Sulmuesi portugez i Realit të Madridit, Cristiano Ronaldo siguroi për France Football se kërkon përsosmërinë në të gjitha aspektet futbollistike për të arritur nivelin maksimal në fushë. 29-vjeçari tregoi se asnjëherë nuk është i kënaqur dhe kërkon gjithmonë më tepër nga vetja.
“Nëse luaj çdo vit në të njëjtin nivel, ose mbase edhe më mirë ndodh sepse kujdesem për trupin tim. Mbaj një regjim të rregullt, si përsa i përket pushimit gjithashtu dhe ushqimit. Edhe në këto aspekte kërkoj të jem një perfeksionist. Janë këto detaje të vogla që bëjnë diferencën për një fizik më të mirë. Në këto momente kërkoj të riaftësohem plotësisht në këmbën time të majtë që vazhdon të më shkaktojë dhembje herë pas here. Gjithashtu kam nevojë të përmirësohem dhe në ekzekutimin e goditjeve të lira”, shprehet Ronaldo.
Ylli i Realit foli dhe për “Topin e Artë”. Ai vlerësoi dy rivalët e tij për këtë çmim, sulmuesin e Barcelonës Lionel Messin dhe portierin e Bayernit, Manuel Neuer duke theksuar se edhe nëse njëri prej tyre do të shpallej Lojtar i Vitit 2014 nuk do të kishte asgjë për të komentuar.
“Sinqerisht mendoj se dy kandidatët e tjerë, Messi dhe Neuer gjithashtu meritonin të fitonin ‘Topin e Artë’. Neuer ka realizuar një sezon fantastik, ndërsa Messi e filloi vitin me disa vështirësi por më pas bëri një botëror të shkëlqyer. Të tre e meritonim dhe kushdo që ta fitonte do të ishte i justifikuar, në këtë rast unë”, shtoi sulmuesi i Realit.
Në vijim për “France Football”, revista që në 1956 krijoi dhe çmimin që jepet aktualisht në bashkëpunim me Fifa-n, Cristiano foli hapur dhe për rivalitetin që ka me Messin. “Messi me shumë mundësi përbën një motivim për mua, jo vetëm ai, por gjithashtu dhe shumë lojtarë, të cilët luajnë në nivele të larta. E gjithë konkurrenca që kemi me njeri-tjetrin besoj se na shërben të dyve për t’u përmirësuar edhe më shumë. Unë gjithmonë kërkoj të jem më i miri ndaj përpiqem në çdo ndeshje të jap maksimumin”, tha ndër të tjerash ylli portugez.
Në fund të intervistës Ronaldo theksoi se çmimet individuale të fituara nga ai dhe Messi janë një e mirë për futbollin. Sipas tij çdo njeri që ndjek lojën e tyre është me fat. Cristiano këtë sezon e ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme me madrilenët, ku ka shënuar 28 gola në vetëm 17 ndeshje në kampionat.
