Në fletoren zyrtare është botuar vendimi i Entit Rregullator të Energjisë (ERE) që miraton planin e investimeve në një prej hallkave më të rëndësishme të sektorit të energjisë, Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) .
Në mbështetje të neneve 9, 24 dhe 64 të ligjit nr.9072, datë 22.5.2003, “Për sektorin e energjisë elektrike”, të ndryshuar, nenit 10 dhe 11 të rregullores “Për procedurat e paraqitjes dhe miratimit të planit të investimeve nga të licencuarit në sektorin e energjisë elektrike”, Bordi i Komisionerëve të Entit Rregullator ERE, në mbledhjen e tij të datës 19.11.2014, pasi shqyrtoi kërkesën e shoqërisë OSHEE sh.a dhe u njoh me relacionin e përgatitur nga grupi i punës, konstatoi se, “nga studimi i materialeve të paraqitura nga OSHEE sh.a. ka mangësi dhe plotësime që duhet të bëhen në mënyrë që grupit të punës së ngritur me urdhrin e kryetarit të ERE-s nr. 74 datë 10.10.2014, t’i mundësohet një gjykim i drejtë për propozimin e miratimit të planit të investimeve”.
Për këtë arsye OSHEE sh.a.-së i janë bërë me dije kërkesat e ERE-s për përmirësimin e dokumentacionit të aplikimit. “Duhet të paraqiten investimet e planifikuara/realizuara të vitit dhe do të shoqërohen me një shpjegues lidhur me investimet e parashikuara por që nuk janë realizuar dhe shpjegime për investimet e paparashikuara në planin e miratuar por të realizuara”, thuhet në kërkesat e ERE. Plani i investimeve për vitin 2015 duhet të shoqërohet gjithashtu edhe me shpjegime e të dhëna të mjaftueshme lidhur me investimet afatgjata që planifikohen.
“Natyrisht kërkohet që të dokumentohet miratimi i planit të investimeve 2015 nga këshillat mbikëqyrës përkatës. Për gjithë sa më sipër, Bordi i Komisionerëve të miratojë fillimin e procedurave për shqyrtimin e kërkesës për miratimin e planit të investimeve 2015 për OSHEE sh.a”, thuhet në botimin e fletores zyrtare, vendim që ka hyrë në fuqi menjëherë.
