Patriotizmi “absurd” i një shqiptari

redaktor

Kujtdo që i ka takuar të vizitojë Muzeun etnografik në lagjen Lekaj, Tuz, Mali i Zi, është befasuar nga një punë jo e zakonshme e një njeriu të thjeshtë, rreth të 80-tave, Shtjefën Ivezajt. Falë këtij investimi, së paku prej 12 vitesh drejtori i këtij muzeu, z. Shtjefën Ivezaj nderohet në një mënyrë krejt të veçantë nga vizitorë të ndryshëm dhe mbarë Malësia përballë shpërfilljes, së plotë, deri në absurd ndaj veprës së tij, nga qeverisja lokale dhe qendrore në Mal të Zi, mjerisht edhe aty ku “qeverisin”shqiptarët.

Qytetërimet, që në gjenezën e tyre kanë nderuar investimet cilësiore, në dobi të emancipimit të vet, kurse nderimi në fjalë, vjen disi ndryshe, sui-generis, jo thjesht, për ato që përmban, por, shumë më tepër se kaq, për motivin që e ka sjellur në jetë një vepër të tillë, si i pari i këtij lloji në tërë hapësirën natyrore të Malësisë së Madhe ”Nderi i kombit”. E, pra, aspak, thjesht për atë që na ofron si vlerë dhe pasuri me ineteres kombëtar, ajo thelbësorja, ardhja e tij në jetë, në kontekstin e një vetësakrifikimi deri në absurd, falë shpirtit të madh prej atdhetari, ndryshe sjelljes prej patrioti iluminist në postiluminizëm , të arkitektit dhe menaxherit të kësaj pasurie sa lokale, po aq kombëtare, Shtjefën Ivezajt, sot kemi këtë arritje brilante, Muzeun etnografik në trevën tonë, në Malësi të Madhe.

Kaq natyrisht do të ishte e pamjaftueshme për të deshifruar vlerat dhe motivin e një përkushtimi të tillë, precedent në Shqipëri dhe shumë më gjerë nga z.Ivezaj, pa një shpalosje dhe njohje, larg frymës së provincializmit banal apo sentimentalizmit të sëmurë, të jetës së tij. Si mbaron shkollën fillore dhe atë 7-vjeçare në lagjen e tij Lekaj të Tuzit, Shtjefni vazhdon shkollën profesionale 3- vjeçare për tornitor në kryeqytetin malazez, Podgoricë. Nga viti 1954 ushtron profesionin e bukur të fotografit, si amator, duke arritur të anëtarësohet në klubin e fotografëve dhe kinoamatorëve të Malit të Zi. Spiralja e suksesit tek ky djalosh nuk do të mjaftohej me kaq.

Si përfundon suksesshëm provimin para komisionit të ngritur nga Komuna e Podgoricës, arrin të marrë licencën për hapjen e dyqanit si fotograf, në Tuz afro 49 vite më parë. Në vitin 1969 kalon suksesshëm provimin diferencial për fotograf, me rezultatin shkëlqyeshëm, në Podgoricë. Falë pasionit dhe përkushtimit ndaj artit të mrekullueshëm të fotografisë, fotografi i parë malësor në M.Madhe, në Mal të Zi, në vitin 1970 përgatit kartolinën e parë, brendësinë e së cilës do ta përbënin: Portreti i Flamurit tonë Kombëtar, portreti i Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti-Skënderbeut, si dhe portreti i “Heroit të Popullit” Ded Gjo Luli.

Këto kartolina u shpërndanë në tërë botën shqiptare, çka nga UDB-ja jugosllave u përjetua si një kërcënim serioz i “Vëllazërim-Bashkimit”, kësaj farse politike kobzezë, të mirënjohur nga shqiptarët, duke sjellë paraburgimin e Ivezajt…

Fati sjell që kjo situatë paraburgimi të ketë një fund të shpejtë, falë faktit që asokohe në Beograd ishte botuar në gjuhën shqipe, libri i Nolit, kushtuar Skënderbeut. Reagimi inteligjent dhe fatlum i Ivezajt në qelitë e UDB-së, “Unë nuk e kam ditur që Skënderbeu është i ndaluar në gjuhën shqipe”, bëri që i ndaluari të lirohet nga paraburgosja, pasi “sqarohet” se Dedë Gjo Luli është i ndaluar, por kartolina e tij, që sot ruhet në Muzeun Etnografik, pranë “Marubëve”, do të “sistemohej” në fondin e librave të zinj të UDB-së.

”Në këtë kontekst dhimbjeje, survejimi dhe persekutimi, i detyruar të mbijetoj, shpeshherë më ka qëlluar të nxjerrë jashtë ekzistencës tituj librash shumë të rëndësishëm, në emër të mbijetesës sa ekonomike, sa fizike”, mësojmë nga Ivezaj. Nga sa përcollëm më lart nuk është e vështrë të lexohet se rruga e këtij investimi shembullor prej atdhetari dhe intelektuali do të ishte një rrugë tejet e mundimshme: Përndjekje, përbuzje, diferencim diskriminues në të gjitha format nga politika zyrtare antishqiptare, sulme që do ta ndiqnin kudo, aq keqas sa do ta detyronin të shesë, me gjithë tokën, dyqanin e tij dhe ç’kish për të mbijetuar si familje dhe ruajtur si të shenjta, vlerat muzeale kombëtare, të mbledhura me aq mundim, në një mjedis ku identiteti ynë kombëtar rrezikohej rëndshëm. Dhe padyshim, në rrugëtimin e çdo arritjeje, do të thonin psikologët, patjetër që duhet lexuar edhe ajo, e padukshmja, influenca e instinkteve të fjetura: Kështu nëna e tij, Drane Turmalaj nga Vrithi, Shkrel-Malësi e Madhe, do të shquhej si koleksioniste e sapunit, e pullave të xhaketave dhe të këmishave, veprimtari që trashëgohet edhe nga djali dhe vajza e Ivezajt, Martini dhe Drita, të dy banues aktualisht në SHBA, koleksione që sot ruhen pranë muzeut.

Ndryshimet demokratike, si tek cilido mes nesh sollën shpresën e një të ardhmeje plot zgjidhje në kontekstin demokratik sa lokal, sa kombëtar, të shqetësimeve prej atdhetari dhe intelektuali të Ivezajt, njëherazi anëtar i Lidhjes Demokratike në Malësi, me kryetar z.Nikollë Camaj, që në 1989-ën. Në maj 2002, kur bindet se jo vetëm qeverisja qëndrore në Podgoricë, por as partitë politike shqiptare nuk po e ngrinin zërin, përjashtuar ndonjë sponsorizim modest me efekt elektoral, pra jo me gjoks në mbështetje të një vlere të tillë kombëtare si Muzeu etnografik, Ivezaj vendos të sakrifikojë banesën e tij, shtëpinë.

Gjithë ç’kishte, mobilje, orendi i largoi duke i zëvendësuar me mobilje në funksion të muzeut. 4 dhomat, korridori dhe ballkoni improvizohen enkas për sistemimin e materialit muzeal. Nga fosili i kërmillit të gurëzuar, kosat ilire, shpatat, gurët e gjakut, veshjet e ndryshme për burra e gra, etj etj, përbëjnë atë pasuri që, normalisht do të kërkonte një sipërfaqe prej 10.000 metra katrorë. Një sakrificë deri në absurd i një atdhetari të vërtetë. E vetmja mbështetje e përhershme dhe e sinqertë e tij qe bashkëshortja 76 vjeçare, invalide, pa pension, pa asistencë, kurse i vetmi stimulim moral “Për ruajtjen e trashëgimisë kulturore shqiptare” qe nga ish-kryetari i komunës urbane të Tuzit, zoti Maliq Çun Mulaj. Përballë kësaj gjendjeje Ivezaj, pronari, drejtori dhe roja 24 orëshe e këtij objekti, jeton kundrejt një pensioni prej 96 eurosh, kur një pension nacional minimal në Mal të Zi paguhet me 800 euro në muaj.

Më 24.03.2014, Shoqata patriotike “Malësia e Madhe, Nderi i kombit”, përmes kryetarit të saj z.Sytki Ndreca, në rrjetin social facebook iu drejtua me një letër sensibilizuese Presidentit tonë të Republikës, z.Nishani, Kryeparlamentarit z.Meta, Kryeministrit z.Rama si dhe Ministrit të Jashtëm z.Bushati lidhur me këtë status absurd të drejtorit të Muzeut etnografik të Malësisë, z.Shtjefën Ivezaj, megjithatë deri tani asnjë reagim. Dhe ky trajtim vazhdon, edhe pse sukseset e këtij muzeu janë të habitshme. Filatelia me 35.000 pulla postale, fototeka me filmat, negativët e 40 viteve, si dhe biblioteka me 3800 tituj ku ka edhe shumë libra muzealë në 4 gjuhë: shqip, serbisht, anglisht dhe gjermanisht, krahas vlerave dominuese etnografike, shënojnë një pasuri të shtuar kombëtare. Falë një sakrifice të rrallë të llojit të vet, sa personale, sa familjare duke na bërë krenarë për substancën tonë atdhetare, kur nën ethet e pragmatizmit të egër po harrojmë jo rrrallëherë të shkuarën tonë të vyer. Me statusin e kryetarit të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Malësisë së Madhe, precedentin e krijuar me Muzeun etnografik shqiptar, më 13.01.2015 e kam ringritur si problem serioz edhe pranë Ministrisë sonë të Kulturës, tek z.Zef Çuni, zëvendëministri i Kulturës, nga mora premtimin se, në bashkërendim veprimesh me faktorin shqiptar dhe qeverinë malazeze, homologët tanë, do të investohemi seriozisht për zgjidhjen e kësaj situate absurde, një precedent që kompromenton edhe seriozitetin e angazhimeve integruese në BE të vetë Malit të Zi, çka nënkupton, mes tjerash, respektimin e trashëgimisë kulturore të pakicave. Një shpërfillje e tillë e pafalshme, ndaj trashëgimisë kulturore shqiptare në Mal të Zi, bëhet akoma më absurde kur atje funksionon edhe një ministri e pakicave e drejtuar gjithnjë nga shqiptarët, krahas përfaqësuesve shqiptarë në parlamentin malazez, apo atë lokal në Tuz dhe Ulqin.

Koha e kësaj zgjidhjeje ka ardhur, nëse si komb, konceptin rilindje sikurse atë të integrimit së pari brenda vetes, ne dhe fqinji ynë i parë, Mali i Zi e kemi secili nesh seriozisht me vetveten. Pikërisht këtij misioni, rivlerësimit dhe mbështetjes reale, si një vlerë kombëtare e shtuar, të Muzeut etnografik në Malësi, Mali i Zi ,kam bindje se do t’i shërbejë edhe vizita që së shpejti pritet të zhvillojë në Tuz Zëvendësministri i Kulturës z.Zef Çuni.

Le të shpresojmë se dikur dhe dikush, vërtet do të vërë dorë përballë kësaj shpërfilljeje zyrtare ndaj Muzeut etnografik shqiptar në Malësi shqiptare të Malit të Zi. Me koshiencën se të gjitha lëvizjet tona politike do të kthehen në iluzione të rreme, nëse nuk arrijmë të kuptojmë se integrimi real në Bashkimin Evopian, aq më pak bashkimi ynë kombëtar, nuk mund të arrihen pa bashkimin tonë shpirtëror, në funksion të të cilit vihen me aq shumë dinjitet vepra të tilla si Muzeu etnografik në fjalë.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *