon Kam Hobhauz (1786-1869) ishte personalitet politik dhe letrar anglez, mik i ngushtë i poetit Xhorxh Bajron, të cilin e shoqëroi në udhëtimin e tij në Shqipëri, Greqi dhe Turqi. Përshkrimin e këtij udhëtimi e dha në veprën “Udhëtim nëpër Shqipëri dhe provinca të tjera të Turqisë në Evropë dhe Azi… në vitet 1809-1810”. Udhëtimi i Xhon K. Hobhauz në Shqipëri përfshiu jug-perëndimin deri në Tepelenë. Ai jep një përcaktim të kufijve etnik të shqiptarëve dhe një tablo të jetës ekonomike-shoqërore e politike të vendit. U tërhoq shumë nga figura e shqiptarit me doket, zakonet, gjuhën, veshjen, këngët, vallet e tij e sidomos ndjenja e fuqishme kombëtare. Në fund të librit Hobhauz botoi anglisht edhe gramatikën shqipe të Da Leçes dhe disa këngë popullore të arbëreshëve të Greqisë të mbledhura nga ai vetë.
