Mediat kanë bërë publike disa detaje të dhëna rreth një grupi tritolvënësish, arrestuar ditë më parë në Durrës. Sipas bisedave të përgjuara, ka dalë në pah që ata, jo vetëm i përgatisnin minat e telekomanduara me tritol e celularë, por dhe i realizonin vetë atë, sipas kërkesave dhe porosive.
Kjo të çon t`i imagjinosh ata si një kompani e specializuar për të tilla shërbime, me sekretari, holl e departamente. E kur futej klienti aty, i jepej një listë shërbimesh me tarifa përkatëse, ku në krye theksohej se shërbimi që ofrohej aty ishte i kompletuar me të gjitha fazat.
Ndërsa më poshtë, ishin detajimet përkatëse si: Shpërthim me marrje jete – vlera…; me plagosje ose sakatim – vlera…; me frikësim – vlera…Më pas renditeshin objektivat: banesë, automjet, institucione, lokale, shtylla tensioni, ku çmimi varion sipas rëndësisë së objektivit dhe vështirësisë së aksionit.
Nga fundi i listës, shkruhej se klienti mund ta përcaktonte vetë se në ç`kohë e dëshironte ta merrte lajmin: në edicionet e mëngjesit, të drekës e pasdites apo aty nga mbrëmja. Sa për pagesën, thuhej se fillimisht derdhej 30 përqind e shumës, e më pas, pas daljes së lajmit në media, bëhej dhe derdhja e 70 përqindëshit.
Po të ndodhte që synimi final i atentatit të mos arrihej – fjala vjen, shënjestra mbetej gjallë, ndërkohë që i duhej marrë jeta, 70 përqindshi i shumës nuk paguhej, por mbetej vetëm 30 përqindëshi. Lista mbyllej me slloganin: “Hakmarrja juaj, detyrimi ynë!”/E.H

Monstra!!!
te dy palet:kush e ben dhe kush porosit….vrasjet si ekonomi tregu!!
Ku jetojme??