Mesditën e djeshme në ambientet e Akademisë së Shkencave u fol për një zonë arkeologjike të cilës po i rrezikohet ekzistenca.
“Qytetërimi arbëror i Komanit rrezikon sot të zhduket. Vendbanimi që i dha emrin një kulture të tërë mesjetare të Ballkanit Perëndimor, do të përshkohet nga linjat e interkonjeksionit, që do të kalojë përgjatë luginës së Drinit. Katër shtylla (AP17-AP20) do të vendosen thellë luginës në Koman, poshtë, në mes e paralel me kodrën e sajtit arkeologjik.
Vendimi i marrë në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë, i datës 12.12.2014, me nr. 367, nuk mori absolutisht parasysh kërkesën e Misionit arkeologjik drejtuar këtij Këshilli, për zhvendosjen e një segmenti prej katër shtyllash”.
Me këtë apel Forumi për Trashëgiminë Historike e Kulturore ka dalë dje në një konferencë për shtyp duke i kërkuar Ministrisë së Kulturës që të rishikojë vendimin e marrë nga Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë.
Ky forum, ngre shqetësimin se në këtë mbledhje nuk kanë marrë pjesë anëtarët arkeologë më në zë të këtij institucioni, duke mos u dhënë argumentet e duhura, historike e kulturore për mbrojtjen e këtij vendbanimi të lashtë.
“Komani përfaqëson sot Mesjetën shqiptare në Europë. Është prezantuar në shumë vende, qendra studimore, universitete dhe jehona më e fundit dhe e rëndësishmja, iu bë në Akademinë Franceze të Letrave, në janar 2013.
Vitaliteti arkeologjik me të cilin përfaqësohet Shqipëria e Veriut, në modelin europian të formimit të shoqërive mesjetare, përbën një hallkë lidhëse të larmishme midis Perëndimit dhe Lindjes. Forumi për Trashëgiminë Historike dhe Kulturore sheh me shqetësim faktin se nëse zbatohet vendimi i marrë nga KKA, për vendosjen e segmentit prej katër shtyllash të linjës së tensionit të lartë mbi zonën B të vendbanimit, e gjithë kjo pasuri do të shkatërrohet në mënyrë të pakthyeshme.
Kjo do të përbënte një skandal pa precedent në trashëgiminë kulturore kombëtare. Komani i ka kapërcyer përmasat kombëtare që në shekullin e XIX. Komani i përket Europës dhe të ndihemi fatlumë që e kemi”, u tha në deklaratë.
Më pas ne shkëputëm për një bisedë njërin prej anëtarëve të Forumit për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, arkitektin Arben Biçoku, i cili na tregoi më konkretisht se çfarë ndodh në Koman nëse kryhet kjo ndërhyrje.
Zoti Biçoku, keni pasur një reagim ditën e djeshme për rrezikun e dëmtimit së Komanit, çfarë po ndodh konkretisht?
Linja e interkonjeksionit 400 kV që është miratuar të kalojë në zonën arkeologjike të Komanit patjetër është dëmtim, dëmtim në shumë plane. Nëse themi termin “zonë e mbrojtur” (zonë e mbrojtur B kam dëgjuar ta cilësojnë punonjësit e Ministrisë së Kulturës), nga se po e mbrojmë? Çfarë ndërhyrje me impakt më të madh mund të bëhet atje? Shtyllat do jenë nga 50 m të larta, fusha elektromagnetike është më e larta e mundshmja. Ne pikërisht këtë kërkojmë, që zona të mbrohet; të mbrohet nga ky ndërtim që mbi atë sit ka impakt negativ.
Pse është zgjedhur kalimi i kësaj linje energjetike në këtë zonë dhe jo në një rrugë tjetër?
Këtë unë realisht nuk e di. Sipas argumenteve të Ministres së Kulturës, kjo është bërë për arsye ekonomike, pasi ka kosto më të ulët. Ne ngulim këmbë që Ministria e Kulturës duhet të qëndrojë më fort në argumentet që e mbrojnë zonën dhe jo në ato që e shkatërrojnë.

Çfarë dëmi i shkakton kjo linjë Komanit dhe cili arkeolog është pyetur për të marrë këtë vendim?
Dëmi më së pari, është që nesër atë nuk mund të pretendosh ta kthesh në një park arkeologjiko-mjedisor të vizitueshëm dhe me një fluks turistik të caktuar. Impakti viziv që kanë shtyllat është shumë shqetësues, janë të larta sa Hotel Tirana, 50 m. Fusha elektromagnetike e linjës ka impakt të padiskutueshëm mbi biodiversitetin. Kjo fushë gjithashtu pengon kryerjen e studimeve të mëtejshme arkeologjike, përmes metodave moderne me gjeoradar, me dron, etj. Gjithsesi unë pa qenë specialist i fushës për të zbërthyer impaktin konkret negativ, shoh që tërë arkeologët që kanë marrë pjesë në studimet dhe zbulimet e Komanit e kundërshtojnë me forcë.
Nëse mendimi juaj dhe kundërshtimi që keni për këtë çështje nuk merret parasysh, çfarë do të bëni? Keni një hap të dytë që do ta ndiqni?
Ne jemi pjesë e shoqërisë civile dhe forca jonë është fjala dhe argumenti. Edhe në këtë rast fjalën po përdorim. Por pasi fjalën e thamë të moderuar dhe pamë qëndrim refraktar të Ministrisë së Kulturës, vendosëm më së fundi t’i drejtohemi opinionit publik me ndihmën e medias. Besoj është tepër e qartë që askush prej nesh nuk ka qëllime dhe interesa personale, ne jemi duke folur këtu për një interes të fuqishëm publik. Dhe mendojmë që jemi në kohë dhe ka mundësi që kjo gjë të korrigjohet duke bërë devijim të linjës në atë zonë. Ne nuk jemi kundër linjës, ne nuk duam që linja të kalojë mbi zonën arkeologjike.
Çfarë përfaqëson Kultura e Komanit në historinë e trashëgimisë shqiptare?
Kultura e Komanit tregon me gjetjet konkrete, dëshmi materiale të jetës arbërore. Në mungesë të burimeve të shkruara, këto gjetje materiale janë tepër të rëndësishme. Këto tregojnë vazhdimësinë e jetës, kalimin nga ilirët tek arbërit e shqiptarët; tregojnë një vijimësi të veshjeve, orendive, zbukurimores, traditës së të ndërtuarit. Ato tregojnë një nivel të zhvilluar të jetës ekonomike. Tregojnë dhe një jetë shpirtërore, pasi dendësia e kishave atje është tepër e madhe për kohën.
Duhet të dini që ka teza arkeologësh, apo historianësh të huaj që thonë se nuk ka dëshmi të mjaftueshme për vijimësinë nga ilirët tek shqiptarët. Pikërisht kultura e Komanit (e cila përfaqësohet me shumë site, por më domethënësi është pikërisht Komani) vërteton të kundërtën. Prandaj ky sit ka një rëndësi të dorës së parë për t’u ruajtur i padëmtuar, për t’u studiuar, për t’u bërë sa më i vizitueshëm.
Në daljet e fundit të forumit ku ju jeni pjesë, kemi vënë re shumë figura që kanë qenë anëtarë nuk janë më pjesë e panelit (Artan Shkreli, Auron Tare, Artan Lame…) vjen kjo se ka përçarje mes jush, apo postet që ata tashmë mbajnë i detyrojnë të mos shfaqen më publikisht?
Unë nuk kam vënë re këtë gjë që ju theksoni. Mund të konfirmoj që emrat që ju përmendni janë nga njerëzit me kontribut të shquar në Forum, e mbeten pjesë e rëndësishme e tij. Por në momentin që ata kanë marrë detyra publike administrative, ka qenë zgjedhje e tyre, si dhe preferencë e jona, që peshën e debatit publik në Forum ta mbajnë figura të tjera. Dhe siç mund ta konstatoni, Forumit nuk i mungojnë njerëzit e shquar dashamirës të trashëgimisë. Theksoj që ajo që ne na bashkon atje është dashuria për këtë vend, dhe besimi se ky vend mund të bëhet. Por ne vijojmë të mbetemi të vendosur që abuzivizmit me kulturën dhe trashëgiminë tonë t’i themi ndal.
***

REAGIMI/Ministria e Kulturës sqaron vendimin për kalimin e linjës së Interkonjeksionit në Koman
Ministria e Kulturës ka reaguar pas alarmit të Forumit të Trashëgimisë Kulturore, se qyteti arbëror i Komanit rrezikon të shkatërrohet nga ndërtimi i linjës së Interkonjeksionit me Kosovën. “Opinioni i ekipit të arkeologëve kërkues, u lexua dhe u mor në konsideratë nga Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë pa u vënë fare në dyshim, ndonëse mungonin drejtuesit e projektit dhe nuk deleguan përfaqësues të tjerë nga ekipi i tyre. Vetë KKA përbëhet po aq nga ekspertë të njohur të arkeologjisë dhe nga përgjegjës të institucioneve të përgjegjshëm për çdo vendim që merret. Zonifikimi i propozuar prej misionit të arkeologëve, – ndonëse nuk ka marrë ende formë ligjore, u konsiderua i mirëqenë, pasi aktualisht zona e mbrojtur me ligj, që në vitin 1963, është vetëm Kalaja e Dalmacës dhe nekropoli – tregon se cila është zona që nuk duhet prekur dhe cila është ajo që me përkufizim, lejon ndërhyrje. Ky kufizim u respektua plotësisht dhe në përputhje me ligjin për trashëgiminë. Nëse misioni i arkeologëve që e kuptojnë shumë mirë se ç’domethënë zonë A dhe zonë B, do ta kishin konsideruar të palejueshme ndërhyrjen në hapësirën ku kalojnë shtyllat, do e kishin shtrirë Zonën A më tej dhe KKA do të kishte gjykuar e vendosur, në përputhje me propozimin e tyre. Përderisa ka ligje, rregulla, përkufizime, kjo do të thotë se duhet të respektohen në vendimmarrje. Kjo është metodologjia që të gjithë specialistët e fushës e dinë shumë mirë. Institucionet shtetërore nuk mund të vendosin sipas opinioneve që ndryshojnë në lirinë e tyre të respektuar gjithsesi, por në bazë të kufijve dhe hapësirave që u njeh ligji. Mundësia e një zhvendosjeje edhe nga Zona B, ndonëse e pajustifikuar ligjërisht, u ngrit e u diskutua gjatë në KKA me përfaqësuesit e OST. Ata shpjeguan se:
– po aty kalon edhe linja ekzistuese e tensionit të lartë Koman-Elbasan, prej të cilës duhen ruajtur nga shtylla në shtyllë distancat e sigurisë e të rrezikut që janë të përcaktuara dhe nuk mund të ndryshohen.
– duke qenë se në atë terren është tashmë e hapur traseja për linjën ekzistuese, do të shfrytëzohet po kjo trase për linjën e interkonjeksionit Shqipëri-Kosovë. Ky faktor paraqet interes edhe nga pikëpamja e ruajtjes së trashëgimisë, sepse hapja e një traseje të re do të thotë gërmime të reja në terren, çka shmanget në rastin konkret.
– relievi është i tillë që zhvendosjet e linjës bëhen të pamundura në distanca të pranueshme dhe kërkon rishikim total të projektit me rëndësi mbarëkombëtare dhe rajonale, që sjell dy pasoja të mëdha: një kosto shtesë prej qindra mijëra euro nga buxheti i shtetit; dhe vënie në rrezik të marrëdhënieve kontraktuale me qeverinë gjermane që është financuese e këtij projekti me rëndësi strategjike dhe me kosto shumë milionë euro.
GJITHSESI: Ju sigurojmë se këto arsye të fundit nuk do ta ndalonin KKA të kërkonte zhvendosje të linjës nëse do të prekej zona A e kërkimeve – e caktuar si e tillë jo nga MK por nga ekipi arkeologëve – ku dhe ka të dhëna të sigurta për gjurmë të qytetërimeve të trashëguara.
– DHE, me kujdesin dhe vëmendjen maksimale për të ruajtur edhe zonën B, KKA ka kërkuar të kryhen sondazhe në bashkëpunim me misionin e arkeologëve, në vendet ku do të hapen gropat për shtyllat që kalojnë në zonën B, duke i ruajtur kështu të drejtën vetes të marrë një vendim të dytë nëse e sheh të nevojshme. Për këtë kemi bashkëpunim edhe me OST”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Kulturës.

Për Ministrin e Kulturës,
Për rëndësinë e vendbanimit të lashtë të Komanit, besoi se të gjithë ne Shqiptarët pa diskutim pajtohemi, Komani pa dyshim përfaqëson sot mesjetën shqiptare në botë.
Nga informatat të cilat i posedoi si dhe nga REAGIMI/sqarimi i juaj për vendimin për kalimin e linjës së Interkonjeksionit 400 kw nëpër Koman,ashtu nga distanca i kamë disa pyetje,dilema për të cilat do të ishte mirë të na përgjigjeni :
1. Si është e mundur që Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë (KKA) me 12.12.2014 të merr vendim pa pjesëmarrjen apo konsultimin e drejtuesve të projektit të cilët me vite kanë punuar në Koman. Nëse do të ishte vepruar kështu, atëherë të gjitha dilemat profesionale do të ishin sqaruar që në fillim, në procesin e marrjes së vendimit nr. 367, që tani po kontestohet nga arkeologët të cilët me argumente profesionale po e dokumentojnë se përse janë kundër ati vendimi, sipas tyre të gabuar.
2. Jam institucionalist i përbetuar, tërë jetën time profesionale kam kërkuar që të respektohen dhe zbatohen ligjet, por tërë kohën me këmbëngulje të thirreni në Ligjin e trashëgimisë, pa i marr në konsideratë argumentet relevante dhe bindëse, që në rastin konkret të Komanit po i japin anëtarët e Forumit për Trashëgiminë Historike e Kulturore, nuk është në rregull. Ligjet duhet të bëhen për të pasur rregull dhe disiplinë por nuk do të thotë të jenë të pa ndryshueshme, ato kohë pas kohe duhet plotësuar, edhe ndryshuar nëse është nevoja.
Theksoni se “Mundësia e një zhvendosjeje edhe nga Zona B, ndonëse e pajustifikuar ligjërisht, u ngrit e u diskutua gjatë në KKA me përfaqësuesit e OST”, e nuk e keni pa të arsyeshme që në vendimmarrje të jenë edhe ata që direkt kanë punuar në terrenin e Komanit me vite të tëra.
3. Kur e keni caktuar trasenë e linjës së re të interkonjekcionit Kosovë-Shqipëri, jeni bazuar në linjën ekzistuese të tensionit të lartë Koman-Elbasan, vetëm duke u bazuar në arsyshmeritë ekonomike, a është në rregull kjo ? Të gjithë ne duhet të marrim në konsideratë koston e projektit, por a mundet të krahasohet kjo me Komanin i cili i ka tejkaluar përmasat kombëtare, po e përsëris një thënie të forumit se“Komani i përket Evropës dhe të ndihemi fatlumë që e kemi”,
4. Duheni pasur në dijeni se tani jemi duke jetuar dhe vepruar në shekullin 21, ku të arriturat marramendëse teknologjike nuk munden të zbatohen,nëse ndërtohet në trasenë e propozuar e cila me prezencën e sajë pengon në kryerjen e studimeve
të mëtejshme arkeologjike, përmes metodave moderne me gjeoradar, me dron, ashtu shpjegojnë ekspertët e trashëgimisë.
5. Në Koman planifikohet të ndërtohet një park arkeologjik për qëllime pos tjerash edhe turistike. A është menduar në ndikimet ekstrem negative të atyre shtyllave, si dhe krijimit të një fushe elektromagnetike të dëmshme për funksionimin normal të ati parku. Sot ka mundësi teknike për tu mbrojtur nga këto ndikime, por ato e kanë koston e pa përballueshme për kushtet tona.
Prezenca e atyre shtyllave frikëson, shëmton mjedisin dhe ndikon negativisht së pari te vizitorët e pastaj edhe në botën bimore dhe shtazore.
6. Ndarja e kompleksit arkeologjik në zonën A dhe në zonën B nuk do të thotë se njëra apo tjetra kanë rëndësi ma të madhe apo ma të vogël, ajo i ka arsyet e veta të bazuara në argumente profesionale, por kurrsesi nuk donë të thotë se në Zonën B mundemi me ndërtuar edhe elemente të dëmshme si janë ato katër (4) shtyllat e largpërçuesit që po kërkohet të ç’vendosen.
7. Një paragraf në fund të reagimit të Ministrisë së Kulturës, citoi “duke i ruajtur kështu të drejtën vetes të marrë një vendim të dytë nëse e sheh të nevojshme”që i referohet KKA-së, më jep shpresë se vërejtjet dhe sugjerimet e anëtarëve të forumit për Trashëgiminë Historike e Kulturore, do të merren parasysh pasi ai është interes i të gjithë neve.
Boll me shekuj i kemi humbur territoret dhe të mirat materiale të trashëgimisë tonë,të tregohemi ma fleksibilë, të anashkalojmë inatet, interesat individuale apo klanore, për çështje madhore si është ky rast, i cili i tejkalon të gjitha çështjet tjera që janë sekondare ose terciare.
Çdo respekt,
arch.Ylber Vokshi-Ylli
Po lexoj nga reagimet ne facebook se kjo ceshtje ka mobilizuar shume atdhedashesh, specialiste etj te cilet i bejne thirrje ministres Kumbaro te ndaloje kete masaker te trashegimise se vyer kulturore te mbijetuar ne shekuj.
Po cna duhet trashegimia e arberit dhe e ilireve. Pasardhes te ilireve ka shume pak ne keto troje, vetem te krishteret. Ne pjesa me e madhe qe banon ne keto troje Jemi turq, prandaj I tregojme sumen Gjergjit kur falemi ne qender te kryeqytetit.