Shëndetësia, reforma që po nis mbrapsht

redaktor

Pse reformën nuk mund ta bëjë një njeri i vetëm. Pse drejtuesit e shëndetësisë i ka zënë fodullëku. Mungesa e një komiteti a komisioni me njerëz të përgatitur e të bindur për nevojën e ndryshimeve. Ku çalojnë lëvizjet e kryera deri më tani

 

Shërbimi shëndetësor falas dhe i barabartë për të gjithë, padyshim, është mënyra më e mirë për një vend të vogël dhe të varfër siç është Shqipëria. Ai është i mirë si për qytetarët ashtu dhe për punonjësit e shëndetësisë. Avantazhi më i madh i shërbimit falas është, që kur qytetari sëmuret, ai dhe familja kanë vetëm shqetësimin e sëmundjes, pa e vrarë mendjen për shpenzimet që do të duhen për shërimin. Këtë barë e merr përsipër shoqëria, përmes taksimit të përgjithshëm. Siç kuptohet kjo është gjë shumë e madhe për shumicën dërmuese të popullit. Kontributi financiar i më të pasurve, natyrisht, duhet të jetë më i madh dhe kjo është një gjë e drejtë. Të pasurit e kanë detyrim t’i ndihmojnë të varfërit përmes taksave më larta që paguajnë, sepse pasurinë e kanë vënë me punën e këtyre njerëzve të varfrër. Madje, ata kanë interes ta kthejnë sa më shpejt në punë puntorin e sëmurë. Kjo kështu ka qenë që nga kohët më të herëshme, aq më shumë në shoqëritë demokratike.

Thuhet se vendosja e shërbimit universal e falas, është i vështirë dhe do të realizohet në Janar të vitit 2017, pa u thënë se çfarë do të presë populli i thjeshtë dhe çfarë do të presin mjekët dhe punonjësit e tjerë të shëndetësisë. Kjo situatë bën të lindë pyetja: Pse u dashka kaq shumë kohë, kur ne e kemi eksperiencën e organizimit të këtij lloj shërbimi? Para viteve nëntëdhjetë shërbimi ynë shëndetësor ka qënë falas dhe të gjithë qytetarët kanë qenë të kënaqur me atë shërbim.   Bashkë me qytetarët, të kënaqur kanë qenë edhe punonjësit e shëndetësisë, angazhimi dhe vetmohimi i të cilëve, kompensonte shumë nga mungesat që kishte mjekësia shqiptare e kohës..

E kuptoj, ata që e shkatërruan shëndetësinë shqiptare për përfitime personale, nuk janë dakord që të rikthehet shërbimi falas dhe i barabartë, edhe pse ai është shumë më i mirë për qytetarët e thjeshtë, të cilët e mirëpresin me padurim. Ata nxjerrin plot pseudo argumenta kundër shërbimit falas, deri në kërcënimin se po na kthehet diktatura me shëndetësinë e saj “mizerabël”. Në këtë mënyrë ata mohojnë, abuzivisht, punën plot përkushtim të mijëra punonjësve të shëndetësisë, madje, edhe punën e tyre në atë kohë. Vendosja e shërbimit falas dhe të barabartë, është në përputhje me orientimin e OBSh dhe Bankës Botërore, dhe nuk nënkupton rikthimin në sistemit shëndetësor të socializmit, sepse Anglia, Suedia, Kanadaja e shumë vende të tjera që kanë shërbim universal, nuk janë vende socialiste. Sistemi shëndetësor universal shqiptar që do të vendoset, nuk duhet të jetë kopje e sistemeve të vendeve të tjera, që janë shumë herë më të pasura se Shqipëria, por ai duhet t’i përshtatet patjetër vendit tonë, kohës dhe ekonomisë ku jetojmë.

Lidhur me reformën në shëndetësi mendoj të ndaj me lexuesit disa mendime

 

Duhet një komitet për reformën.

Pa këtë, kjo reformë nuk mund të realizohet. Asnjë individ i vetëm, cilido qoftë ai, nuk është në gjëndje të kryejë një reformë kombëtare. Reformën në shëndetësi duhet ta bëjnë, kryesisht, ata që punojnë dhe e njohin mirë këtë sektor. Anëtarët e këtij komisisoni duhet të zgjidhen nga ata që janë të bindur për dobinë dhe përparësitë e reformës dhe nga ata që njerëzit u besojnë. Ky komitet do të përcaktojë modelin që do aplikohet, si dhe objektivat dhe afatet. Ai do të kujdeset që të bindë njerëzit për drejtësinë e saj. Qytetarët dhe punonjësit e shëndetësisë duhet të binden për përfitimet që do të ketë shoqëria nga vendosja e shërbimit universal dhe të barabartë në Shqipëri. Ata duhet të dinë çfarë sistemi apo miksturë sistemesh do të aplikohen në Shqipëri. Kjo është e domosdoshme, sepse sistemet shëndetësore të vendeve të përparuara, nuk janë të aplikueshme në një vend të varfër si yni. Thuhet se do aplikohet sistemi anglez. Kush e bëri këtë përzgjedhje? Pse sistemi anglez i komplikuar, pyes unë dhe jo suedezi apo costa-rikieni, që janë më të thjeshtë dhe më të përshtatshëm për ne?. Komiteti do të japë garancinë, se përpjekjet e Qeverisë së sotme për reformën në shëndetësi, nuk do t’i përmbysë Qeveria e radhës. Në qoftë se çdo Qeveri bën reformën e saj, duke anulluar të më parshmen, ne do të mbetemi në vend, siç kemi mbetur këto 25 vjet tranzicion. Reformat e mëdha, siç është dhe kjo, nuk i bëjnë dot burokratët, ato kërkojnë pjesmarrje masive dhe të menjëherëshme. Po nuk u bë kështu, tek kjo reformë askush nuk do të besojë

 

Të ndërgjegjësohen punonjësit e shëndetësisë për reformën.

Njerëzit nuk ndryshojnë e bëhen më të mirë duke i urdhëruar ose duke i detyruar të ndryshojnë. Njerëzit ndryshojnë kur me gjithë zemër e duan ndryshimin. Që njerëzit të ndryshojnë duhet pëfshirje e thellë emocionale e të gjithëve. Punonjësit e shëndetësisë duhet të kuptojnë se incentivat financiare që janë shumë në modë në kujdesin e sotëm shëndetësor, nesër nuk do të jenë kështu. Ata duhet të edukohen, që në nivel personal, të mos u besojnë shumë incentivave financiare. Punonjësit e shëndetësisë duhet të edukohen që të jenë të motivuar. Të kuptojnë se pesëmbëdhjetë vjet nga jeta, që i harxhuan për të mësuar diçka që e donin, nuk duhet të përfundojnë në një performancë profesionale të keqe. Incentiva më e mirë për punonjësit e shëndetësisë është të jenë më të mirët.

Që të realizohet reforma duhet të ketë një program ose platformë, që t’i ndezë e motivojë të gjithë punonjësit e shëndetësisë. Deri sot kjo mungon plotësisht. Reformat, kurrësesi, nuk bëhen me urdhëra. Në shëndetësi, ashtu si kudo, gjërat lëvizin përpara, më shpejt ose më ngadalë, në vartësi të mundësive dhe nga motivacioni për përmirësim. Ne mundësitë i kemi fare të vogla, sepse për shëndetësinë harxhojmë vetëm 3% të GDP. Kjo është një inkonveniencë që mund të kompensohet me motivimin e punonjësve për përmirësim. Kur për motivimin nuk flitet e nuk bëhet asgjë, atëherë, është absurde të pritet përmirësimi. Përmirësimi nuk vjen kurrë nga urdhërat e eprorëve. Përmirësimi kërkon në radhë të parë njohuri dhe inspirim, pastaj dhe mbështetje materiale. Ndryshimi është mirë të bëhet duke u dhënë njerëzve hapësirën e duhur për të parë mundësitë për ndryshim dhe jo duke i kërcënuar.

Të jemi më të thjeshtë  

Kam përshtypjen, se drejtuesit e shëndetësisë shqiptare tregohen shumë fodullë, kur kërkojnë të aplikojnë në shëndetësinë shqiptare arritjet më të fundit të vendeve më të përparuara të Botës. Ata kërkojnë të vendosin një system, që synon të miksojë sistemet shëndetësore më të mira të europës dhe Botës, gjë që është e pamundur të bëhet.

Më lejoni të shpjegohem. U harxhuan miliona dollarë për telemedicinën dhe askush, tani, pas disa vitesh, nuk ka njoftuar rezultatet që dha kjo teknologji në përmirësimin e shërbimit shëndetësor. Me sa di unë, edhe në vende shumë të përparuara ku është aplikuar kjo teknologji, siç është Kanadaja, ka mendime kontradiktore për të dhe shumë mjekë mendojnë se nuk i justifikoi shpresat. U harxhuan akoma më shumë fonde për të ngritur sallën e operacionit për transplantin e veshkave. Të gjitha ato fonde, të dhëna parakohe, nuk u vunë në shërbim të njerëzve. Për mendjemadhësi dhe për interesa egoiste të njerëzve të veçantë, apo akoma më keq për përfitime financiare të tyre, kjo qendër u ngrit para kohe, kur, le të themi, niveli i imunologjisë në vend nuk është atje ku duhet të jetë për transplante organesh. Sot, transplantimet e veshkave kryhen nga spitalet private në vend dhe kjo është një zgjidhje e dobishme dhe e mjaftueshme. Deklarohet si arritje fakti që austriakët do të instalojnë mjekësinë elektronike, që është e suksesshme në Austri dhe Slloveni, ndërsa italianët e Kostancës do bëjnë sistemin e kostimit të spitaleve. Shumë shërbime të tjera spitalore Qeveria do t’ti japë me konçesion tek privatët. Flitet se do të bëhet kartela elektronike për gjithë sistemin shëndetësor (mjeku i qendrës shëndetësore të një zone, do të shikojë në kompjuterin e tij, kartelën e të sëmurit në spitalin universitar.) Këtë unë nuk e kam parë as në Amerikë, ndonëse, jam vizituar në qindra mjekë dhe shtruar në dhjetra spitale. Mjeku im më dërgon tek specialistët me një zarf në dorë. U thirrën në një konsultë në Tiranë mjekë shqiptarë që punojnë në vendet më të zhvilluara të Botës dhe askush nuk mori vesh rezultatet e kësaj konsulte.

Si mund të reformohet mjekësia shqiptare duke u bërë një amalgamë e shumë sistemeve shëndetësore, nga më të përparuarat e botës, kur shqiptarët, si mentalitet dhe si kulturë, nuk janë as austriake, as sllovenë e as italianë e as amerikanë. Shqipëria pjesën e GDP për shëndetësinë e ka më pak se 3%, kur vendet që duan të kopjojnë e kanë Austria 11%, Sllovenia 9%, Italia 9.2%. Madje, edhe vendet rreth nesh, i japin shëndetësisë shumë më shumë se ne, Sërbia 10.4%, Bosnje Hercegovina 10.2%, Mali i Zi 9%, Greqia 9% dhe Maqedonia 6.6%. Amerika harxhon për shëndetësinë mbi 17% të GDP, më e larta në Botë.

Ajo që brengos më shumë është se punonjësit e shëndetësisë shqiptare, ata që duhet ta bëjnë këtë reformë, nuk dinë asgjë për të. Ata që unë takova dhe i pyeta për ecurinë e reformës m’u përgjigjën, “llafe kot”, “asgjë s’ka për t’u bërë”. Për ata, reforma deri tani është vetëm tendera. Tendera për çdo gjë. Tendera pa fund për barnat.Dhe ata fjalën tender e përkthenin – vjellje. .

 

Reforma duhej të fillonte nga më kryesoret  

Si pasojë e mungesës së një Komiteti Drejtues që e përmenda më lart, reforma në shëndetësi , kam përshtypjen, se ka filluar nga bishti. Depistimi i popullsisë, padyshim, është pjesë e punës së mjekësisë universale, por reforma në shëndetësi nuk duhet të fillohej nga depistimi. Depistimi, po të bëj një aforizmë, ngjan me cergën e një merimange lakmiqare. Kjo merimangë e pangopur mendoi të trashë cergën që të kapë më shumë miza. Pasi e trashi, në cergë mbetën përveç mizave edhe shumë trupëza inerte që qarkullonin në ajër dhe që nuk vlenin për ushqim. Pra depistimi, ashtu si cerga, rezulton me shumë mbi-diagnoza dhe nën-diagnoza. Mbi-diagnozat janë një peshë e madhe për shërbimin shëndetësor. Shëndetësia shqiptare nuk përballon dot të sëmurët që i paraqiten, pa le më të menaxhojë një numër kaq të madh të “sëmurësh” të stisur. Mendoni një grua që depistohet dhe diagnostikohet gabimisht për kancer të gjirit. Ky rast është një ngarkesë shumë e madhe për shëndetësinë. Do të duhen shumë vizita, konsulta, analiza, reze X, skanera e të tjera, për disa vite, që asaj t’i hiqet diagnoza e kancerit. Të gjitha këto janë shpenzime të mëdha. Mendoni tani një grua që ka kancer dhe nuk diagnostikohet nga depistimi, gjë që nuk është fort e rrallë, sepse procedura kryhet në kushte e mjete të papërshtatshme. Ajo do të vonohet shumë deri sa të kuptojë se ka kancer, tani, në stad të avancuar dhe pa shpresë. Pra, depistimi përveç se është një shpenzim i madh, bëhet edhe një barrë e madhe sociale.

Ka shumë studime që tregojnë se depistimi për kancerin e gjirit, edhe kur bëhet në klinika të specializuara, nga të njëjtët profesorë, për disa vjet rresht, ka treguar se mbi dhe nëndiagnozat janë të shumta, sa që e vënë në dyshim vlerën e tij. Ka eksperienca botërore që e vërtetojnë këtë, siç janë studimet në Malmoe në Suedi, në Kanada, në Amerikë e gjetkë. Pse nuk merret në konsideratë kjo eksperiencë Botërore? Mos vallë depistimi që do të kryhet me mjete ambulatore, në kushte të papërshtatshme dhe siç thuhet, nga një biznes jo mjekësor që ka fituar tenderin, do të jetë më efektiv?. Ky lloj depistimi jo vetëm nuk kursen, por harxhon kohë, forca dhe mjete materiale e financiare pa fund dhe pasuron padrejtësisht vetëm pak njerëz që merren me tenderat.

Flitet se do bëhen testime personeli dhe akreditime institucionesh në sistemin shëndetësor shqiptar. Dyshoj nëse tani është radha e tyre. Ka shumë punë të tjera që duhet të bëhen më parë se këto. Me çkam lexuar dhe dëgjuar, punonjësit e shëndetësisë duket se nuk janë dakord me këto dy inisiativa të ministrisë. Si mund të ndërmerren inisiativa që shkojnë kundër interesave të gjithë punonjësve të shëndetësisë? Kjo, në të vërtetë, largon vëmendjen e punonjësve nga objektivi kryesor, që është vendosja e shërbimit shëndetësor falas dhe të barabartë.

 

Në qendër të reformës të jetë puna në spitalet.

Përmirësimi i kushteve spitalore dhe gjithë infrastrukturës shëndetësore është jo pa rëndësi. Por kjo, pa përmirësimin e shërbimit në përputhje me objektivat që pretendohet të arrihen, do të jetë si makiazhi i një trupi të drobitur. Në qoftë se vërtet ka filluar të kryhet një reformë në shëndetësi, atëherë, ku janë aktorët kryesorë që do ta realizojnë këtë reformë?. Ku janë të gjithë punonjësit e shëndetësisë shqiptare?. Ku janë mendimet e profesorëve të Universitetit Mjekësor? Ku janë mendimet e mjekëve dhe punonjësve të tjerë të shëndetësisë? . Si mund të flitet për reformë, pa thënë e pa bërë asgjë për edukimin e atyre që do ta zbatojnë këtë reformë?

Suksesi i reformës varet nga njerëzit që do ta zbatojnë. Ata duhet të edukohen ndryshe, në përshtatje me reformën shëndetësore që do të kryhet. Si mund të bëhet një reformë në shëndetësi, kur punonjësit që do ta kryejnë atë, nuk dinë dhe nuk janë të bindur në domosdoshmërinë e saj? Gjithkush e kupton, se përveç “përkushtimit” të zyrtarëve të lartë të shtetit për t’u siguruar qytetarëve një jetë më të mirë, është e domosdoshme dëshira e ethëshme për garë midis institucioneve shëndetësore. Gara bëhet për të qenë spitali, poliklinika dhe reparti që ofron shërbimin universal më të mirë në vend dhe më tej.

Gara në shëndetësi është e domosdoshme. Drejtuesit e institucioneve shëndetësore, duhet të mendojnë si sportistët, të cilët digjen nga dëshira për të fituar dhe urrejnë të humbasin. Ata duhet të digjen nga dëshira që të bëjnë më të mirën për njerëzit në nevojë, që presin prej tyre.Në çdo spital, veçanërisht, në ato qendrore, duhet të eksperimentohet çdo gjë që mendohet se është e mirë për njerëzit. Ato duhet të përpiqen të marrin eksperiencën më të mirë nga e gjithë bota. Shpirti i përpjekjeve për përmirësimin e shërbimit është spitali. Spitali duhet të jetë më shumë se vetëm një vend ku shtrohen të sëmurë. Spitali duhet të jetë vendi ku punonjësit e të gjitha niveleve, profesorët, shefat, mjekët, infermierët dhe teknikët, takohen dhe reflektojnë. Ai duhet të jetë një kombinim i strehëzës, i qendrës së trajnimit, i klasës ku mësohet. Ai duhet të jetë një rezervat i mendimit mjekësor. Spitali ka për mision të bëjë edukimin dhe trajnimin e gjithë punonjësve. Ai është një vend ku diskutohet dhe debatohen ide, që lidhen me permirësimin e kujdesit shëndetësor. Mijëra mjekë, drejtues, administratorë dhe klinicistë, trajnohen në spital, lidhur me përmirësimin e cilësisë së shërbimit.

Puna në spital duhet të përqendrohet në shumë çështje: mësimi dhe inovacionet, pritja dhe akcesi i të sëmurëve për shërbimin, prevenimi i sëmundjeve, kujdesi vetiak i të sëmurëve, përmirësimet klinike, siguria e pacientëve, mjekimet dhe financat e mira. Drejtuesit e spitalit duhet të jenë të lirë të gjejë dhe të zhvillojë ide të mira dhe t’i përhapin ato nëpër gjithë sistemin. Ata duhet të jenë profesionistë të zotë dhe nuk duhet të ndryshojnë siç ndryshojnë partitë në pushtet.

Këto janë detyra të çddo spitali. Spitalet tona këto detyra i kryenin më parë dhe njerëzit ishin të kënaqur. Ato u hoqën nga rendi i ditës këto njëzet vjetët e fundit dhe njërëzit, po njësoj dhe punonjësit e shëndetësisë, nuk janë të kënaqur nga puna që bëhet sot nëpër spitale. Nuk do të merrem me ato gjëra të vogla që ngrinte në letrën e saj mbresëlënëse “Infermieria Beti”. Në një vend normal, ato probleme nuk duhet të ekzistojnë dhe të tërheqin gjithë vëmendjen e drejtuesve të shëndetësisë. Unë këtë e them me bindje dhe jo pse jam nostalgjik i punës në spitalet e para 1990. Këtë e vërtetova edhe në vizitën time të fundit në Shqipëri, në takimet me kolegët dhe punonjësit e shëndetësisë, me të cilët punova për mbi tridhjetë vjet. Në një takim që pata në spitalin e Gjirokastres, unë ndjeva sepse ata i kishte marrë malli për punën që bënin në atë kohë, kur spitali kryente dhe kishte prioritet, përveç kujdesit për të sëmurët, edhe ato detyra që rreshtova më sipër. Ata, edhe pse sot janë më të pasur, i kishte marrë malli për atë punë me kualitet që bënin në spital në ato vite. Ata ishin të pakënaqur që nuk beheshin më autopsi në spital, kur më parë nuk dilte i vdekur nga spitali pa i bërë autopsinë, detyrimisht, në prani të mjekut kurues dhe pa organizuar çdo javë konferenca anatomo-klinike shumë të kualifikuara. Mbledhjet e mjekëve ishin vëndi ku këmbeheshin mendime dhe beheshin propozime për të realizuar detyrat e spitalit. Sot, në spital shqetësohen nëse ka ose jo çarçafe, ka ose nuk ka ngrohje dhe ujë. Bëjnë apo nuk bëjnë banjo të sëmurët në spitalë, kur më parë këto të gjitha nuk ishin probleme. Spitalet, sot, kanë humbur dinjitetin. Nuk janë më vendi ku njerëzit hynin të ndrojtur për të mos shqetësuar të sëmurët dhe personelin Tani, në spital njerëzit hyjnë e dalin si në rrugë dhe bëjnë çdo gjë që bëjnë në rrugët e pista. Spitalet kanë humbur sigurinë për të sëmurët e tyre, ndaj ndodhin gjëra të paimagjinueshme, siç ishte përdhunimi seksual i një adoleshenteje kohët e fundit. Është imperative kthimi i spitaleve në vende të sigurta për të sëmurët. Kjo duhet të jetë një nga detyrat e para të reformës në shëndetësi.

 

Livelimi i hierarkisë

Duhet besim dhe jo arrogancë. Përpjekjet për përmirësimin kualitativ të punës në shëndetësi arrihen kur i thua vetes: Ne nuk jemi më të mirët. Ne nuk jemi aq të mirë sa duam që të jemi. Ne kemi nevojë të përmirësohemi dhe ne duam ndihmë që ta arrijmë këtë, madje, ndonjëherë do të thuash se për disa probleme nuk kemi përgjigje. Ndodh krejt ndryshe me drejtuesit aktualë të mjekësisë shqiptare. Ata mendojnë se dinë gjithçka dhe nuk bëjnë përpjekje për të mësuar lidhur me kualitetin e punës në shërbimin shëndetësor. Sugjerimet që u bëjnë të tjerët i ofendojnë këto këmisha të mbushura. U fyejnë sensin e tyre të grandiozitetit lidhur me veten dhe institucionet që drejtojnë. Kjo është një korre e thekur arrogance, që tek ne ndeshet shpesh.

Unë e di, që jo të gjithë drejtuesit e shëndetësisë shqiptare digjen nga dëshira për përmirësime kualitative. Shumë prej tyre përgjegjësinë e drejtimit e kanë orientuar nga paraja dhe kujdesin shëndetësor e shikojnë si një biznes. Ka drejtues që kurrë nuk kënaqen nga puna e vartësve. Këta lloj drejtuesit gjithnjë thonë bëni si them unë, bëni më shumë, punoni më fort. Por kjo formë drejtimi nuk është e sukseshme. Kush dëshiron të punojë në një system, ku drejtuesi nuk është kurrë i kënaqur!? Në shëndetësi kërkohet livelim i hierarkisë. Me këtë duhet të kuptojmë një drejtim kulturor që përfaqëson vlerat e gjithë punonjësve, pavarësisht, pozicionit që ata zënë në sistem. Kjo është e domosdoshme për drejtimin në shëndetësi. Për ta ilustruar këtë që sapo thashë, po sjell një shembull kuptimplotë. Disa vite më parë një ekip i kompanisë më të madhe amerikane të sigurimeve, Kaiser Permanente, shkoi të vizitonte Suedinë. Përfaqësuesit më të lartë të shquar të Kaiser Permanente u shokuan nga ndryshimet e shquara kulturore që ata kishin me suedezët, lidhur me barazinë midis anëtarëve të ekipit. “Ne shkuam në një mbledhje në spital dhe ne nuk mund të thoshim kush ishte doktori dhe kush ishte infermierja, kush ishte tekniku dhe kush ishte asistenti mjekësor. Në botën e shërbimit shëndetësor, kjo është, vërtet, një gjë e rrallë”, kujton shefi i ekipit të Kajser Permanente.

U përpoqa të them ato që mendoj e ndjej për suksesin e reformës në shëndetësi, me shpresën se do ndihmoj që ajo të implementohet sa më shpejt e sa më mirë; në mos qofte kështu, u kërkoj ndjesë për kohën që u morra.

*New York, Janar 18, 2015

 

Share This Article
2 Comments
  • Une mendoj qe testimi eshte me v end . Ka shume mjek e inf qe kan hyre ne pune e po dalin ne pension ne te njenjtin vend pune. Une jam inf prej me shume 30 vjet pune si fillim ne spital e tani ne sherbimin paresor ku ndihet ndryshimi dhe aftesia e cdo kujt.Jasht cdo 5 vjet personeli qarkullon nga nje repart ne tjetrin ne spital e kjo rrit aftesimin e ben me te dashur profesionin. Por dhe ne ambulancat qarkullimi eshte i domosdeshem .

  • Une mendoj qe testishte me v end . Ka shume mjek e inf qe kan hyre ne pune e po dalin ne pension ne te njenjtin vend pune. Une jam inf prej me shume 30 vjet pune si fillim ne spital e tani ne sherbimin paresor ku ndihet ndryshimi dhe aftesia e cdo kujt.Jasht cdo 5 vjet personeli qarkullon nga nje repart ne tjetrin ne spital e kjo rrit aftesimin e ben me te dashur profesionin. Por dhe ne ambulancat qarkullimi eshte i domosdeshem .

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *