Teuta i fal fitoren Flamurtarit, Vlora kërkon përsëritjen e ndeshjes

Dita

Një fund teatral i takimit në Vlorë. Mbrojtja e Teutës bën gjithçka që Flamurtari të fitojë takimin dhe në fund ia arrin qëllimit. Ndeshja e zhvilluar sot mes Flamurtarit dhe Teutës nën një mot mjaft të keq dhe në një terren tepër të rënduar u mbyll me një shfaqje të turpshme për futbollin.

Takimi filloi me një gol mjaft të shpejtë. Mbas një rrëmuje në zonë, Abilaliaj arriti të kalonte Flamurtarin në avantazh që në minutën e 4-t. Por nuk u dorëzua Teuta dhe në minutën e 25-të gjeti golin e barazimit me anë të Çotës, raporton Sportekspres.

Më pas deri në fund nuk ka asnjë rast për t’u përmendur për shkak të fushës së rënduar nga shiu i shumtë e cila nuk i lejonte ekipet të shpreheshin. Vlen për t’u përmendur që portieri Rizvani u dëmtua në minutën e 45-të dhe u zëvendësua nga Osmani. Me të njëjtin ritëm ishte edhe fillimi i pjesës së dytë, pra pa raste të pastra për asnjërin nga ekipet.

Në minutën e 75-të Shehaj goditi traversën mbas një gjuajtje me kokë. Ndërkohë mbas minutës së 80 Flamurtari hidhet i gjithi përpara për të shënuar golin e fitores dhe si për çudi nuk has në ndonjë vështirësi për t’i kaluar mbrojtësit e Teutës. Mbas shumë e shumë përpjekjesh, në minutën e 5-të shtesë mbrojtësit durrsakë e nxjerrin të lirë përballë Osmanit Shehajn dhe ai pa shumë vështirësi shënon golin e fitores. Për t’u përmendur reagimi i tifozëve vlonjatë të cilët mbasi e panë që loja po shndërrohej në teatër, filluan vërshëllimat dhe braktisjen e takimit.

Flamurtari arrin kuotën e 25 pikëve dhe ngjitet në vend të 6 ndërsa Teuta ngelet 16 pikë në vend të 8.

Reagimi zyrtar i Flamurtarit

Klubi i Flamurtarit ka reaguar zyrtarisht mbas ngjarjeve të sotme në takimin Flamurtari – Teuta. Më poshtë vijon reagimi i klubit:

“Deklaratë zyrtare!
Pas turpit të sotëm, nëse nuk reagojnë organet kompetente, Flamurtari do të terhiqet nga kampionati!”

Drejtuesi i Klubit të Futbollit të Flamurtarit

Ardi Behari, drejtuesi i Klubit të Futbollit të Flamurtarit dha një deklaratë të fortë në emisionin “Zona Gol” të Supersport, duke u bërë i pari drejtues i një klubi që pranoi në lidhje direkte se ndeshjet në Superiore trukohen. Deklarata e Drejtorit Teknik të vlonjatëve erdhi pas ndeshjes Flamurtari-Teuta, ku vlonjatët fituan me një gol në fund të Shehajt, pas një pasiviteti të plotë të mbrojtjes durrsake, që solli dhe reagimin në Facebook të tifozerisë kuqezi. Gjithashtu Ardi Behari theksoi se klubi i tij nuk është pjesë e kësaj loje të pistë ndërsa u shpreh i gatshëm dhe për përsëritjen e ndeshjes.

“Flamurtari nuk është pjesë e asnjë lojë që luhet jashtë fushës së futbollit. Drejtuesit e klubit janë kundër këtyre gjërave. Jemi të gatshëm të riluajmë ndeshjen”.

https://www.youtube.com/watch?v=UHRHIKyoGFY&feature=youtu.be

Share This Article
12 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *