Xhuvani kërkon gjykimin e shkurtuar

redaktor

Më shumë se dy muaj pas masakrës së ndodhur në lokalin e natës “Ante Grand” te “Rruga e Elbasanit”, ku mbetën të vrarë 4 persona, i dyshuari për krimin, Kostandin Xhuvani, ka kërkuar gjykimin e shkurtuar para trupit gjykues.

Ditën e djeshme është zhvilluar seanca e radhës në Gjykatën e Tiranës, ndërsa nga trupi gjykues u kërkuan shpjegime prej prokurorisë në lidhje me rrethanat e vrasjes së një prej viktimave, (bëhet fjalë për vrasjen e Arbër Demirajt).

Pas leximit të kërkesës të të pandehurit, që deklaroi se pranon aktet e prokurorisë në dosje dhe akuzën e ngritur për “vrasje për shkak të cilësive të veçanta” dhe “armëmbajtje pa leje”, gjykata u shpreh se vendimin do e marrë në seancën e radhës më 29 janar. Gjykata kërkoi kohë të mjaftueshme për t’u njohur me procedurat e kryera hetimore dhe dëshmitë e të pandehurit.

Më 23 dhjetor, i pandehuri Xhuvani pranoi fajësinë për vrasjen e katërfishtë, ndodhur më 4 nëntor në lokalin e natës “Ante Grand”, duke folur për herë të parë lidhur me ngjarjen. Nga ana e prokurorisë ka pasur një hezitim për të mos e pranuar kërkesën e 25-vjeçarit për gjykim të shkurtuar, pasi e ka kapur në flagrancë dhe me prova të mjaftueshme, ndërsa i riu fillimisht ka refuzuar të bashkëpunojë, duke dhënë versione të ndryshme.

Edhe dje, prokurori Enklid Gjini kontestoi kërkesën e përsëritur të Xhuvanit dhe kërkoi nga gjykata një seancë tjetër për të paraqitur prova të reja, pasi sipas tij, ende hetimet nuk kanë mundur të provojnë dinamikën e vrasjes së Arbër Demirajt. Tashmë pritet që më 29 janar, gjykata të vendosë për pranimin ose jo të kërkesës për gjykim të shkurtuar.

Sipas Kodit Penal, Xhuvani rrezikon jo më pak se 20 vite burgim, por aplikimi i gjykimit të shkurtuar duke pranuar akuzat, mund ta lehtësojë në fund të procesit. Dosja shkoi në gjykatë në një kohë rekord, pasi prokuroria tha se ka kryer veprimet e domosdoshme hetimore dhe ka siguruar të gjitha provat.

Në konfliktin e 4 nëntorit, rreth orës 04:20 të mëngjesit në lokalin “Ante Grand” mes të rinjve në dy tavolina, Kostandin Xhuvani vrau në gjendje të dehur kundërshtarët e tij Edison Jaho, ish-komando dhe Enea Xhajin, shokun e tij Arbër Demiraj dhe investitorin italian Giampaolo Azzolo, aksidentalisht.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *