Ashtu siç edhe pritej, Syriza fitoi zgjedhjet parlamentare në Greqi. Koalicioni i të majtëve radikalë nuk mundi thjesht një ose disa parti rivale. Aleks Cipras mposhti një frymë, një histori, një brez politikanësh, një stil udhëheqjeje, Greqinë e vjetër dhe ndoshta, pa e ekzagjeruar mund të themi, edhe Europën e vjetër. Syriza dha një leksion të dobishëm, të cilin duhet ta lexojnë të gjithë: të majtë e të djathtë, të vjetër dhe modernë, të moshuar dhe të rinj, grekë dhe jogrekë, europeistë dhe antieuropeistë. Secili duhet të nxjerrë leksionet prej zgjedhjeve greke, në mënyrën e vet.
Sistemi i mirëqenies: Nuk ka të drejta, pa detyrime
Nuk ka asnjë dyshim që klasa e vjetër politike dhe qeverisëse në Greqi e kishte bërë baltë. Një klasë politike jovizionare, e atrofizuar dhe nepotike, gjatë dy dekadave të fundit ka prodhuar qeverisje të korruptuara, ndër më të korruptuarat e kontinentit, dhe ka ndërtuar politika klienteliste. Duke toleruar politikat nxitëse të konkurrencës, ajo u tregua bamirëse e madhe edhe me qytetarët grekë si konsumatorë, por jo si konkurrues dhe produktivë në tregun e brendshëm dhe në tregjet e huaja. Grekët iu gëzuan për një kohë të gjatë privilegjeve që buronin prej politikave populiste, por që nuk mund të vazhdonin më gjatë. Në fund të fundit, nuk ishin qytetarët që duhej të mendonin strategjikisht, por qeveritë, të cilave u delegonin qeverisjen. Këto nuk e bënë. Qeverisësit grekë gjatë dekadave të fundit janë sjellë si sindikalistë, jo si shtetarë dhe ekonomiqarë të vendit të tyre.
Europa e qytetarëve, jo Europa e Euros
Bashkimi Europian është bashkëpërgjegjës në krizën greke. Për dy arsye. E para, sepse ka toleruar rregullisht treguesit e falsifikuar makro-ekonomikë dhe makro-financiarë të ofruar nga qeveritë dhe institucionet greke. E dyta, sepse kur ekonomia greke degradoi në mënyrë gati të pakthyeshme, shtetet e fuqishme të BE-së ofruan vetëm receta financiare, të cilat morën konsensusin e qeverisësve, por jo atë të opozitave dhe qytetarëve. Fajtorë për qeverisjet e korruptuara, përfaqësuesit e partive politike historike u bënë qesharakë dhe të urryer në sytë e qytetarëve grekë. Por edhe atyre europianë. Përballë servilizmit dhe pafytyrësisë së tyre, populli grek preferoi partitë dhe politikanët alternativë. Të gjitha recetat për shërimin e ekonomisë greke u vërtitën te manovrat financiare, politikat shtrënguese, të cilat, siç treguan zgjedhjet e djeshme shkuan përtej mundësive për mbijetesë të qytetarëve grekë. Bashkimi Europian rikonfirmoi se herë pas here shndërrohet në një bashkim ekonomik dhe financiar, jo në një bashkim vlerash dhe qytetarësh europianë. Dhe nëse fitorja e Cipras nuk u pëlqen, udhëheqësit europianë duhet të bëhen të vetëdijshëm se janë ata që e kanë sjellë atë në qeverisjen e Greqisë. Por Cipras nuk ka pse t’u jetë mirënjohës për këtë. Sepse e bënë pa vullnetin e tyre. Shpesh Greqia dhe grekët u poshtëruan evropianisht dhe globalisht për faj të qeverisësve të tryre dhe populli grek nuk ua fali këtë.
Koalicionet parazitare përballë qeverisjeve efiçiente llogaridhënëse
Cipras u kujtoi qeveritarëve dhe votuesve grekë se shteti dhe ekonomia nuk mbahen në këmbë me manovra politike, koalicione parazitare, bashkim numrash, por me gjenerim idesh dhe modelesh zhvillimi. Teoria e shkencës politike pranon se sa më e gjerë të jetë baza e koalicioneve qeverisëse, aq më e kushtueshme dhe joefiçiente është vetë qeverisja. Greqia ofroi kohët e fundit një provë për këtë tezë teorike. Ashtu siç ofroi edhe Italia dhe në përgjithësi qeverisjet e vendeve të gadishujve jugorë të Europës. Sistemet proporcionale dhe qeverisjet e koalicioneve të gjera shndërrohen jo vetëm në një barrë të rëndë për taksapaguesit, por edhe në gjyle të rënda në këmbët e qeverisjesve. Si rregull, ato prodhojnë korrupsion, nepotizëm, klientelizëm, shterpësi të sistemeve të mirëqënies dhe kriza ciklike. Hidhësinë e gjithë këtyre provuan grekët pas të ashtuquajturit bollëk.
Qarkullimi i elitave
Elitat politike nuk janë të përjetshme. Por në Greqi, shpesh edhe në Shqipëri, silleshin dhe sillen si të tilla. Aq më pak duhet ta tentojnë këtë elitat që lindin tranzicionet. Të cilat janë më shumë se të tjerat, produkt i spontanitetit dhe paparashikueshmërisë së lëvizjeve dhe ndryshimeve politike. Tranzicioni grek po mbush gati gjysëm shekulli dhe qarkullimi i elitave u bë një emergjencë politike dhe kombëtare. Polisi grek tregoi se nuk e quajti të mjaftueshme qarkullimin dhe ndryshimin e emrave. Populli grek, por edhe popujt e tjerë, kërkojnë qarkullim dhe ndryshim të frymës dhe të brezave. Përvoja tregoi se ky ndryshim nuk bëhet në një kohë të qetë. Ndryshimi kërkon një motivim të fortë që e pjellin vetëm krizat dhe rrugëdalja prej tyre. Pra, krizat nuk janë vetëm rigjeneruese të modelit ekonomik, por edhe të sistemeve politike dhe modeleve të lidershipit. Do të ishte paradoksale të mos kishte ndodhur kjo në Greqi. Vajzat dhe djemtë e sotëm të Greqisë nuk mund të pranonin të qeverisen nga politikanë të cilët qëndrojnë dy breza larg prej tyre. Ata pranuan alternativën e Aleks Cipras, si njeri prej interpretëve të nevojave të këtij brezi. Mosha sociale dhe politike e të cilit përkon me atë të tyre.
Mbyllja e ciklit të partive politike
Dy partitë e sotme politike të mëdha të Greqisë kanë lindur kati gjysëm shekulli më parë. PASOK është themeluar në shtator 1974 nga Andreas Papandreu. Ju kujton gjë ky emër? Demokracia e Re është themeluar një muaj më vonë nga Konstantinos Karamanlis. Po ky emër ju kujton gjë? Gjatë gjysmë shekulli të jetës së tyre ato i kanë bërë vendit shërbime të mëdha: siguruan kalimin nga diktatura në demokraci, konstituuan Republikën që zëvëndësoi Monarkinë, qeverisën Republikën e Tretë Greke, pra Greqinë demokratike, organizuan zgjedhje të lira, konturuan të majtën dhe të djathtën greke, vendosën rregullat e tregut të lirë dhe e bënë Greqinë anëtare të NATO-s dhe BE-së. Por si parti të lindura gjatë tranzicionit, cikli i tyre politik erdhi duke u plotësuar. I PASOK-ut më shpejt dhe i Demokracisë së Re më vonë. Të majtën greke e zunë më shpejt dhimbjet e lindjes dhe partitë e vjetra të majta pollën Syrizën. E djathta, shpejt ose vonë, do të hyjë në të njëjtin proçes. Trajektore të njëjta kanë përjetuar më parë edhe Italia dhe vendet e tjera europiane. Partitë dhe sistemet politike europiane ndryshojnë shpesh, krahasuar me sistemin bipolar amerikan. Ndoshta edhe për shkak të natyrës proporcionale të sistemeve zgjedhore dhe qeverisjeve koalicioniste, të cilat uzurpojnë sistemet politike dhe jetën qytetare. Dukuri që nuk ndodh në SHBA, ku Partia Demokrate, themeluar më 1828, dhe Partia Republikane, themeluar më 1854, qeverisin në mënyrë të alternuar vendin më të fuqishëm dhe demokracinë më të pjekur të botës. Edhe pse e majtë radikale, Syriza apelon për një sistem politik bipolar, efiçient dhe produktiv, që ngjason me atë amerikan.

Mendova se do kishte ndonje te re ne leksionet e Sirizas, te kumtuara nga prof. Barjaba …Leksione te njohura qe gjithsesi duhen verifikuar ne praktike … Vetem nje gje nuk arrita ta kuptoj… si mundet qe ne kohe krize te kerkosh konsensus qytetare per daljen nga kriza ….Cili eshte ai popull qe me vullnet (r eferendum ) do pranoj te shtrengoj rripin….!
Ky eshte ai trimi qe u kap duke vjedhur ne supermarket???!!!
Me kujtohet nje film i hershem grek me titull shqip “Shtrengo rripin THANAS”. Ai film po luhet sot, jo ne studio por ne realitetin grek.
Shkrim irracional.
Greq
Shkrim irracional.
Greqia, vendi me i korruptuar dhe qe prej 35 vjetesh (ne mos 70) qe jeton ne asistence sociale (wellfare state) nuk mund t’i jape mesime Europes.
Nga shembelli negativ i Greqise Europa do te nxjerre mesime jo se c’duhet te beje por c’duhet te mos beje.
Europa nuk duhet te mesoje nga vendet e popujt qe po deshtojne, por nga ata qe kane sukses e mbi te gjitha nga Gjermania e populli gjerman dhe popujt gjermanike, ceqet e te cilave e mbajne ende “te bashkuar” kete Europe.
Syrizen socialiste e gezofshin greket se ne shqiptaret e provuam per 50 vjet. Une nuk mund te them ne se Europa (Gjermania) do te tregoje edhe nje here meshire per t’i falur ndonje pjese te borxhit. Por edhe sikur ta bejne kete, nje popull qe per 70 vjet rron me lemoshe (nje gazete gjermane shkruante se ne keto 70 vjet Greqia vetem nga nga Gjermania ka marre 29 plane Marshall per permasat e saj) eshte cmesuar te punoje, prape do te kerkoje borxhe
Europa e Bashkuar nuk mund te behet azil i asistences sociale per vende si Greqia etj., perndryshe ajo do te deshtoje. Greqia dhe vendet e tjera me borxhe te medha duhet “te shtrijne kembet sa kane jorganin”.
Ndihma e huaj dhe borxhet kane edhe ato nje fund.