Flamurtari është rikthyer nga Turqia ku ka qëndruar në një minifazë përgatitore për rreth 12 ditë. Vlonjatët të cilët kanë qenë shumë aktivë në merkato kanë ndryshuar pamje për pjesën e dytë të sezonit.
Sipas shefit të klubit Ardi Behari në një intervistë telefonike për “Sport News” skuadra është gati për të rifilluar sezonin me ambicie.
“Gjendja e ekipit optimale, kushtet ishin të mira në Turqi dhe ndeshjet miqësore, sidomos ndeshja e fundit tregoi gjendjen reale të ekipit. Afrimet kanë patur impakt në skuadër dhe duhet të them që janë integruar mirë. Kupa është një objektiv, por pjesa e parë na mësoi të mos vendosim objektiva. Kryesorja është që të kënaqim tifozët dhe pastaj të shohim”, tha Behari.
Gjatë janarit Flamurtari ka ndërruar fytyrë pasi janë larguar disa futbollistë dhe janë afruar të tjerë. Ekzistojnë enigmat mbi të ardhmen e skuadrës nëse në këtë sesion merkato është dobësuar apo forcuar. “Lëvizjet bëhen për tu forcuar. Ardhjet janë bërë për të mbuluar boshllëqet e krijuara nga largimet. Në merkato janë skuadrat e kreut kështu që jemi edhe ne.
Nuk mund të them nëse do të marrim ndonjë sulmues, por nëse gjejmë një më të mirë se Abilaliaj dhe Shehaj atëherë sigurisht që do ndërhyjmë, gjithmonë duke qëndruar strikt parametrave ekonomik të vendosur nga klubi”, theksoi drejtuesi i klubit vlonjat.
Në fundjavë Flamurtari pret Teutën në ndeshjen e parë të fazës së tretë. Pikërisht pas humbjes në ‘Niko Dovana’ në sfidën e fazës së dytë drejtuesit e kuqezinjve vendosën të largonin ish-trajnerin Ernest Gjoka.
