E djathta ekstreme përpjekje për të bllokuar Shqipërinë

redaktor

Një Propozim-Rezolutë është formuluar para tre ditësh në Parlamentin Europian, ku kërkohet ndalim i menjëhershëm i negociatave të aderimit me Shqipërinë. Në të kërkohet gjithashtu edhe organizimi i referendumeve në të gjithë vendet e BE-së, për çdo zgjerim të ri që do të kryhet. Argumenti, që parashtron teksti i Propozim-Rezolutës, lidhet me parashikimin se në rast hapje përballë Europës, Shqipëria nuk do të jetë në gjendje të përballojë presionin konkurrues, dhe atë të forcave të tregut. Por, teksti thekson gjithashtu si arsye pse integrimi i mëtejshëm i Shqipërisë duhet bllokuar edhe problemet e rënda të korrupsionit që njeh vendi, duke e konsideruar Shqipërinë qendër të trafiqeve të prostitucionit, të drogës, etj.

Hartimi i saj mban firmën e tre eurodeputetëve francezë të partisë së ekstremit të djathtë Frontit Nacional, Dominique Bilde, Steeve Briois, dhe Sophie Montel. Të tre eurodeputetët e mësipërm figurojnë gjithashtu gjatë kësaj legjislature, edhe në përpilimin e një tjetër Propozim-Rezolute, kundër integrimit të Turqisë në BE.

Ekstremi i djathtë dhe fuqia reale e tij

Përpjekje të tilla të ekstremit të djathtë, nuk janë një fenomen i ri. Përpara zgjedhjeve evropiane, këto parti dhe lëvizje populiste, po përpiqeshin të organizoheshin në mënyrë që të mundësonin krijimin e një grupi parlamentar. Ky grupim, kërkonte si kritere bazë 25 eurodeputetë, nga 7 kombësi të ndryshme.

Mbledhja e famshme e Vjenës, 6 muaj para zgjedhjeve të fundit evropiane, bashkoi shtatë partitë nacionaliste ekstremiste, Frontin Nacional francez, Partinë për Lirinë Austriake, Interesin Flamand të Belgjikës, Demokratët Suedezë, Partinë Nacionale Sllovake, Lega Nordin dhe Partinë për Lirinë holandeze. Synimi kryesor ishte dalja me një strategji të përbashkët, unifikim i qëndrimeve dhe krijimi i një grupi parlamentar. Ndër objektivat e listuar sigurisht që zinte pjesën e tij edhe qëndrimi i përbashkët në nivel evropian mbi tema të ndjeshme, si zgjerimi dhe imigracioni.

Logjika e fortë pragmatiste për të realizuar objektivat e tyre, në influencimin e procesit vendimmarrës të PE-së, shpërfillte të gjithë gamën e përplasjeve ideologjike, që këto lëvizje kishin përballë njëra-tjetrës. Fronti Nacional francez, një parti nacionaliste, ksenofobe dhe homofobe, mbart linja të qarta të një imazhi të fortë anti-semit. Ndërkohë Partia për Lirinë holandeze, me qëndrime pro-izraelite financohet fuqishëm nga donatorë pro-izraelitë. Në kundërshtim me homofobinë e Frontit Nacional, kjo parti mbështet gjithashtu gjerësisht të drejtat e homoseksualëve. Problematika në pasjen e një kohezioni ideologjik, shtrihej edhe ndaj partive të tjera nacionaliste, si nacionalistët austriakë me ato sllovenë, apo gjermanët me polakët. Ishin këto përplasje të forta ideologjike, që qëndronin në thelb të UKIP-it britanik, që u distancua nga ky bashkëpunim.

Por, nga ana tjetër edhe studimet mbi funksionimin e grupeve në PE, kanë konstatuar pikërisht këtë fenomen, se përplasjet ideologjike janë pikërisht, shkaku i pasjes së një kohezioni të ulët, që këto grupime kanë në krahasim me grupet e tjera. Gjithashtu këto studime konfirmojnë edhe faktin se këto grupime janë të paorganizuar, nuk shprehen njësoj në votime dhe në krahasim me grupimet e tjera, rezultojnë të kenë kryer më pak raporte dhe opinione.

Por, nëse këto lëvizje populiste do të kishin mundësuar krijimin e një grupi parlamentar në PE, atëherë panorama do të ndryshonte, pasi fuqia e tyre e veprimit dhe e influencës do të rritej.

Ka një logjikë në procesin e votimit, që pavarësisht diferencave të forta ideologjike, ato shpërfillen teksa një objektiv i përbashkët i lidh, siç është zgjerimi i mëtejshëm evropian apo tema të ndjeshme si imigracioni.

Ky grupim nëse do të ishte krijuar, do të ushtronte presionin dhe influencën e tij, edhe ndaj grupeve kryesore politike të PE-së (PPE, S&D, ALDE). Nëse votat euroskeptike, i bashkoheshin grupimeve të tjera (ECR dhe GUE/NGL) atëherë ato rrisin fuqinë e tyre, duke detyruar grupimet kryesore të ulen të negociojnë dhe të bien në kompromis për çështje të caktuara. Nga ana tjetër, nuk mund të nënvlerësohej as fuqizimi teknik, pasi aksesi që do të kishin si në rritje të personelit apo stafit përgjegjës, zgjerim në hapësira zyrash dhe rritje të fondeve për aktivitete publike (fushatë, konferenca, debate, etj) do të ndikonte në rritjen e mëtejshme të influencës së tyre. Hapësira ligjore do t’u mundësonte gjithashtu edhe përfitime procedurale, si zgjatje e kohës së marrjes së fjalës në seancat plenare, caktimi i një raportuesi, prezantime të mocioneve direkt në seancë plenare pa kaluar nga Komisionet, etj.

Çfarë pritet të ndodhë ? 

Por, cila do të jetë vijimësia logjike dhe juridike e krijimit të kësaj propozim-rezolute?

Legjislacioni evropian mundëson krijimin e një propozim-rezolute të tillë nga çdo eurodeputet. Këto propozime shpërndahen më pas në komisionet përkatëse, si psh. në atë të punëve të jashtme, i cili vendos mbi procedurën që ndiqet. Komisioni mund t’i bashkëngjisë kësaj propozim-rezolute, propozime të tjera rezolutash apo raporte, si edhe mund të formulojë një mendim, opinion, ose një raport. Por, komisioni sigurisht që ka fuqinë ligjore edhe të refuzojë, siç edhe pritet të ndodhë, duke bllokuar avancimin e mëtejshëm të dokumentit.

Por, për sa i përket logjikës operuese në PE, në përgjithësi është konstatuar një tendencë e fortë izoluese, ndaj tentativave të vazhdueshme, që vijnë nga lëvizjet euroskeptike apo ekstremiste. Pra, edhe në raste të tjera, kur këto lëvizje mund të prezantojnë mocione të ndryshme, që mund të prekin dhe shqetësimet e eurodeputetëve që janë jashtë këtij grupimi, synohet bllokimi i tyre, në mënyrë që të mos promovohen më tej. Kjo logjikë u përforcua më shumë pas tensionimit, që krijoi rritja e këtyre partive në zgjedhjet e fundit evropiane. Tre grupimet kryesore pro-europiane, konservatorët e PPE-së, social-demokratët, si edhe liberalët e ADLE, janë bashkuar në një aleancë, duke formuar një “kordon sanitar” me synim bllokimin e të gjithë politikave apo iniciativave, që vijnë nga ky spektër ekstremist. Izolim i cili do të funksionojë përgjatë gjithë legjislaturës 2014-2019./im.ta/

 

 

 

 

 

 

Share This Article