“Etrit Berisha nuk është i lumtur te Lacio”. Agjenti i portierit të Shqipërisë, Eljver Raca, frikëson klubin bardhekaltër, në lidhje me të ardhmen e portierit të Kombëtares kuqezi, i cili kohët e fundit ka ngrohur stolin, ndërsa vjet ishte një nga ata lojtarë që luanin me më shumë vazhdimësi, kjo pasi edhe Marketi ndodhej jashtë për shkak dëmtimesh dhe në lidhje me çështjen e kontratës. Tani që Marketi ka zënë vend fiks, Etriti është i detyruar të kënaqet me ndonjë paraqitje në Kupën e Italisë (si ndaj Milanit përpara disa ditësh), apo kur portieri italian është i skualifikuar. “Etriti dëshiron të luajë dhe për këtë arsye nuk është i lumtur. Por, ka një kontratë për pesë vjet me Lacion dhe klubi dëshiron që ai të qëndrojë. A ka pasur oferta? Po, disa telefonata ka pasur, edhe pse asgjë serioze”.
Huazim? – Një tjetër mundësi mund të jetë huazimi i Berishës diku, ndoshta në Serinë A. Por, kjo duket e vështirë që të ndodhë, pasi Etriti është një portier që kërkon garanci.
Gjermani – Edhe disa klube gjermane, sipas burimeve, janë hedhur në sulm, duke kërkuar portierin, të mahnitur nga paraqitjet e tij me Shqipërinë, por deri tani asgjë konkrete.
Proçesi – E megjithatë, gjithçka mund të varet nga procesi gjyqësor, sepse në rast se vjen një skualifikim 6 ose më shumë mujor, atëherë gjërat mund të ndryshojnë dhe Lacio do të kërkonte një tjetër portier, duke mbajtur edhe Marketin.
