Trajner i Kombëtares shqiptare, Gianni De Biasi i është përgjigjur pozitivisht kërkesës për një intervistë ndryshe për faqen zyrtare të “Tifozave Kuq e Zi”. Intervista është ndërtuar në 10 pyetje për trajnerin, përmes të cilave është bërë një rezyme e punë së strategut italian prej kohës kur ka nënshkruar me Shqipërinë e deri te objektivat e tij me këtë skuadër. Ndër të tjera në këtë intervistë, trajneri tregon nëse është penduar pse ka zgjedhur Shqipërinë, se sa është i pavarur në punën që bënë dhe një dëshirë “surprizë” për Kryeministrin shqiptar.
A është dashur shumë mund t’ju bindin për të pranuar ofertën për të marrë drejtimin e Shqipërisë?
Le të themi që ishte një eksperiencë që doja të bëja ajo e trajnerit të një kombëtareje, dhe mundësia e FSHF-së, më zuri pak në befasi. Në fillim isha pak i pasigurt se ç’duhej të bëja, por pastaj u hodha në këtë “aventurë” të re me një entuziazëm të madh.
Cilët ishin momentet kur jeni penduar që bëtë këtë zgjedhje, dhe momenti që ju bëri krenar për këtë zgjedhje?
Deri më sot nuk jam penduar kurrë për zgjedhjen time, edhe pse në verën e 2013-s kam patur një ofertë nga një klub i madh evropian… Po luftonim për Botërorin e Brazilit dhe kisha marrë përsipër një detyrë që doja ta dërgoja në përfundimin e saj natyral. Krenar ndihem kur “djemtë” japin gjithçka që kanë në fushë, pa u kursyer, e duke kushtuar lidhjet e tyre dhe tifozëve tanë. Më duhet të them që në periudhën e fundit kemi dhënë kënaqësi të mëdha me fitoren në Portugali dhe barazimet me Danimarkën e Francën, por edhe me Italinë kemi bërë një figurë mjaft të mirë si në fushë ashtu edhe në tribuna.
Tifozët shqiptarë ishin më të shumtë në numër në ndeshjen kundër patriotëve të tu në Xhenova, a u bëtë xheloz ?
Në Xhenova kemi treguar se çfarë jemi të aftë me një tifozeri fantastike, dhe ajo çfarë më ka gëzuar më shumë është këndimi i te dy himneve nga tifozeria jonë. Kemi luajtur në shtëpi. Ishte shumë bukur.
A e ëndërroni Shqipërinë në botëror dhe një stadium i mbushur me tifozë shqiptarë?
Besoj se në rast se arrijmë të kualifikohemi për në finalet e Kampionatit Europian, Shqipëria do ishte kombëtarja me më shumë tifozë në Francë.
Sa ju ndërhyjnë shqiptarët në punën tuaj?
Le të themi që në punën time nuk kam ndërhyrje, e mund të zgjedh lirshëm siç mund të bëj për të zgjedhur lojtarët që mund të jenë të vlefshëm për projektin tonë.
A dini ndonjë thirrje të “tifozave kuq e zi” që e bëjnë në stadium?
Po, tashmë besoj se kuptoj, mbase jo fjalë për fjalë, por sensin e sloganeve që ju këndoni në stadiume. “O sa mirë me qenë shqiptar! pastaj, Shqipëri Etnike!” E ajo që mbase më pëlqen më shumë është: “Xhamadani vija-vija, është Kosova është Shqipëria”.
Cila ka qenë ndeshja para të cilës nuk keni mundur të flini?
Fle gjithmonë pak në ditë të qeta, para çdo lloj ndeshjeje fle pak e rimendoj gjithçka që kemi studiuar e rishikoj atë që duhet të bëjmë të nesërmen.
Kush është urimi më i mirë që keni marrë pas një ndeshjeje?
Për mua gjëja më e bukur është të shoh skuadrën që hidhet nga këndi i tifozerisë tonë, sepse e di sa shumë përzemër e kanë të dy palët realizimin e një ëndrre.
Mesazhi yt për lojtarët dhe tifozët në prag të ndeshjeve kualifikuese?
Duhet të qëndrojmë me këmbët në tokë, të fluturosh me fantazinë mund të jetë e rrezikshme. Por nëse të gjithë bashkë (lojtarë e tifozë) do jemi të përqendruar e do duam me të gjithë forcat tona një rezultat pozitiv, në fund mund ta arrijmë. E mund të jetë fitorja e forcës së vullnetit.
Për fund, mund të na e zbuloni një dëshirë tuajen?
Ah… e di çfarë do më pëlqente??? Që miku im Kryeministër të më jepte “nënshtetësinë shqiptare”. Do isha me të vërtetë shumë krenar. Tek e fundit jam martuar me një shqiptare… Kombëtaren kuqezi, ka 3 vite e pak.

Nuk eshte martuar me femer shqiptare por me kombetaren shqiptare(thenie ne menyre alegorike). Cdo website shqiptar ben copy/paste te njejtin lajm pa marre mundimin te lexoje se cfare thuhet ne lajm.
Pse te mos i jepet shtetesia, pasi po e marrin gjithçfare kriminelash, e jo KY qe po punon me shpirt qe kombetarja jone te kualifikohet. Arritjet jane te dukshme.
Ti jepet nënshtetësia shqiptare,ditën që do të vuloset shkuarja e Shqipërisë në botëror? Ej, mos e merni aq seriozisht se nuk jam ndonjë njohës futbolli kushedi çfarë? I zakonshëm fare. Tung!
Jo i duhet dhene kur te plotesoje 10 vjet rezident ne Shqiperi
More djema, jeta eshte matematike. Ky zoteria do qe te mos paguaje taksat ne Itali dhe ti paguaje ne Shqiperi, prandaj une medoj se duhet ti jepet nenshtetesia si me pare. Kete loje kane vite qe e bejne njerez si Boris Beker, Shumacher, etj. te cilet taksat i paguajne ne Zvicer dhe jo ne vendet e tyre te orgjines.