Nuk mjafton Shaqiri, Empoli-Inter mbyllet 0-0

Dita

Interi i Roberto Mançinit nuk ka vazhdimësi. Pas fitores se javës së kaluar në San Siro kundër Genoas, zikaltërit janë ndalur në një barazim pa gola në Kastelani kundër Empolit duke shpërdoruar një mundësi shumë të mirë për të shkuar në -3 pikë nga vendi i tretë. Në këtë ndeshje trajneri Roberto Mançini kishte konfirmuar praktikisht të njëjtin formacion që zbriti në fushë edhe ndaj Genoas me ndryshimin e vetëm që rikthehej nga pezullimi Ranokia duke zënë vendin e Andreolit.

Sfida nuk ishte aspak e lehte për zikaltërit. Që në minutën e 6-të, një goditje e mbrojtësit të kombëtares sonë Elseid Hysaj vuri në vështirësi portierin Handanovic. Në pjesën e parë Inter u vu disa herë në vështirësi, pasi skuadra e Sarrit luante me aksione të shpejta që shpeshherë vinin në vështirësi mbrojtësit zikaltër. Pjesa e dyte nisi Pa Ranokian që u detyrua të largohej për shkak të një dëmtimi dhe vendin e tij e zuri Andreoli, por skenari do të ishte pothuajse i njëjtë. Me Interin që provonte, por pa pasur shumë qartësi në sulm.

Kjo e detyroi Mançinin të ndryshonte lojë, duke larguar nga fusha Ikardin dhe duke futur në vend të tij Kovacic me Palasion që mori detyrën e sulmuesit kryesor. Por edhe ky ndryshim nuk solli asgjë të re, teksa 15 minuta nga fundi, bëri debutimin e tij në Serine A edhe sulmuesi nga Gjilani Xherdan Shaqiri, i cili zuri vendin e Podolskit. Gjithsesi edhe pse dy skuadrat ndryshuan shumë, ato që nuk ndryshuan deri në fund ishin shifrat 0-0, Empoli i kënaqet një pike shumë të mirë për luftën për mbijetesë, ndërkohë që Inter ndoshta mund të kërkonte më shumë. Por duke parë si shkuan gjërat, edhe zikaltërit mund të jenë të kënaqur me këtë barazim.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *