Apolonia “s’i prish punë” Partizanit

Dita

I vendosur për të luajtur gjithçka për gjithçka, Mërgjyshi prezantohej për ndeshjen e parë të vitit në shtëpi me treshen e sulmit Rajkovic-Ribaj-Dimo. Në kampin e Duros në majë të sulmit Racic i mbështetur nga Vila, Nexhipi e Mazrekaj, ndërsa binte në sy mes shtyllave Dashamir Xhika në vend të Alban Hoxhës së skualifikuar për shkak kartonësh. Premisat e një sfide delikate u shkrinë nga një fillim ëndrrash për Partizanin. Të kuqtë në avantazh pas 5 minutash, vertikalizim fantastik i Mazrekajt që preu përmes prapavijën fierake dhe intuitë prej ujku goli ajo e Emiljano Vilës me prekjen e vetme që çoi topin drejt rrjetës. 1-0 dhe dizavantazhi tronditi Apoloninë.

Nuk mund të rrinte pa përfituar një skuadër cinike si Partizani dhe në minutën e 12 krosim i Nexhipit, Rrahmani i harruar pas kishte hapësirën e nevojshme për të shënuar me kokë. Pa u mbushur çerek ore lojë, skuadra me mbrojtjen më të mirë të kampionatit në avantazh. Natyrisht që diçka e tillë do të kushtëzonte lojën me Partizanin që mund të menaxhonte rezultatin dhe energjitë. “Bujaria” e të kuqve për të lëshuar terren rriti kurajon e Apolonisë që filloi të impenjonte Xhikën, që gjithsesi u gjend i gatshëm në minutën e 38 kur goditja standard e Dimos e devijuar mori rrezikshmëri të lartë për portën. Episod moviole në minutën e 45 me pretendimin e Apolonisë për 11 metërsh për këtë kontakt mes Andi Ribajt dhe Endri Vrapit, por për gjyqtarin kryesor Enea Jorgji gjithçka ishte e rregullt duke i dërguar skuadrat në dhomat e zhveshjes.

Apolonia në fraksionin e dytë rriti intensitetin në sulm, duke ju afruar disa herë golit që mund të rihapte lojën. Në minutën e 75, Gërxho u prezantua përballë Xhikës dhe me goditjen e tij që kaloi portierin ishte Rrahmani në sprint shpëtimtari të kuqve duke larguar topin në kufijtë e vijës fatale.  Vetëm dy minuta më pas një rast të artë e pati dhe Nako që në goditjen e këndit i vetëm në zonë e çoi topin pikërisht andej nga nuk duhej.

Apolonia nuk e kishte luksin të shpërdoronte kaq para një skuadre si Partizani dhe ata që falënderojnë janë të kuqtë që kthehen në shtëpi me një trepikësh të rëndësishëm që i mban në kuotën e 40 pikëve, po aq sa kampionët e Skënderbeut.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *