Në një deklaratë të Partisë Demokratike, të para disa ditëve, lexuar para mediave vizive nga një deputete dhe botuar në disa gazeta nën titullin “PD: Taksat e Ramës e bëjnë karburantin më të shtrenjtin në botë”, ndër të tjera thuhet:
…Për ata që kanë sy të shikojnë e veshë të dëgjojnë, llogaritë janë të qarta, plot 1000 (njëmijë) lekë taksa për litër…
Duke patur parasysh pagën mesatare mujore në Shqipëri, që është 52.150 (pesëdhjetë e dymijë e njëqind e pesëdhjetë) lekë në muaj, llogaritë janë të theshta, dhe shqiptarët paguajnë 10% të të ardhurave të tyre si rezultat i rritjes së çmimit të karburantit…
Shikoni se ç’gatuhet në lojën e shifrave!
Lekë të “vjetra” dhe lekë të “reja” sipas oreksit
Nisur nga ç’kemi dëgjuar dhe lexuar në deklaratë, duke “huazuar” edhe shprehjet “llogaritë janë të qarta” apo “llogaritë janë të thjeshta” të përdorura nga deputetja në deklaratë, për një shqiptar që harxhon të paktën 60 litra karburant në muaj llogaritë e PD-së thonë:
60 litra x 1000 lekë taksa për litër = 60000 (gjashtëdhjetë mijë) lekë
Po sipas deklaratës, “duke patur parasysh pagën mesatare mujore në Shqipëri, që është 52150 (pesëdhjetë e dymijë e njëqind e pesëdhjetë) lekë në muaj”, këtij shqiptarit rroga muajore nuk i mjafton as për të shlyerë “taksën e Ramës” për karburantin, pa le të shtojmë në çmimin e karburantit edhe pjesën e shpenzimeve dhe fitimeve të tregtarëve!
Eh, natyrisht që nuk është kështu! Kuptohet që nuk është as lapsus pasi shifra “plot 1000 (njëmijë) lekë taksa për litër dhe pagë mesatare mujore 52150 (pesëdhjetë e dymijë e njëqind e pesëdhjetë) lekë në muaj janë shkruar në deklaratë dhe janë lexuar para mediave vizive nga deklaratë lexuesja.
Kjo ndodh sepse PD-ja, si për shumë gjëra të tjera, edhe kur është fjala për lekë, ka dy kute. Kur flet për taksat, që të duken shumë , shifrat i thotë me “lekë të vjetra”, kur flet për pagat, që të duken pak, shifrat i thotë me “lekë të reja”. Kur ishte në pushtet, bënte të kundërtën…
Kjo “sëmundje” është për të gjithë politikanët tanë. Në një paragraf të vetëm të fjalimeve të tyre rëndom mund të gjesh: dollar, euro, lekë të reja, lekë të vjetra, përqindje, krahasuar me atë, krahasuar me këtë…, në vlerë absolute, në vlerë relative etj. Thjesht: lojra fjalësh.
Kursi i këmbimit Euro-Lekë, sipas qejfit
Po në këtë deklaratë të Partisë Demokratike, thuhet:
“…Qytetarët e vendit paguajnë 1.40 (një pikë dyzetë) euro/litër diezel në pikat e karburantit, më shtenjtë se sa gjermanët që e paguajnë 1.34 (një pikë tridhjetë e katër) euro/litër diezel, hungarezët 1.26 (një pik njëzetë e gjashtë) euro/litër diezel…
Shikoni se sa del çmimi i karburantit sipas shifrave të PD-së:
1.40 euro/litër x 140 lekë (kursi këmbimit euro/lek) =
196 lekë/litër diezel në pikat e karburantit.
Jo, është gënjeshtër! Ky çmim nuk ka qenë asnjë herë të vetme. Në këtë ditë (ditën kur është bërë deklarata) në një nga pikat e karburantit, nga më të frekuentuara në Tiranë, afër parkut të autobuzëve, çmimi ka qenë 164 (njëqind e gjashtëdhjetë e katër) lekë/litër diezel, siç ka patur pika furnizimi në autostradë edhe më pak se kaq.
Nëse çmimin real 164 (njëqind e gjashtëdhjetë e katër) lekë/litër diezel e kthejmë në euro (se kështu i kërkon deklarata) me kursin afërsisht 1 euro=140 lek (në fakt ditën e deklaratës kursi ishte më i disfavorshëm për lekun), kemi:
164 lekë/litër : 140 lekë (kursi këmbimit euro/lek) =
1.17 (një pik shtatëmbëdhjetë) euro/litër
Pra, qytetarët e vendit, të cilëve opozita kërkon t’u mbushë mendjen se “Taksat e Ramës e bëjnë karburantin më të shtrenjtin në botë”, ditën e deklaratës së opozitës, kanë paguar 1.17 (një pikë shtatëmbëdhjetë) euro/litër diezel në pikat e karburantit, domethënë shumë më pak se 1.40 euro/litër diesel, edhe më pak se gjermanët dhe hungarezët, meqenëse PD-së i pëlqen të matemi me më të mirët, pasi në fakt nuk ka sens të krahasohemi me ata, jo vetëm për çmimin e karburantit por për shumëçka.
Ky është fakti, çmimi i një litër diezel në pompë, ditën e deklaratës ka qenë jo 1.40 (një pik dyzetë) euro/litër por 1.17 (një pik shtatëmbëdhjetë) euro/litër, pavarësisht se asnjëri nga ne nuk është i kënaqur me këtë çmim, sepse jemi të bindur që ka ende shumë rezerva për të qenë më i ulët, siç edhe po thotë çdo ditë një deputet mjaft aktiv dhe i përgjegjshëm i mazhorancës.

Te vjen keq, per gjendjen ku eshte katandisur PD! Lul Basha ,i vendosur si nje kadaver,ne krye te PD nga Vicidolisti,kalores pa kale Berisha,jane bere si femije! Nuk e kuptoj ne se ka ndonje nga PD ,qe te kuptoje greminen ku po shkon?! C’fare do te ndodhe neqoftese nuk e degjojne Berishe disa dhe jo te tjeret?! Aksidente mundet dhe me vdekje! A eshte PD me partia qe ne besuam dhe investuam?!Lereni menjane Berishen Mjaft me ! Shkolle e vjeter,metoda te dala boje!
E degjova kete deklarate te asaj goces se PD ne TV dhe thashe, ja kur ta kapin genjeshtren ata te PS, por keta jane fjet.