I nderuar lexues! Memorandumet janë dokumente ku paraqiten pikëpamjet, kërkesat e një qeverie, organizate, shoqërie, apo të personave të veçantë për çështje të caktuara. Memorandumet shoqëruan lëvizjet kundër sundimit osman dhe u bënë më të shpeshta në fazat kulmore të luftës çlirimtare. Të tilla ishin vitet e Lidhjes së Prizrenit, fundi i shek.XIX, kryengritjet e mëdha antiosmane të viteve 1910-1912 dhe Shpallja e Pavarësisë, fundi i Luftës së Parë Botërore dhe Konferenca e Paqes etj. Në këto faza, organizma, kuvende, organe shtypi ose veprimtarë të veçantë të saj, formuluan kërkesat e lëvizjes dhe ua drejtuan Portës së Lartë në Stamboll dhe qeverive të Fuqive të Mëdha. Shumica e këtyre memorandumeve shprehnin kërkesën për autonominë territoriale administrative të Shqipërisë. Memorandumet përbëjnë një burim historik të rëndësishëm.
