Zyrtarizohet mënyra e përdorjes së buxhetit të shtetit 2015. Në fletoren zyrtare jepen të gjithë indikacionet dhe ndryshimet e zbatimit të buxhetit. Cilat do të jenë ministritë që do ta zbatojnë buxhetin në pjesën e investimeve publike dhe si do të bëhet pagesa në thesar? Udhëzimi i Ministrit të Financave nr. 2, datë 6.2.2012, “Për procedurat standarde të zbatimit të buxhetit”, paragrafi 2, jepen procedurat specifike për zbatimin e tij.
Kështu sipas ndryshimeve në udhëzim për çdo njësi shpenzuese të krijuar rishtazi, çelet kodi përkatës në Sistemin Informatik Financiar të Qeverisë (SIFQ), pas paraqitjes së kërkesës zyrtare të njësisë së qeverisjes së përgjithshme, e shoqëruar detyrimisht me aktin përkatës ligjor ose nënligjor, apo akte të tjera administrative të krijimit të saj. E njëjta procedurë ndiqet edhe në rastin e mbylljes së një njësie shpenzuese.
Investimet publike, si do të operohet?
Një pjesë e rëndësishme e buxhetit të shtetit ajo për investimet publike, është rregulluar në këtë udhëzim me të gjithë detajet e tij. Kështu projektvendimet e Këshillit të Ministrave, të cilat lidhen me investime publike, duhet të paraqiten për mendim në Ministrinë e Financave, pas marrjes së miratimit nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes.
Ministria e linjës duhet të paraqesë pranë Ministrisë së Financave një kopje të shkresës së MZHETS-së dhe konfirmimi nga MZHETS-ja duhet të jetë pjesë e relacionit shoqërues të projektvendimit të paraqitur për miratim. Nga ana tjetër fondet për projektet e reja të investimeve për blerjen e pajisjeve elektronike / informatike, të cilat nuk e kanë ndjekur ciklin e planifikimit të investimeve publike dhe që lidhen me teknologjinë e informacionit, bëhen efektive pas konfirmimit nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit.
Në rastet kur në marrëveshjen dypalëshe, të nënshkruar për zbatimin e projekteve me financim të huaj, është përcaktuar që disbursimi nga donatori/kreditori do bëhet pasi të jetë kryer shpenzimi dhe pasi të jetë vlerësuar performanca e projektit, atëherë për kryerjen e shpenzimit, ministritë/ institucionet, në rast se nuk kanë parashikuar fondet përkatëse në planin e buxhetit vjetor, do të shqyrtojnë mundësinë e një rialokimi për të siguruar fondet e nevojshme brenda tavanit të miratuar të financimit të huaj.
Fondet e rimbursuara nga financuesi sipas projekteve përkatëse, do të regjistrohen në një zë të veçantë për t’u dalluar nga grantet dhe kreditë e tjera, me emërtimin “Rimbursim i shpenzimeve pas vlerësimit të performancës”.
Fondet për ministritë
Fondi i planifikuar për shërbimin spitalor në Ministrinë e Shëndetësisë, në artikullin 604, detajohet dhe përdoret me vendim të Këshillit të Ministrave. Në zbatim të VKM-së, Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FDSKSH) paraqet te nëpunësi i parë autorizues, detajimin sipas strukturave buxhetore të miratuara.
Nga ana tjetër në buxhetin vjetor të Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve, janë planifikuar fondet për investime për arsimin universitar edhe në formën e fondeve për zhvillimin e rajoneve. Institucionet e arsimit të lartë do të përfitojnë këto fonde nëpërmjet paraqitjes së projekteve në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, të cilat miratohen nga Komiteti i Zhvillimit të Rajoneve. Institucionet e arsimit të lartë mund të bashkëfinancojnë për objekte investimesh edhe nga të ardhurat e veta.
