Vargje të nënshkruara
Arben Duka
Sa gjëra s’kini dëgjuar
Sa të tjera s’kini parë
Ju s’e dini sa paguhet
Veç çarçafët për t’u larë?!
Veç çarçafët për t’u larë
Te Qëndr’ e Manastirliut
Sa para paguan shteti
S’i shkon mëndja asnjeriut!
Këtë hataje të madhe
Nuk e di as zoti Mero
As më shumë e as më pak
Plot dhjetë milionë euro!
Ne qenkemi shtet’ i pasur
Për kot të varfër na mbanin
Me kaq para mund të blesh
Çarçafë për gjithë Ballkanin!
Mund të blesh çarçafë mëndafshi
S’ke pse lan ato lëvere
Po ne ende nuk e dimë
Se ç’fshihet pas asaj dere!
Se ç’fshihet pas asaj dere
Ku rri Manastiri brënda
Nëse bëhen herë pas here
Ca pazare shumë të rënda!
Para ca ditësh u bë
Një tender me negocim
Ku fitoi ai që ishte
Shumë i lartë në çmim!
Po kjo nuk na prish shumë punë
Është i pasur vendi jonë
Dhe pse veç me këtë tender
Humbi rreth dyqind milionë!
Unë nuk mund t’i di të gjitha
T’i vë kokë muhabetit
Po tani aty ka shkuar
Kontrolli i Lartë i Shtetit!
Sot e kisha si fillim
Po nuk e mbyll me një hera
Sepse kemi në studim
Dhe ca tendera të tjera!
