Vendimi, anijet e peshkimit përjashtohen nga taksat e karburantit

redaktor

Vendimi më i fundit i qeverisë që tashmë është botuar dhe në fletoren zyrtare, ka përjashtuar nga taksa e qarkullimit dhe ajo e karbonit anijet e peshkimit. Në këtë vendim thuhet se në bazë të nenit 9, të ligjit nr. 9975, datë 28.7.2008, “Për taksat kombëtare”, të ndryshuar, anijet e peshkimit përjashtohen nga pagesa e taksës së qarkullimit dhe taksës së karbonit në momentin e blerjes së karburantit. “Shoqëri furnizuese të karburantit (gazoilit) për anijet e peshkimit janë vetëm shoqëritë aksionare, të licencuara në bazë të nenit 4, të ligjit nr. 8450, datë 24.2.1999, “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre”, të cilat disponojnë magazinë doganore ose magazinë fiskale”, thuhet në vendim. Kështu sipas këtij vendimi do të furnizohen me gazoil dhe benzinë, pa paguar taksën e qarkullimit dhe taksën e karbonit, të gjitha anijet e peshkimit, persona juridikë dhe fizikë, të cilat plotësojnë kushtet e përcaktuara në pikën 3, të nenit 20, të vendimit nr. 612, datë 5.9.2012, të Këshillit të Ministrave, “Për dispozitat zbatuese të ligjit “Për akcizat””, të ndryshuar, dhe që janë të pajisura me statusin e përdoruesit të përjashtuar dhe të pritësit të regjistruar nga autoritetet doganore, për përfitimin e përjashtimit nga pagesa e akcizës së produkteve energjetike. Procedurat dhe kriteret e furnizimit të anijeve të peshkimit përcaktohen me udhëzim të përbashkët të ministrit të Financave dhe ministrit përgjegjës për peshkimin.

Si do të përllogaritet konsumi faktik i karburantit?

  1. Gjysmë ore ndezje e motorit në bankinë para nisjes për të arritur parametrat teknikë të punës, si dhe praktikë nisje.
  2. Në Durrës e Vlorë, dy orë ecje e lirë deri në zonën e peshkimit dhe dy orë kthim në port.
  3. Në Shëngjin dhe Sarandë, një orë ecje e lirë deri në zonën e peshkimit dhe një orë kthim në port.
  4. 20% e kohës në peshkim, llogaritet në lëshim veglash peshkimi dhe virim.
  5. 10% ecje e lirë, motori në minimum, grisje e karikim trate, kolaudim pajisje peshkimi etj.
  6. Rreth 60% e kohës pune efektive, tralim.
  7. Janë marrë në konsideratë edhe rastet e kthimit në port pa peshkim, për kohë të keqe, defekte teknike, etj.
  8. Të gjitha përllogaritjet kanë si qëllim të përcaktojnë vetëm konsumin orar të karburantit, e për rrjedhojë sasia e karburantit që harxhohet del nga koha e punës faktike në det të anijes, shumëzuar me konsumin e aprovuar në orë të paraqitur më sipër.
Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *