Kur shkrimtari i famshëm kanadez dhe teoricieni i komunikacionit, Marshall McLuhan, parashikoi në vitin 1968, se lufta e tretë botërore do të ishte një “luftë guerile informacioni” që do të përfshinte pa dallim civilët dhe ushtarakët, bota ishte e zhytur në një luftë të nxehtë dhe jetonte nën fantazmën e një lufte bërthamore. Por 46 vjet më vonë, profecia e McLuhan është bërë aktuale, për shkak të një programi sekret që nisi e famshmja Agjencia Kombëtare e Sigurisë (NSA) dhe u pagëzua me emrin “Politerain”.
Programi fsheh një ushtri efektive snajperësh kibernetikë dhe një grup të veçantë guerilasish, të cilët janë pjesë e operacionit të quajtur TAO (Tailored Acces Operations). Trupa e guerrilasve ka vetëm një mision: të manipulojë dhe të shkatërrojë kompjuterët e armikut, të shkatërrojë hard disqet dhe të zbulojë se çfarë mendon dhe çfarë mjetesh përdor armiku.
Programi që filloi tetë vjet më parë bëri që ushtria e snajperëve kibernetikë të hartonte strategji lufte në Internet me qëllim që të infiltroheshin dhe të paralizonin rrjetet kompjuterike armike dhe në këtë mënyrë, të kenë akses në rrjetin e ujit të pijshëm, energjisë elektrike, fabrikat, aeroportet dhe transaksionet bankare.
Ekzistenca e “Politerain” u zbulua nga ish agjenti i NSA, Edward Snowden, dhe disa prej dokumenteve që përmbledhin punën e programit janë analizuar nga revista “Der Spiegel”, në botimin e kësaj fundjave. “Shërbimet sekrete nuk merren më vetëm me spiunazh.
Dokumentet e Edward Snowden tregojnë se ato duan të dominojnë internetin dhe të përgatiten për një luftë dixhitale”, thekson revista e përjavshme që zbulon se spiunët dixhitalë punojnë në shërbimet sekrete në të ashtuquajturën “Aleanca e 5 syve”, e përbërë nga SHBA, Britania e Madhe , Kanadaja, Zelanda e Re dhe Australia.
Dokumentet e mbajtura nga Snowden zbulojnë se NSA është e vetëdijshme se konflikti i ardhshëm botëror do të fillojë në internet, aq sa agjencia u detyrua të kërkojë një rritje të konsiderueshme të buxhetit të saj. Dokumentet thonë se një nga sulmet më të suksesshme të NSA-së ishte përdorimi i virusit Stuxnet për të dëmtuar programin atomik të Iranit.
Një tjetër vegël e përdorur nga luftëtarët kibernetikë të NSA-së ishte virusi Regin, me të cilin u përpoq të depërtojë në rrjetin kompjuterik të Ministrisë së Jashtme gjermane. Virusi është përdorur gjithashtu për të spiunuar Komisionin Evropian.
NSA dhe aleatët e saj gjithashtu kanë përdorur sulmet kibernetike që ato kanë pësuar, për t’i përdorur në dobi në tyre. Për shembull, përgjigja që dha NSA, kur një prej njësive të saj të spiunazhit kibernetik zbuloi vjedhjen e të dhënave në Pentagon. Ekipi i ekspertëve të NSA arriti të gjejë adresën IP në Azi, një pistë që lokalizoi se sulmi ishte bërë në Kinë.
Kundërsulmi ishte i shpejtë dhe i suksesshëm. Spiunët arritën të zbulojnë rezultatin e sulmit kinez, por gjithashtu zbuluan që Kina ishte përgjegjës për një sulm ndaj OKB-së. Bërthama e spiunëve të NSA punon sipas kodit S321 në “Remote Center Operation” e vendosur në Fort Meade në Merilend, në katin e tretë të një prej ndërtesave kryesore të kompleksit. Duke u ndarë në turne spiunët monitorojnë kompjuterët e tyre 24 orë në ditë.
“Prioriteti i NSA janë sulmet dhe jo mbrojtja”, pranoi Snowden në një intervistë të fundit, kur iu referua një strategjie të re monitorimi dhe kur mundet sulmon së bashku me aleatët e grupit “Pesë sytë”, të gjitha vendet e tjera që nuk i përkasin atij grupi të veçantë spiunazhi, duke përfshirë Gjermaninë dhe Spanjën.
