Glaukoma, ose siç njihet në gjuhën e përditshme tensioni i syrit, nëse nuk merr trajtimin e duhur në kohë, shoqërohet me pasoja të rënda që shkojnë deri në verbim. Ekspertët e shëndetit publik theksojnë se dëmtimet e shumta që vijnë nga kjo sëmundje mund të parandalohen, nëse tregohet kujdes me ndjekjen e vizitave të rregullta tek mjeku, pa neglizhuar terapinë trajtuese sipas përshkrimit të dhënë nga mjeku specialist.
Tensioni i syrit konsiderohet si një sëmundje me përhapje të shpeshtë, që shkakton dëmtimin e nervit optik, teksa në pjesën dërrmuese të rasteve shoqërohet me rritjen e presionit të brendshëm të syrit, si dhe ngushtimin e dëmtimin e pamjes qendrore. Sipas mjekëve, tek personat që janë të prekur nga kjo sëmundje, tensioni i brendshëm i syrit ndryshon vazhdimisht me kalimin e orëve. Ky ndryshim i tensionit nxitet nga disa faktorë , si ndryshueshmëria e rrahjeve të zemrës, mbajtja e pozicionit të trupit, si dhe nga sasia e lëngjeve që konsumohen. Ndryshime të tilla njihen si natyrore dhe nuk çojnë drejt dëmtimit të syrit.
“Tensioni i lartë i syrit në vetvete nuk është provë se keni glaukomë, pasi tensioni ‘normal’ i syrit ndryshon në varësi të personit. Megjithatë, tensioni i lartë intraokular është një nga shenjat e glaukomës”, theksojnë mjekët. Lidhur me shkaktarët që ndikojnë në shfaqjen e glaukomës, specialistët e QSUT-së thonë se sëmundja shfaqet më shpesh tek personat që kanë histori familjare me këtë sëmundje. Nga ana tjetër edhe diabeti është shkaktar i problemeve me shikimin.
Gjithashtu edhe përdorimi për një kohë të gjatë i kortizonikëve, dëmtimet e ndodhura më parë në sy, si dhe miopia, janë faktorë që nxisin shfaqjen e glaukomës. Më të rrezikuar për t’u prekur nga kjo sëmundje janë personat mbi 45 vjeç, ku edhe prania e faktorëve të riskut është më e shpeshtë. Ekzistojnë tipe të ndryshme glaukomash, e në varësi të tyre identifikohen edhe simptomat dalluese.
“Glaukoma primare me kënd të hapur është neuropati optike kronike që prek të rriturit, tek të cilët presioni i brendshëm i syrit, si dhe faktorë të tjerë të panjohur kontribuojnë për të dëmtuar nervin optik. Në këtë formë të glaukomës, humbja e shikimit ndodh gradualisht dhe rrallë herë vërehet. Ndërsa dëmtimi përparon ju mund të zbuloni se keni humbur zona të konsiderueshme të pamjes tuaj periferike dhe më tej të asaj qendrore.
Nëse glaukoma nuk trajtohet ajo mund të sjellë humbjen e shikimit. Ndryshe nga forma kronike, glaukoma akute përfshin një rritje të menjëhershme të tensionit të syrit, simptomat ndodhin papritmas dhe mund të përfshijnë dhimbje të forta në sy dhe skuqje, shikim të mjegullt, dhimbje koke dhe të vjella e dobësi ekstreme”, sqarojnë specialistët e QSUT-së. Sipas tyre, ekziston edhe një kategori tjetër, konkretisht glaukoma dytësore, shkaktare të së cilës janë sëmundje të caktuara si tumoret, apo dëmtime të ndryshme që mund të kenë prekur syrin.
Ndonëse të pakta në numër, ekzistojnë edhe raste kur glaukoma mund të jetë e lindur. Për të vendosur diagnozën e saktë të kësaj sëmundjeje, mjekët fillimisht vlerësojnë situatën nëse bëhet fjalë për humbje të shikimit. Për këtë tabelën përkatëse, e cila mundëson vlerësimin e fushëpamjes, po ashtu me anë të një lenteje të veçantë kontrollohet edhe këndi i syrit.
Pas hedhjes së disa pikave në sy për zgjerimin e pupilës, mjeku do të shohë brenda syve për shenja të dëmtimit të nervit optik. Në varësi të rezultateve të ekzaminimeve përcaktohet edhe trajtimi që duhet të ndjekë pacienti. Kundrejt parandalimit, thuhet se mund të ndiqen trajtime të suksesshme, në mënyrë që të shmanget verbëria e shkaktuar nga glaukoma.
Duke qenë se humbja graduale e pamjes në glaukomën kronike nuk mund të vërehet deri sa dëmi të jetë i madh dhe të jetë vonë, këshillohen vizita të rregullta tek okulisti, tonometria, vlerësimi i dilatacionit të nervit optik dhe kontrolli i fushëpamjes janë të rëndësishme veçanërisht për personat me faktorë të lartë risku.
Rreziku tek të moshuarit
Një nga çrregullimet më të shpeshta të lidhura me shikimin tek personat e moshës së tretë është katarakti, një gjendje që mund të korrigjohet me kirurgji. Një tjetër problem që mund të kontrollohet po të kapet në kohë është edhe glaukoma. Kështu për sytë është mirë të bëhen kontrolle periodike për të përshtatur syzet sipas ndryshimeve në aftësinë e të parit.
Gjithashtu, kontrolli i presionit të syrit në mënyrë periodike (çdo vit) është shumë i rëndësishëm për të parë ndryshimet e hershme prej glaukomës. Glaukoma është një sëmundje e ngadalshme, progresive, e shkaktuar si pasojë e rritjes së presionit të brendshëm të syrit. Nëse nuk kapet dhe mjekohet në kohë mund të shpjerë në verbëri. Nëse dikush vuan nga diabeti apo hipertensioni është akoma më e rëndësishme të bëhen kontrolle të shpeshta të syrit, pasi këto sëmundje mund të shkaktojnë dëmtime të retinës (pjesës së pasme të syrit, ku pasqyrohet pamja e objekteve).

Kam 4 deri 5 muaj qe vuaj nga syte.Me mbuashen me sklepa.Lotojne.Perdor Timolol dhe Xiloidal.jane bere vizita ne spitalin gjerman dhe ne ate amerikan.Kontrollin ma kane lene pas 6 muajsh d.m.th. ne nentor2015.Ka dite qe jam shume mire por ka dite qe syte vishen me sklepa dhe eshte veshtire shikimi.Dua te di kam shprese per permiresim apo lodhem kot.Me respekt Eqerem Ismaili –Vlore.
Pershendetje kam.problem.me me sy.shum.em.dhamin dhe kryt amund.tme. tregoni qka.muj mebo.me.ndalu ket dhimje ka.1.jav qe jam kshty
Pershendetje kam mama me kete lloj simtome esht 56 vjece ka patur pulsim syri dhe dhimbje,tani pjesa e poshtme e syrit te majte ( e bardha ) I esht skuqur