Siç edhe pritej, ngjarjet e Parisit do të shoqëroheshin me një ndërgjegjësim evropian, për një reagim konkret ndaj këtij fenomeni. Iniciativa e fundit në rang kombëtar e Gjermanisë, për sekuestro të pasaportave të të dyshuarve si terroristë, është shtrirë dhe në vende të tjera evropiane. Kreu i Komisionit Europian Junker, bëri të ditur ditën e djeshme, nëpërmjet zëdhënëses së tij se Komisioni është gati të mbështesë këtë iniciativë, në rast se ajo ndërmerret nga vendet anëtare. BE vlerëson se, nga 10 mijë luftëtarë të huaj në rajonet e krizave, rreth 3 mijë radikalë islamistë janë nga Europa. Po si do të funksionojë kjo iniciativë dhe cilat janë shqetësimet që e shoqërojnë atë?
Efikasiteti
Por, teksa iniciativa e parë ligjore po ndërmerrej në Gjermani, debati demokratik, kryesisht me fokus opozitar, ngriti disa shqetësime. Shqetësime, që preknin sa kuadrin politik dhe kushtetues, por edhe vënien në dyshim të efikasitetit të saj.
A do të prodhojë kjo masë e ndërmarrë, efektin e duhur ndaj parandalimit të terrorizmit? Nga njëra anë shtrohej logjika, nëse shteti do të mundësojë dot bllokimin e këtyre pasaportave apo kartave të identitetit dhe në ç’forma do të kryhej ky veprim. Dhe nga ana tjetër, ekspozohej shqetësimi, nëse kjo iniciativë përmbante risqe në vetvete, si përballë kuadrit kushtetues, por edhe përballë provokimit apo nxitjes së mundshme të veprimeve të natyrës ekstremiste të individëve, që i përkasin këtij kontingjenti.
Por, pavarësisht debatit të pashmangshëm demokratik me nuanca politike, kjo iniciativë ligjore, apo masë e ndërmarrë për sekuestro vlerësohet se, e ka të gjithë potencialitetin të jetë efikase. Së pari, duhet kuptuar se sistemet e vendeve evropiane, kanë një mënyrë procedimi ku qytetari është i detyruar për çdo veprim të operojë me kartën personale të identitetit (sistemi administrativ, bankar, imobiliar, etj). Pra, nga njëra anë, mjafton një thirrje e thjeshtë nga njësia administrative në një kuadër burokratik normal, që karta e qytetarit, e sinjalizuar në sistem të bllokohet, sekuestrohet apo zëvendësohet me një tjetër kartë. Ky veprim bllokimi mund të funksionojë në të njëjtën mënyrë dhe nëpërmjet sistemit policor. Nga ana tjetër, duke qenë se sistemi është i centralizuar, mjafton një sinjalizim për efekt skadimi, dhe karta e qytetarit bëhet jofunksionale në sistemin bankar, apo të gjithë institucionet që procedojnë nëpërmjet leximit elektronik të kartës së identitetit.
Por, a përmban një risk në vetvete, kjo iniciativë, teksa mund të shkaktojë reagimin ekstrem të individit subjekt i kësaj mase? Ky ishte dhe një nga shqetësimet opozitare në Gjermani gjatë prezantimit të këtij projektligji. Sigurisht, që edhe ky faktor është një nga komponentët përbërës të këtij kuadri masash. Por, nuk duhet harruar se mosveprimi, hezitimi dhe debati i gjatë demokratik mbi opsione të shumëfishta, mbart dhe ai në vetvete riskun e mosveprimit në kohën e duhur, duke gjeneruar përkeqësimin e mëtejshëm të situatës.
Ndërsa pika më e ndjeshme, dukej se prekte dhunimin e Kushtetutës dhe prezumimit të pafajësisë, teksa individët subjekt të kësaj mase, që do të pajisen me një kartë identiteti të përkohshme, do të paragjykohen si terroristë.
Shumë demokraci vret/nuk vret demokracinë
Politika dhe shoqëria evropiane ndodhen në një udhëkryq hezitimesh, mes një debati që përfshin ruajtjen apo cenimin e mëtejshëm të të drejtave të njeriut. Një debat tejet demokratik, i cili po kryhet në mes të një klime aspak të favorshme, përballë një rreziku radikalizmi tashmë të konfirmuar, i cili kërkon veprime konkrete.
Po vërehet një përplasje mes logjikës se, shumë demokraci po na e vret demokracinë dhe e kundërta e saj, se shumë demokraci nuk e vret aspak demokracinë. Skepticizmi si i nivelit politik, por edhe atij publik është i lartë, teksa kërkohet shtrirje e mëtejshme e kompetencave të shërbimeve sekrete, duke ndërhyrë në fushën e të drejtave të njeriut (përgjime telefonike duke shmangur vendimin e autoritetit gjyqësor; përgjim elektronik i zgjeruar; regjistrim dhe ruajtje e të dhënave detajuese në masë të pasagjerëve ajrorë, etj). Eshtë ky skepticizëm, që në mbrojtje të vlerave dhe të drejtave të njeriut, vetëm para pak kohësh po kritikonte gjerësisht veprimet e amerikanëve mbi përgjimet masive dhe ruajtjen e të dhënave.
Por, duket se veprimet e munguara dhe hezitimet në kohë, të politikave kombëtare apo evropiane, po çojnë drejt zgjidhjeve imediate te padëshiruara, për të frenuar avancimin e mëtejshëm të radikalizimit. Ndonëse me koston e lartë të cenimit të kuadrit të të drejtave të njeriut. Por, le të shpresojmë se karakteri i këtyre masave do të jetë afatshkurtër dhe i rishikueshëm në rastin më të mirë. Në mungesë alternativash, duhet arsyetuar edhe drejt një opsioni, që shpeshherë logjikës i imponohet në raste krizash se, “nuk janë edhe aq të rëndësishme efektet anësore të një medikamenti, teksa ai përpiqet të kryejë misionin e tij shërues”./im.ta/
