Shifrat zyrtare sugjerojnë se vetëm 5-6% e 140 000 personave me aftësi të kufizuar janë të punësuar. “Jo gjithkush është i bindur se një person me aftësi të kufizuara mund të punojë si të tjerët”.
English version
http://gazetadita.al/do-the-institutions-follow-laws/
“Një revolucion i vogël!” Këto janë fjalët që përdori Avokati shqiptar i Popullit dy muaj më parë, kur njoftoi publikisht se kishin vendosur që numri dy i këtij institucioni të ishte një person me aftësi të kufizuara. Në ditët e para të janarit emrat e dy kandidatëve iu dërguan për shqyrtim parlamentit. Por një muaj më pas, asgjë s’ka ndodhur. Parlamenti do ta shqyrtojë vendimin, por nuk dihet se kur. Çështjet e tjera janë më të rëndësishme.
Por së pari, ç’thotë ligji për personat me aftësi të kufizuar?
Ligji nr.7995, datë 20.09.1995 (i ndryshuar) “Për nxitjen e punësimit”, thotë se çdo punëdhënës publik (institucion apo ent publik) dhe çdo kompani private duhet të punësojë një person me aftësi të kufizuar për çdo 25 punonjës të tij. Sipas këtij ligji, një punëdhënës mund të punësojë një person me aftësi të kufizuara të rënda në vend të pesë me aftësi të kufizuara të lehta.
Por çfarë po ndodh vërtet në Shqipëri 18 vjet pas miratimit të ligjit për personat me aftësi të kufizuara?
Dezdemona Orjeti është pedagoge. 20 vitet e fundit ajo ka punuar si mësuese për personat e verbër. E pyetur lidhur me zbatimin e ligjit, ajo thotë se ligji është i mirë, por nuk zbatohet në Shqipëri. Sipas saj, është shumë e vështirë për një person me aftësi të kufizuar që të gjejë një vend pune.
Dhe Ministria e Punës e mbështet pohimin e Dezdemonës. Ilda Bozo, drejtoreshë e Monitorimit të Strategjive, thotë se ligji ka dështuar. “Punësimi i personave me aftësi të kufizuara është një problem i ndërlikuar”, thotë ajo. “Jo gjithkush është i bindur se një person me aftësi të kufizuara mund të punojë si të tjerët. Ka pengesa fizike për ta, edhe nëse ata vetë kanë vullnetin për të punuar”. Bozo thotë se ligji në Shqipëri ishte i parakohshëm, pasi kompanitë, sidomos në kohën që ligji u miratua, kishin vetëm një numër të vogël punonjësish. “Ligji ishte i parakohshëm. Ai nuk përputhej me zhvillimet në Shqipëri”.
Shifrat zyrtare sugjerojnë se vetëm 5-6% e 140 000 personave me aftësi të kufizuara janë të punësuar. Dhe ndërkohë, jeta është vërtet e vështirë për këta persona. Në vend nuk ka infrastrukturë që ta ndihmojë këtë grup. Nëse një person me karrocë invalidi do të donte të hynte në një ndërtesë me shkallë, nuk ka asnjë lehtësi për të. Bankat apo zyrat e postës nuk janë të përshtatura për personat me karrocë.
Dezdemona thotë se jeta në Tiranë për personat e verbër është shumë e vështirë. “Nuk zbatohen rregullat e qarkullimit rrugor. Trotuarët janë të mbushura me shitës rrugësh dhe tavolinat e lokaleve bllokojnë rrugën gjithashtu. Dhe gjëja më e keqe është se askujt s’i bëhet vonë. Jashtë vendit tonë, nëse një person i verbër humbet rrugën, njerëzit përpiqen ta ndihmojnë. Këtu të gjithë presin ta shohin të rrëzohet dhe pastaj të kënaqen duke qeshur”.
Por ka edhe një problem tjetër, sipas Bozos, siç duket personat me aftësi të kufizuar nuk duan të punojnë. “Mendësia e tyre krijon probleme për punësimin e tyre. Shteti u siguron të ardhura të larta dhe ata nuk kanë dëshirë të punojnë”. Bozo thotë se kjo kategori është e mirëpaguar dhe nëse atyre u ofrohet një punë, ata s’e pranojnë sepse shteti u siguron një pagë të mirë, u paguan faturat e energjisë, telefonin dhe naftën për makinat.
Por Dezdemona kundërshton. “Si mund ta mendojë dikush një gjë të tillë? Pasja e një pune për një person me aftësi të kufizuara nuk është thjesht çështje parash, por një çështje personaliteti dhe privilegji gjithashtu. Nëse ti punon, njerëzit të shikojnë ndryshe. Të respektojnë. Kështu që s’është aspak i vërtetë ai deklarim. Gjithashtu, s’është e vërtetë që ne na paguajnë të gjitha faturat apo marrim shuma të mëdha nga shteti. Vitin e kaluar qeveria vendosi që ne të na jepen vetëm 2 000 lekë për energjinë elektrike dhe 1 000 lekë nëse kemi telefon fiks. Ndërsa nafta u paguhet vetëm kategorive të veçanta, dhe jo të gjithëve. Sa për faturat e energjisë, ne na vijnë gjithmonë shumë të larta. Ndërsa pagesa që marrim dihet prej të gjithëve se nuk është e mjaftueshme për të jetuar. Në përgjithësi njerëzit mendojnë se ne duhet të punojmë vetëm në institucione që merren me personat me aftësi të kufizuar, dhe jo në vende të tjera”.
Dhe duket se ky nuk është një problem vetëm shqiptar, por edhe në Ballkan. Në Malin e Zi, personat me aftësi të kufizuar përballen me probleme të ngjashme. Që nga viti 2008 ekziston ligji i cili i detyron kompanitë me më shumë se 25 punonjës që të punojnë persona me aftësi të kufizuar. Por në pesë vitet e fundit, sipas Shoqatës së Paraplegjikëve, në Malin e Zi janë punësuar vetëm 16 vetë nga 60 000 të tillë që ka ky vend.
Në fakt, ekzistojnë dy alternativa ligjore. E para të punësosh një person me aftësi të kufizuara. Në të kundërt, kompanitë duhet të paguajnë në një fond punësimi. Në Malin e Zi, shumë prej kompanive preferojnë të paguajnë në këtë fond. Por ndërkohë, në Shqipëri problemi është se personat me aftësi të kufizuar nuk punësohen, por as nuk paguhen para në këtë fond.
Helga Miranovic është nga Podgorica, Mali i Zi. Ajo është në karrocën e invalidit që në vitin 1999 pas një aksidenti të rëndë me makinë. Helga flet pesë gjuhë të huaja e megjithatë nuk mund të gjejë një punë. “Nuk duam që shteti të na japë para, – thotë Helga. – Duam të kemi një punë dhe të kemi mundësi të lëvizim rrotull. Vullneti i qeverisë për të siguruar të drejtat e njeriut duket shumë qartë në faktin që asnjë person me aftësi të kufizuar nuk është punësuar prej saj”.
Disa thonë se kompanitë kanë edhe përfitime nëse punësojnë persona me aftësi të kufizuar. Bazuar në ligjin e të dyja shteteve (Shqipëri dhe Mal i Zi), çdo punëdhënës publik apo privat që punëson një person me aftësi të kufizuar, është i lirë të mos paguajë taksa për atë pagë për të paktën një vit.
“Personat me aftësi të kufizuar janë si gjithë njerëzit e tjerë. Ka njerëz jo të mirë mes tyre, siç ka edhe të tjerë që janë shumë të zgjuar, inteligjentë dhe njerëz të shkëlqyer. Këta të fundit duhet të gjehen dhe të punësohen. Dhe ata mund të bëjnë një punë shumë të mirë”, thotë Dezdemona, e cila shpreson se gjërat do të ndryshojnë për mirë. Ajo di të paktën tre raste punësimi në dy vitet e fundit: një në zyrën sociale dhe dy në radion publike. E kënaqur për propozimin e Avokatit shqiptar të Popullit për punësimin e një personi me aftësi të kufizuar, ajo pret përgjigjen nga Parlamenti.
Nga ana tjetër, zyra e Avokatit të Populilt thotë se ata nuk kanë marrë ende përgjigje. Ata po presin. Të njëjtën gjë po bëjnë edhe personat me aftësi të kufizuar. Po presin që Parlamenti të hedhë hapin tjetër dhe të tregojë se nuk ka paragjykime dhe se edhe ata i binden ligjit.
*Nga skuadra shqiptaro-malazeze e diversitetit (Arlinda Gjypi, Dragana Çoloviç, Elisabeta Dosku, Gordana Badalovska, Suada Cenuka)
