Kohë bilancesh për klubet, mbyllet faza përgatitore

redaktor

Skuadrat e Kategorisë Superiore i dhanë fund mini-fazës së janarit, periudhë gjatë së cilës morën ngarkesë të lartë fizike, për të qenë në formë optimale për startin e fazës së tretë të kampionatit. Nga katër rivalët kryesore për titullin kampion, vetëm Kukësi ka në program një tjetër test miqësor, që do ta zhvillojë këtë të hënën me skuadrën e ligës së tretë gjermane TSV Havalse. Nënkampionët e Shqipërisë, që kanë zhvilluar deri tani 4 miqësore në tokën turke, pritet të kthehen në Shqipëri të martën, ku do të vijojnë përgatitjet për sfidën me Vllazninë në “Loro Boriçi”.

Edhe Skënderbeu do të jetë në Shqipëri në fillim të javës, pasi miqësorja me Dyseldorfin ishte e fundit për fazës përgatitore, që u zhvillua në Marbella të Spanjës, ku zhvilloi në total 6 miqësore, me një bilanc prej 2 fitoresh dhe 6 humbjesh. Nga skuadrat pretendente për titull, Partizani dhe Tirana qëndruan në Shqipëri, ku matën forcat me skuadra të nivelit më të ulët. Të kuqtë zhvilluan në total 5 teste miqësore, duke koleksionuar 5 fitore, me një golaverazh të përgjithshëm 27-0. Sigurisht këto statistika të arritura ndaj kundërshtarëve modestë, duhen marrë me rezerva, pasi prova e vërtetë e formacionit të Shpëtim Duros do të jetë transferta me Laçin në fundjavë.

Edhe Tirana e mbylli fazën e janarit me miqësoren ndaj Dinamos, të cilën e fitoi me rezultatin 1-0 falë golit të kroatit Bushiç, që ka shënuar në total 3 gola në po kaq teste miqësore. Tashmë bardheblutë sikurse të gjitha skuadrat e tjera të Superiores, do të ulin ngarkesën fizike, duke i kushtuar më shumë rëndësi ushtrimeve taktike, për të qenë gati për sfidën e parë të fazës së tretë me Apoloninë.

Fazën e janarit e ka mbyllur edhe Flamurtari, që ka lënë Belekun në Turqi për t’i spostuar përgatitjet në Vlorë, ndërsa Vllaznia do të qëndrojë edhe për disa ditë në Ulqin, për t’u kthyer nga mesjava në Shkodër. Laçi i cili u nis në momentin e fundit drejt Spanjës, do të qëndrojë edhe për disa ditë në gadishullin iberik, ndërsa skuadrat e tjera të superiores, si Teuta, Apolonia dhe Elbasani i kanë vijuar përgatitjet në Shqipëri, ku kanë zhvilluar disa teste miqësore.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *