Sarkoidoza është një ndër sëmundjet pak të njohura, e cila nëse nuk trajtohet rrezikon funksionimin e organeve jetësore. Zemra, mushkëritë, sytë, lëkura, veshkat janë të rrezikuara nga pasojat e kësaj sëmundjeje, e cila për t;u mbajtur nën kontroll kërkon një mjekim disa vjeçar. Për lexuesit e gazetës “Dita”, mjekja infeksioniste Ilda Xhelili tregon se në pjesën dërrmuese të rasteve janë ekzaminimet e rastësishme që vënë në dukje praninë e kësaj sëmundjeje. Kjo ndodh pasi Sarkoidoza mund të zhvillohet në heshtje, pa simptoma të dukshme për një kohë të gjatë. Referuar rasteve të paraqitura për trajtim vërehet se moshat e reja, dhe veçanërisht femrat janë më të rrezikuara nga pasojat e kësaj sëmundjeje. Ndaj duhet bërë kujdes maksimal për të kërkuar ndihmën e mjekut në rast se konstatohen gjendje të tilla si lodhje e vazhdueshme, dalje e gungave të infektuara në sipërfaqe të lëkurës apo organeve të tjera, humbje e shpejtë në peshë, ënjtje të gjunjëve, tharje e syve, kollë e thatë ose shenja të ndryshme që shfaqen në lëkurë.
Çfarë është sarkoidoza?
Sarkoidoza është një sëmundje që përfshin koleksione, ose grumbullime anormale të qelizave inflamatore (të infektuara), që mund të formojnë moduse ose siç njihen në gjuhën e përditshme gunga në organe të ndryshme. Këto grumbullime inflamatore quhen ndryshe edhe granuloma. Granulomat janë të vendosura më shpesh në mushkëri, si dhe në apo gjëndrat limfatike. Por, nuk përjashtohet edhe shfaqja e sëmundjes në organet e tjera të trupit. Kjo sëmundje vjen si rezultat i një reagimi imun ndaj një agjenti të jashtëm infektiv. Ky reagim vazhdon edhe pasi infeksioni fillestar është mjekuar dhe agjenti i jashtëm infektiv është larguar nga organizmi i njeriut. Ecuria e kësaj sëmundjeje në përgjithësi është e mirë por, disa raste kanë ecuri afatgjatë dhe mund të përbëjnë rrezik për jetën e pacientit nëse nuk ndërhyhet në kohë për të shmangur ndërlikimet. Sipas të dhënave të raportuara nga strukturat shëndetësore shkalla mesatare e vdekshmërisë shkon në më pak se 5 për qind, e totalit të rasteve të patrajtuara. Duke u ndalur tek kategoritë që janë më të rrezikuara për t’u prekur nga Sarkoidoza, rezulton se sëmundja prek më shumë moshat e reja, 25-50 vjeç. Ndërkohë që femrat janë më të kërcënuara, pasi sëmundja shfaqet dy herë më shpesh tek kjo kategori, në krahasim me meshkujt.
Cilët janë shkaktarët më të shpeshtë të kësaj sëmundjeje?
Shkaku i saktë i sëmundjes ende nuk është i njohur. Hipoteza aktuale e mundshme është se në individë gjenetikisht të ndjeshëm, sarkoidoza shkaktohet përmes ndryshimit të përgjigjes normale imune pas ekspozimit ndaj një agjenti të mjedisit, të punës apo ndaj një agjenti infeksioz. Gjeneciteti ndryshon edhe në bazë të racës. Për shembull raca e zezë ka një predispozicion rreth 20 për qind më të lartë sesa raca e bardhë për t’u prekur nga kjo sëmundje. Ndër agjentët më të shpeshtë infektivë, si shkaktarë të sarkoidozës renditen: “Mykobakteriet (për shembull tuberkulozi), kërpudhat (mykrat), borrelia dhe rikeciet”.
Po shenjat klinike që shoqërojnë sëmundjen cilat janë?
Sarkoidoza është një sëmundje sistemime inflamatore (infeksioze) që mund të prekë çdo organ, edhe pse mund të jetë pa shenja klinike (asimptomatike), në rreth 5 për qind të rasteve zbulohet rastësisht. Shenja më e shpeshtë e cila ka tendencë të jetë edhe e paqartë është gjendja monotone, lodhja, mungesa e energjisë (rreth 66 për qind e rasteve), humbja e shpejtë në peshë, dhimbjet e trupit dhe të muskujve (në rreth 70 për qind të rasteve). Gjithashtu shenja të tjera që mund të tregojnë praninë e kësaj sëmundjeje janë edhe artriti (14-38 për qind të pacientëve), enjtja e gjunjëve, tharja e syve, kolla e thatë ose shenja të ndryshme që shfaqen në lëkurë. Në raste të rralla, pacientët mund të kenë kollë me gëlbazë dhe rrema gjaku. Megjithatë, sëmundja shpesh herë bëhet e vështirë për t’u zbuluar pasi shenjat e saj mund të jenë të ngjashme me sëmundje të tjera.
Thatë pak më lart se përcaktimi i diagnozës së sëmundjes është i vështirë, pse ndodh kjo?
Ajo që e bën të vështirë diagnozën e kësaj sëmundjeje është se Sarkoidoza dhe kanceri imitojnë njëri-tjetrin duke e bërë të vështirë diferencimin. Shenjat e lëkurës janë të ndryshme dhe variojnë që nga skuqjet e thjeshta e deri te moduset (gungat e vogla), apo edhe tharje dhe deskuamim (luspëzim) të lëkurës. Në formën më të zakonshme të sëmundjes pacientët paraqesin eritema nodoze (gunga të skuqura në zona të ndryshme të trupit), dhimbje trupi dhe muskujsh, si edhe limfademopati bilaterale hilare (prekje e sistemit limfatik të mushkërisë, gjë që evidentohet me ekzaminimet radiologjike). Ky prezantim njihet edhe si sindromi “Lofgren”, i cili ka një prognozë (ecuri) relativisht të mirë.
Theksuam se dëme të shumta të sëmundjes shfaqen në mushkëri. Si ndodh dhe ç’rrjedhë ndjek trajtimi i sëmundjes në këtë rast?
Sarkoidoza e mushkërive është kryesisht një sëmundje e mushkërive sipas të cilës procesi inflamator (infeksioz) përfshin alveolat (njësitë më të vogla të bronkeve në nivel të të cilave kryhet shkëmbimi i gazeve oksigjen dhe dioksid karboni), bronket e vogla dhe enët e vogla të gjakut. Kjo formë e sarkoidozës kërkon një trajtim të gjatë dhe mjaft të kujdesshëm. Kjo sepse mund të shkojë deri në fibrozë pulmonare, gjendje në të cilën indi i shëndoshë i mushkërive zëvendësohet me ind fibrotik jofunksional. Kështu, mushkëritë zvogëlohen deri në humbjen e plotë të funksionit të tyre, që ka të bëjë me oksigjenimin e gjithë organizmit, si dhe eliminimin prej tij të dioksidit të karbonit. Ndërsa, prekja e pjesës së sipërme të aparatit të frymëmarrjes (ku përfshihet laringu, faringu, trakea dhe sinuset) mund të ndodhë në rreth 5-10 për qind të rasteve.
Si manifestohet sëmundja në lëkurë dhe sy?
Pas mushkërive lëkura është organi i dytë më i prekur. Shenjat më të shpeshta siç e thamë edhe më lart janë gungat e nënlëkurës, luspëzimi i lëkurës dhe njollat e kuqe të ngritura mbi lëkurë. Nuk përjashtohet as prekja e lëkurës së kokës, e cila mund të shoqërohet me rënie floku në formë pullash, rrallimi i tij apo edhe rënie e gjithë flokëve në rastet e rënda. Mjaft e zakonshme është edhe prekja e syve, e cila çon në infeksione të retinës, gjë që und të çojë në uljen e mprehtësisë së pamjes, por edhe deri në verbim.
Si ndikon kjo sëmundje në funksionimin e zemrës dhe sistemit nervor?
Sarkoidoza mund të prekë zemrën duke u shoqëruar me aritmi të ndryshme (çrregullimet e ritmit të zemrës) deri edhe në atak të papritur të zemrës. Në rreth 10-25 për qind të rasteve kemi prekjen e sistemit nervor në zona të ndryshme të tij. Për këtë arsye edhe shenjat klinike mund të jenë të ndryshme. Mund të kemi paraliza në pjesë të ndryshme të trupit, çrregullime të të folurit, të dëgjimit, të nuhatjes, të ecjes, ndryshime në temperaturën e trupit dhe çrregullime të humorit. Po ashtu ndryshime mund të pësojë edhe sistemi endokrin dhe ekzokrin (gjëndrat me sekrecione të brendshme dhe të jashtme).
Cila është terapia dhe ecuria e sëmundjes?
Sarkoidoza është një sëmundje që kërkon një përkujdesje të gjatë dhe të specializuar. Kontrollet e rregullta te mjeku për të gjitha shqetësimet ndikojnë që ecuria e kësaj sëmundjeje të jetë mjaft e mirë. Shumica e personave (në rreth 70 për qind të rasteve) kërkojnë vetëm mjekim simptomatik (qetësim të shenjave klinike) me preparatet e thjeshta antiinflamatore siç janë aspirina dhe ibuprofeni. Por, padyshim që edhe këto duhen marrë me këshillimin e mjekut sepse paraqesin efekte të shumta anësore. Në përgjithësi sëmundja mund të ketë një ecuri kronike me periudha acarimesh dhe përmirësimesh. Rreth gjysma e rasteve mund të shërohen me trajtime të thjeshta brenda tre deri në pesë vite, por në disa raste mund të shkojë deri në disa dekada. Personat me sarkoidozë e kanë më të lartë rrezikun për kancer, veçanërisht për kancerin e mushkërive, prandaj duhet të jenë korrekt në kontaktet me mjekun. Një ushqyerje e shumëllojshme dhe jetë e shëndetshme aktive ndihmon në rritjen e forcës imunitare të organizmit tek pacientët që e kanë identifikuar praninë e kësaj sëmundjeje.
U tha që sëmundja dëmton pjesën dërrmuese të organeve jetësore. Në cilat prej tyre duhet bërë më shumë kujdes me trajtimin që duhet ndjekur?
Mjaft kujdes duhet treguar në format me prekje të mushkërive, të cilat duhet të jenë nën kontrollin periodik dhe të përcaktuar me përpikmëri nga mjeku. Në trajtimin e sarkoidozës, në varësi të stadit të sëmundjes gjejnë vend edhe preparatet kortizonike si edhe kimioterapitë. Sigurisht që këto të fundit i përkasin rasteve të rënda dhe që kanë protokolle të posaçme mjekësore.

Ju falenderojmë për shpjegimin. Besoj se na ndihmon për të qenë më korrektë me vetveten
Ju falenderoj per shpjegimin , por une do te kerkoj ne se eshte e mundur nje shpjegim veçanerisht per sarkoidozen kardiake , sa kohe terapi dhe kush eshte perfundimi I saj, faleminderit!!
Ermira si mund te kontaktoj me ty
Flm. per shpjegimin. Amjentet e pa ajrosura, cigarja , ushqimi I keq pijet alkolike a ndikojne tek kjo lloj semundje.
Jam 53 vjeqar I diagnostikuar me sarcodiosis prej afro 9 vitesh . Jetoj ne Londer dhe nen kujdesin mjeksor ( I kënaqshëm ). Dua te theksoj se deri me tani nuk me èshte dhënë as një terapi , per përpos qe me behet testi I frymëmarrjes ( birthing test ) . Mjaku me thot se terapia eshte vetem me steroide por ne raste me te renda. Ju lutem per ndonji këshill me specifike. Ju falenderoj. Fadili .
a ka te bej kjo me smundjen e wegener granulomatous
Faleminderit shm
Pershendetje dhe une nga nje vite kame dale me sarkidoze ne mushkri dhe nje doktore ne itali nuke me ka dhene asnje terapi po une akoma nuke ndihem mire a duhet te ndjeke ndonje terapi faleminderit
quhem gyltene islami jetoj ne amerik un jam diagnostuar me sarcoidosis ne vitin 2014 qe atehere mar terapi se pari kam qen ne steroids me kan dimuar shum por shtova shum pesh u dhe me dryshuan terrapin ne methotrexate i mar 1 her ne jav kam dit shum te kqija me dhimbje dhe dit shum te mira edhe ketu ne usa dr thojn se nuk ka sherim mund te infektohen te xhith organet trupire
Pershendetje. A mund te lindin femije te shendetshem femrat e prekura me sarkoidoze grada 2. Kuruar per nje periudhe 8 mujore me kortizon. Ace doli ne parametra normal mbas kures.