Luftërat me të cilat mund të përballemi në 2015-ën

redaktor

2015 ka ardhur dhe planeti ka disa zona tensioni që në çdo kohë mund të çojnë në një konflikt të armatosur. Revista “Foreign Policy” ka botuar një listë të vendeve që rrezikohen nga lufta, e që kërkojnë zgjidhje urgjente.

Siria, Iraku dhe Shteti Islamik

Grupi i dhunshëm i Shtetit Islamik që shpërtheu në Siri dhe Irak vazhdon të terrorizojë të gjithë rajonin. Radikalët, të cilët përdorin metodat nga më barbaret janë bërë fokus kryesor i politikës në botë. Aftësia luftarake e Opozitës së Armatosur Siriane, e mbështetur nga Perëndimi vazhdon të dobësohet. Fronti al Nusra, i lidhur me Al Kaedën, ka pushtuar provincën Idlib, ndërsa forcat qeveritare nuk pushojnë së përpjekurit për të pushtuar këto territore.

Ukraina

Më shumë se 5000 njerëz kanë vdekur në Ukrainën lindore që nga konflikti që filloi në mars 2014 duke përfshirë gati një mijë njerëz të vdekur pas një armëpushimi të shpallur më 5 shtator. Ardhja e dimrit, mungesa e ngrohje, kolapsi ekonomik dhe rajonet e Lugansk dhe Donetsk pjesërisht të shkatërruar e përkeqësojnë më tej krizën. Megjithatë, situata mbetet e paparashikueshme. Këto ditë ka pasur shkelje të armëpushimit nga ana e ushtrisë ukrainase. Çdo gjë tregon se në qoftë se situata nuk përmirësohet dhe Kievi nuk arrin dialogun me lindjen atëherë lufta do të vazhdojë. Ekspertët presin që ndërmjetësimi ndërkombëtar në këtë konflikt të jetë efektiv.

Sudani i Jugut

Që nga fillimi i konfliktit të brendshëm në jug të Sudanit, në fund të 2013-ës, janë vrarë më shumë se 50 mijë njerëz, ndërsa 2 milionë janë zhvendosur. Lufta civile shpërtheu mes forcave besnike të presidentit Salva Kiir dhe besnikëve të ish presidentit Riek Machar. Edhe pse Këshilli i Sigurimit i OKB-së thirri fuqitë e SHBA-së dhe Kinës (të cilat kanë interesa ekonomike në rajon), për të siguruar një rol më aktiv në negociatat paqësore, deri tani ka shumë pak përparim në këtë çështje.

Nigeria

Veriu i Nigerisë është nën terrorin e grupit të dhunshëm islamik, Boko Haram. Radikalët janë të përfshirë në vdekjen e më shumë se 15 mijë njerëzve dhe gati një milion të zhvendosurve. Kryengritësit e armatosur vazhdojnë të fitojnë ngadalë terren dhe të kalojnë kufijtë nigerianë. Ata po lënë gjurmët e tyre të përgjakshme në Kamerun, Niger dhe Çad.

Somali

Ndërkohë që forcat e Bashkimit Afrikan së bashku me Ushtrinë Somaleze përpiqen të luftojnë kundër kryengritësve të Al Shabab, qeveria federale e Somalisë ka si objektiv prioritar zgjedhjet dhe referendumin kushtetues të vitit 2016. Çdo gjë tregon se ky do të ishte një tjetër vit i vështirë për vendin ku vazhdojnë mosmarrëveshjet me elemente të dhunës (që nga 2012) mes presidentit aktual dhe ish-kryeministrit, që është dëbuar nga vendi.

Republika Demokratike e Kongos

Vitin e kaluar janë shuar shpresat që ngjalli progresi në Republikën Demokratike të Kongos në vitin 2013. Reformat e premtuara nga presidenti Joseph Kabila, në veçanti në lidhje me sigurinë, kanë ngecur. Janë të nevojshme, një plan çarmatosjeje për ushtarët dhe komunitetin, aksione policore kundër rrjetet të jashtëligjshme që mbështesin FDRL (forcat Demokratike për çlirimin e Ruandës) dhe një marrëveshje për procesin gjyqësor, që liderët do ta kenë të vështirë t’i bëjnë në 2015-ën.

Afganistan

Në Afganistan, Hamid Karzai dha dorëheqjen si president dhe Ashraf Ghani u shpall si pasuesi i tij. Ky është transferimi i parë i pushtetit në historinë e Afganistanit. Për të përmbushur premtimet zgjedhore të Ghanit (si forcimi i institucioneve, dënimi i korrupsionin, ekuilibër mes ekzekutivit dhe një qeveri e decentralizuar), bëri një pakt me SHBA që 12 mijë trupat amerikane të qëndrojnë në Afganistan dhe në këtë mënyrë t’u bëjnë ballë talebanëve, të kryejnë operacione kundër terrorizmit dhe të trajnojnë forcat lokale.

Jemen

Jemeni është një tjetër vend ku situata politike është larg normalitetit në vitet e fundit. Procesi i tranzicionit në atë vend nuk është kryer. Procesi politik ka qenë viktimë, e para për shkak të rritjes së lëvizjes shiite Houthi, e cila vazhdon të marrë zona të mëdha territoriale, duke përfshirë edhe zonat e naftës, dhe së dyti, nga partia opozitare Al Islah, e cila është degë jemenase e Vëllazërisë Islamike. Kontradiktat serioze dhe mungesa e dialogut mes grupeve shkaktojnë paqëndrueshmëri në vend.

Libi

Kaosi dhe pasiguria mbretërojnë në vend. Tre vjet pas rënies së Gadafit, kombi afrikan është i ndarë dhe është në prag të luftës civile me dy qeveri ekzekutive që kërkojnë pushtetin. Në terren, ushtria dhe xhihadistët janë protagonistë të një lufte të vërtetë. Në anën tjetër, janë pasuritë e naftës që tërheqin fuqitë e huaja.

Share This Article
5 Comments
    • Luftën e gjeneron politika dhe interesat. Nuk dimë kush ka dorën kryesore në keto konflikte e luftra që të themi se është kjo apo ajo politikë që e nxit dhe këto apo ato interesa që fshihen pas asaj apo kësaj politike. Me përjashtim të Ukrainës për të cilën kemi një tabllo se është politika dhe interesat ruse ato që qëndrojnë prapa konfliktit, në vatrat e tjera si Somali, Nigeri Ruanda etj, nuk dimë mirë cila është dora politike që mban urën e zjarrit në dorë? Vazhdon të mbetet gjeniale thënia e Klauzeviçit që “lufta është vazhdim i politikës me mjete të tjera” të cilën Lenini e interpretoi si “lufta…..vazhdim i politikës pikërisht me mjetet e dhunës”. Nderime!

  • Luftën e gjeneron politika dhe interesat. Nuk dimë kush ka dorën kryesore në keto konflikte e luftra që të themi se është kjo apo ajo politikë që e nxit dhe këto apo ato interesa që fshihen pas asaj apo kësaj politike. Me përjashtim të Ukrainës për të cilën kemi një tabllo se është politika dhe interesat ruse ato që qëndrojnë prapa konfliktit, në vatrat e tjera si Somali, Nigeri Ruanda etj, nuk dimë mirë cila është dora politike që mban urën e zjarrit në dorë? Vazhdon të mbetet gjeniale thënia e Klauzeviçit që “lufta është vazhdim i politikës me mjete të tjera” të cilën Lenini e interpretoi si “lufta…..vazhdim i politikës pikërisht me mjetet e dhunës”. Nderime!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *