Minatorët e gjigantit metalurgjik “Trepça” janë përsëri në një grevë urie, futur thellë në zgafellat e galerive dhe nuk është e rëndësishme nëse ajo do të zgjasë edhe disa ditë, apo do të përfundojë së shpejti. Më e rëndësishme se kjo është një paralele, e cila ka filluar në vitin 1989 dhe po vazhdon edhe tani.
Në vitin 1989, për herë të parë, njerëzit mësuan se minatorët e minierave të zinkut e të plumbit, thellë në galeritë e minierave, ishin futur në grevë urie. Pamjet që u përcollën në të gjithë median e kohës ishin tronditëse, aq më tepër për ne, shqiptarët e Shqipërisë londineze, pasi për herë të parë shikonim bashkëatdhetarët tanë në një hop fisnik, që tashmë nuk ishte tabu e mediave botërore. Ishte momenti kur regjimi serb planifikonte të hiqte edhe atë pak autonomi për Kosovën, të merrte pas vendimet e vitit 1974 dhe, si edhe më parë, Kosova të ishte thjesht një provincë serbe.
Për pak ditë, nën drejtimin e Lëvizjes Popullore të Kosovës, ku spikatën liderët e saj, Afrim Zhitia dhe Fahri Fasliu, të cilët u vranë me 2 nëntor të atij viti, në të gjithë zonat u organizuan protesta të mëdha, shumë nga të cilat kaluan në përleshje me ushtrinë dhe policinë serbe. Jo vetëm në Prishtinë, ku demonstratat tashmë nuk ishin si në vitin 1981, pronë e studentëve, por në të gjithë qytetet e mëdha do të kishte një valë revolte të padëgjuar më parë, e cila do të kishte jehonën e saj edhe tek minatorët. Filloi po ashtu edhe një marshim i pamatë i njerëzve, fillimisht drejt Prishtinës e më pas drejt Mitrovicës, si shenjë e parë e përcaktimit të vetëvendosjes. Ditët, netët e javët e minatorëve të ngujuar në zgafellat e thella të minierave kalonin njeri pas tjetrit, fytyrat e tyre hiqeshin gjithnjë e më shumë, vuajtja kishte zënë vend tashmë në tiparet e tyre dhe, pikërisht atëherë kur mendohej se kjo grevë nuk do të kishte atë që pritej, minatorët bënë edhe një kërkesë të re: largimin nga detyra e shefit të qeverisë së Kosovës, të Rrahman Morinës, i cili, nga shefi i UDB-së, një mëngjes e gjeti vendin në zyrën e kryeministrit. Ideja për të mos u kthyer pas, drejt provincës, për të ruajtur autonominë, ishte vlimi i ditës dhe kur u duk se gota e revoltës tashmë po përmbyste gjithçka, Rrahman Morina deklaroi se po largohej nga posti i shefit të qeverisë. Minatorët thirrën “urime”, dolën, por sapo ata rrokën dritën e ajrin, Rrahman Morina u kthye në detyrën e tij. Autonomia u hoq. Pas saj e kishte fjalën lufta.
Tashmë minatorët janë përsëri në një grevë urie. Për më tepër se e djeshmja e tyre, tani ata duan që miniera, e lakmuar aq shumë nga politika dhe ekonomia serbe, të jetë pronë publike e shtetit të Kosovës. Pra të jetë aty dora e shtetit. Përmes kësaj të shfaqet pushteti i qeverisë së Kosovës. Sepse, megjithëse ndodhet në tokën e Kosovës, e njohur botërisht si kombinati i Kosovës, ky gjigant nuk është pjesë e qeverisjes së shtetit. Gjiganti i Kosovës është ende nën moratoriumin e vendosur nga dhoma e posaçme e Gjykatës Supreme të Kosovës, ndërsa Agjencia Kosovare e privatizimit është administrator i tij. Pra, një mish-mash, edhe është, edhe nuk është e Kosovës; edhe i përket shtetit e qeverisë së Kosovës, edhe ata nuk kanë asnjë legjitimitet ndaj tij. Ndaj edhe orekset serbe janë rritur ndjeshëm. Dhe këtë oreks e rrit edhe vendimi i Qeverisë së tashme, e cila e hoqi nga rendi i ditës së Seancës parlamentare pikërisht vendimin për shtetëzimin e bërjen ndërmarrje publike të saj.
Trepça ka qenë njëra ndër lakmitë më të mëdha serbe, por jo vetëm e tyre, edhe e investitorëve të huaj, sidomos francezë. Ndoshta pikërisht ky gjigant ishte shkaku i vërtetë përse trupat desante franceze, më parë se të shkelnin kudo tjetër, u ulën drejt e në Mitrovicë dhe e ndanë qytetin në dy gjysma. Në qershorin e vitit 1999, kur përcaktohej e ardhmja e Kosovës, do të ndodhnin dy desantime: rusët do të uleshin krejt papritur në aeroportin e Prishtinës, duke ngjallur entuziazmin e serbëve që kishin gjakosur duart përmes krimeve të padëgjuara; dhe, pak më tej, në veri, francezët, të cilët krijuan edhe barrikadat e para mbi urën e Ibrit. Rusët u detyruan të largohen, pas kërcënimit serioz të shefit të NATO-s Uesli Klark, ndërsa francezët mbetën. Më shumë se malli për tokën veriore të Kosovës, ata kishin parë nëntokën e saj, Trepçen e florinjtë.
Në vitin 1989 minatorët kishin përballë një qeveri që i përbuzte ata. Njëri nga pinjollët e kësaj qeverie, ministër i financave ishte Isa Mustafa. Sot ata kanë përballë një qeveri që drejtohet pikërisht nga ish ministri i asaj kohe, tani kryeministër. Atëherë ata shpallën vendimin e tyre për të mbrojtur autonominë e Kosovës. Sot ata kanë shpallur vendimin për të ruajtur pavarësinë e Kosovës.
Për fat të keq, në të dyja rastet, kanë përballë tyre të njëjtët.

Shumë domethënës ky artikull për Trepçen. Ka mbetur në të gjitha kohët në dorën e tradhëtisë dhe të tradhëtarëve. Madje ajo ka ndihmuar në identifikimin e fytyrës së tyre të vërtetë. Do të ndihmojë edhe kësaj radhe në këtë identifikim dhe, pikërisht në qeverinë e Kosovës! Jo identifikim por riidentifikim. Nderime Bedri !