Europa luftë Rusisë

redaktor

Mbledhja e Ministrave të Punëve të Jashtme këtë të enjte në Bruksel, kishte në fokus përshkallëzimin e konfliktit në Ukrainë. Ministrat vendosën shtyrjen e mëtejshme të sanksioneve ndaj personave dhe subjekteve tashmë të listuar, si edhe zgjerimin e listës me emra të tjerë. Por, elementi që tërheq vëmendjen ndër 10 pikat e konkluzioneve është edhe ndërgjegjësimi, se lufta e fuqishme propagandistike ruse, kërkon një kundërpërgjigje dhe reagim të sinkronizuar në nivel evropian.

Luftë psikologjike 

Lufta psikologjike ndaj kundërshtarit, konsiderohet një mjet po aq shkatërrues, sa edhe armët në një konflikt. Propaganda dhe strategjitë në funksion të saj, shtrihen në nivele dhe platforma të ndryshme, duke synuar gjithashtu një publik sa më të gjerë.

Ndonëse, konceptimet dhe strategjitë e propagandës, njihen që prej antikitetit, ka një moment që tërheq vëmendjen, teksa bota akademike vlerëson Luftën e Parë Botërore, si konflikti i parë, ku Shtetet kuptuan rëndësinë e propagandës si një mjet lufte, me pushtet të paprecedentë. Dhe në këtë vlerësim, do të jetë pikërisht Rusia, që do të veçohet si fuqia, e cila aplikoi strategji të mirë planifikuara propagande, me fokus opinionin publik evropian dhe kryesisht shtetet neutrale.

Platforma vepruese e Rusisë, përgjatë këtij konflikti, kishte si objektiv kryesor, rekrutime në stafin e periodikëve të huaj, gazetarë apo korrespondentë, kryesisht në vendet neutrale, si edhe subvencionim të këtyre periodikëve, me synim pozicionimin më miqësor ndaj Rusisë. Kjo platformë, po në këtë optikë, përfshinte dhe ngritjen e agjencive të reja në vende të ndryshme, që shërbenin si rrjet shpërndarje  informacionesh të centralizuara, që vinin nga Agjencia  Telegrafike e Petrogradit.

Synimi i propagandës ishte shumëplanësh: pengimi i vendeve neutrale në një pozicionim të mundshëm pro Fuqive Qendrore; tërheqja e tyre pro qëndrimeve ruse; bllokimi i furnizimeve dhe lëndëve të para strategjike për ushtritë e kundërshtarëve të Rusisë; informim mbi sukseset e ushtrisë cariste dhe aleatëve në front;  tërheqje e vëmendjes së publikut evropian mbi krimet e luftës të kryera nga trupat gjermane dhe austriake, duke përfshirë edhe krimet mbi pasuritë kulturore dhe fetare, etj.

Konflikti në Ukrainë 

Kuadri i mësipërm, vlen për të rikujtuar rëndësinë e hershme të filozofisë ruse mbi strategjinë e komunikimit, që në një konflikt bashkëkohor detyrimisht merr përmasa të mëdha në konceptim, menaxhim dhe financim.

Konflikti në Ukrainë, ka kohë që shoqërohet me një propagandë në rritje të Rusisë dhe interesave të saj gjeo-strategjikë në rajon. Një sërë vendesh të BE-së, kanë ekspozuar vazhdimisht këtë problematikë, që prek interesat e sigurisë kombëtare në zonat në të cilat ka komunitete të konsiderueshme rusishtfolës.

Vendet Baltike, janë gjithashtu pjesë e kësaj strategjie ruse.

Letonia, vendi që mori presidencën e radhës të Këshillit të BE-së, do të ekspozonte publikisht në nivel evropian këtë fenomen.

Denoncimi publik erdhi përgjatë prezantimit të prioriteteve të presidencës së Këshillit të BE-së, në muajin nëntor, nga Përfaqësuesi i Përhershëm i Letonisë në BE, Ilze Juhansone. Diplomati letonez, do të denonconte aktet e propagandës ruse mbi luftën në Ukrainë. Në një sërë kanalesh televizivë rusishtfolës në Letoni, propaganda ruse dezinformon me një politizim të lartë konfliktin në Ukrainë. Kjo propagandë kryhet nëpërmjet një terminologjie, që për diplomatin e Letonisë, risjell në vëmendje Luftën e Ftohtë me etiketime të kundërshtarit si fashist, nazist, juntë, etj.

Në fakt Letonia, ka në territorin e saj, popullatën etnike ruse më të madhe në të gjithë territorin e BE-së. Konflikti në Ukrainë dhe aneksimi i Krimesë janë shoqëruar me një propagandë në rritje të kanaleve televizive në gjuhën ruse, çka kanë detyruar autoritetet shtetërore të Letonisë, t’i bashkëngjiten masave tashmë të ndërmarra edhe nga Lituania, bllokim të transmetimit të televizionit shtetëror rus. Bllokim, që u krye pas vlerësimit se një sërë programesh në lidhje me krizën në Ukrainë, ishin paragjykuese dhe bazuar tërësisht në favor të interesave ruse dhe jo në interesat e sigurisë së shteteve Baltike. Këto masa bllokuese janë ndërmarrë përkohësisht edhe nga vende të tjera, si Moldavia apo Ukraina.

Ndërgjegjësimi në nivel evropian, se duhen strategji konkrete për t’u përballur me propagandën e fuqishme ruse, ndonëse relativisht i vonuar, është i rëndësishëm. Në terma politikë, këto strategji do të ndihmojnë në ruajtjen e mbështetjes popullore ndaj qeverive legjitime, si edhe do të ekspozohen në kundërbalancë ndaj opsioneve politike dhe ushtarake ruse të propozuara po në forma propagandistike. Nga ana tjetër, këto strategji do të ndihmojnë edhe në ruajtjen e një klime të qëndrueshme në kuadrin e sigurisë së brendshme, që reflektohet edhe në sigurinë rajonale.

Platforma, që pritet të aktualizohet do të jetë e gjerë dhe do të gjejë shtrirje, si në krijimin e stacioneve televizive rusishtfolëse në hapësirën e BE-së, por edhe në vendet, që aspirojnë anëtarësimin në të dhe preken nga ky fenomen. Njëkohësisht kjo platformë prek edhe monitorimin e stacioneve aktuale në gjuhën ruse, si edhe bllokimin e mundshëm të tyre. Nga ana tjetër, plan-veprimi përfshin edhe rrjetin e Shërbimit të Jashtëm të BE-së, me hartimin e politikave konkrete, në përballje me propagandën dezinformuese të Rusisë. Vlen të theksohet gjithashtu se, ky është momenti i dytë ku qartësohet veprimi i munguar i BE-së, përballë rëndësisë së strategjive të komunikimit. Momenti i parë, i ndërgjegjësimit u shfaq vetëm pak kohë më parë, në reflektim tërësor ndaj luftës përballë fenomenit të radikalizmit dhe terrorizmit./im.ta/

Share This Article