Eurozona, deflacioni shqetësues për janarin

redaktor

Shifra e inflacionit në Eurozonë për muajin janar ka prekur nivelin e -0.6%. Kjo e dhënë negative vjen pas asaj të muajit dhjetor, e cila shënoi edhe skenarin e parë deflacionist për Eurozonën që prej muajit prill të vitit 2009. Shifrat alarmante vijnë vetëm dy javë pasi Banka Qendrore Europiane njoftoi programin e lehtësimit sasior në shkallë të gjerë, i cili ka për synim pikërisht luftën ndaj deflacionit dhe arritjen e një objektivi në shifrat e 2%.

Pritshmëritë për muajin janar flisnin për një normë inflacioni në -0.5%. Rënia drastike e çmimeve të konsumit në muajin e parë të këtij viti duket se përligj në një farë mënyre edhe planin Draghi për blerjen e titujve shtetërorë dhe privatë në vlerën e 1.2 trilionë euro deri në shtator të vitit të ardhshëm. E vetmja herë që Eurozona është përballur me një situatë deflacioni ka qenë pikërisht në muajt qershor-tetor të vitit 2009 duke arritur nivelin minimal pikërisht në rënie me 0.6%.

Ekspertët deklarojnë se ka qenë pikërisht rënia e çmimeve të karburanteve ajo që ka shkaktuar edhe rënien totale të çmimeve në muajin janar me 0.6% krahasuar me një vit më parë. Çmimet në sektorin energjetik kanë rënë me 8.9%. Ato të ushqimeve të papërpunuara me 0.9%.

Të vetmet çmime të regjistruara në rritje kanë qenë ato të shërbimeve, me 1%. Ndërkohë, inflacioni bazë, i cili përjashton luhatjet në tregun energjetik dhe atë të ushqimeve të papërpunuara, ka rënë në 0.6% në muajin janar, duke shënuar një zbritje me 0.1% krahasuar me tre muajt paraardhës. Zona e rrezikut e përcaktuar nga Eurozona, konsiderohet një normë inflacioni nën 1%. Në të dhënat e Eurostat ka surprizuar më së shumti Gjermania, e cila në muajin Janar i është bashkuar 18 vendeve të tjera të Eurozonës me një normë negative inflacioni.

Ndërkohë në Spanjë çmimet e konsumit janë regjistruar në rënie për muajin e shtatë me radhë dhe me hapin e tyre më të shpejtë. Shifrat e vetme pozitive për Eurozonën duket se vijnë në drejtim të papunësisë. Në një raportim të veçantë, Eurostat vlerëson se norma e papunësisë në zonën e monedhës së përbashkët europiane ka rënë në 11.4% gjatë muajit dhjetor të vitit të shkuar. Kjo rënie është e para e regjistruar pas tre muajve në nivelin e 11.5%. Numri i të papunëve është ulur me 157,00 0 krahasuar me muajin nëntor, duke prekur shifrën totale të 18.129 milionë personave.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *