Zërat për një largim të mundshëm të Lionel Messit vazhdojnë ta shqetësojnë ambientin katalanas, ku argjentinasi konsiderohet një mit. Për ta ndezur edhe më shumë këtë temë, mendon trajneri i Manchester Cityt, Manuel Pellegrini, i cili është shprehur për mediat britanike se citizens i kanë mundësitë financiare për ta blerë 27-vjeçarin.
Është përllogaritur se për të siguruar shërbimet e Messit nevojiten në total 480 milionë paund, afërsisht 620 milionë euro, ku 250 milionë është vetëm klauzola e largimit nga Barcelona. Shifra këto të paimagjinueshme edhe për klubet më të mëdha europiane, por jo për Manchester Cityn, edhe pse rregullat e Fair-Play Financiar, nuk e lejojnë të bëjë shpenzime të tilla stratosferike.
Pellegrini është shprehur se është normale që klube me potencial të rëndësishëm ekonomik si Manchester City, të interesohen për lojtarët më të mirë në qarkullim, por gjithçka varet nga disponibiliteti i yjeve për t’iu bashkuar formacionit të tij.
Mediat katalanase pak ditë më parë raportonin se Manuel Pellegrini është trajneri i preferuar nga Lionel Messi për të zëvendësuar Luis Enriquen te Barcelona, ndërsa me konfirmimin e asturianit në Katalunjë në Angli besojnë se Messi do të ishte gati t’i bashkohej kilianit në Premier League. Një lëvizje e tillë për momentin konsiderohet si fantamerkato, por ku i dihet, deri në verë mund të ndodhë gjithçka.
