Përmbytjet dhe kacafytjet
Xhevdet Shehu
Prej disa ditësh kemi një situatë anormale për dimrat e Shqipërisë. Kemi shira të rrëmbyeshëm, dalje lumenjsh nga shtrati, përmbytje në Fier e Vlorë, ndërsa qeveria ka shpallur gjendjen e emergjencës civile për këto zona. Sado të vështira janë situata të tilla, ato zakonisht hyjnë në lajmet e kronikave dhe nuk kanë të bëjnë me politikën. Keqpërdorimi politikisht i rasteve të tilla është dashakeqës. Në rastin konkret shikojmë një shqetësim të natyrshëm dhe një mobilizim po aq të natyrshëm për ta përballuar një situatë të tillë.
Kjo është më se normale në një situatë anormale.
Sepse në rastin e situatës së ditëve të fundit kemi të bëjmë me një fatkeqësi tërësisht të paparashikueshme natyrore dhe që autoritetet shtetërore që po përpiqen ta kenë nën kontroll një situatë të tillë. Kundërshtarët e qeverisë aktuale duket se kanë fërkuar duart nga një situatë e tillë dhe kërkojnë të fitojnë sadopak kapital politik. Sepse u kujtohen historitë e viteve të kaluara kur ata ishin në pushtet dhe Shkodra e Lezha përmbyteshin vit për vit në palcën e dimrit. Edhe atëherë ishte situatë emergjente. Por kishte dhe ka një dallim thelbësor midis dy situatave: Atëherë Shkodra dhe Lezha përmbyteshin pasi hapeshin portat shkarkuese të hidrocentraleve ndërkohë që reshjet e shiut nuk rreshtnin, kurse këtu kemi një situatë anormale të paparashikuar natyrore. E atëherë, pikërisht në kulmin e një fatkeqësie më shumë se natyrore, ish-kryetarja e Parlamentit shkodrania Jozefina Topalli, ngazëllehej duke vozitur me gondola nëpër rrugët e Shkodrës. Më kujtojnë Venecian, thoshte e qeshur para kamerave.
Nejse. Të shkuara të harruara, thotë populli. Tashmë kemi një situatë kritike të krijuar nga kushtet e motit që duhet përballuar. Është mirë që në raste të tilla, politika të mos ngutet për të nxjerrë kapital për vete në kurriz të fatkeqësisë natyrore. Në fund të fundit, ta harrojmë një herë e mirë atë kapitullin e kacafytjeve, kur sidomos në raste të tilla, Stambolli digjet dhe disa krihen!
***
Vërshojnë lumenjtë, gjendje emergjente në jug të vendit
Shqipëria prej më shumë se 48 orësh është nën pushtetin e reshjeve të shumta të shiut që kanë sjellë përmbytje masive në pjesën më të madhe të jugut të vendit. Lumenjtë kanë dalë nga shtratet e tyre duke përmbytur dhe marrë gjithçka që u del para. Situata nga përmbytjet është përkeqësuar ndjeshëm gjatë orëve të pasdites së të dielës. Dalja nga shtrati e lumit të Vjosës si pasojë e reshjeve të dendura të shiut ka shkaktuar përmbytjen e thuajse të gjithë Novoselës, ku rreth 1200 banesa janë përfshirë nga prurjet e mëdha. Situata paraqitet tepër kritike tek Ura e Mifolit. Qendra Vullnetare e Emergjencave Civile në bashkëpunim me forcat e policisë ka evakuuar 60 persona, ndërsa me dhjetëra të tjerë gjendet në rrezik serioz dhe po vazhdon evakuimi i tyre.
Fieri është qarku i cili rrezikohet më shumë nga përmbytjet e kësaj fundjave. Si pasojë e prurjeve të mëdha të Gjanicës, në dy lagje të qytetit Fier, në lagjen 1 Maj dhe Sheq, në rreth 150 banesa e biznese uji u fut brenda. Në komunën Cakran ka përmbytje të tokave. Në fshatin Çerven të komunës Frakull janë përmbytur 6 banesa, ku banorët janë evakuuar nga policia si dhe janë dhe rreth 50 banesa të tjera të rrethuara nga uji. Në fshatin Ferras të komunës Levan, në rreth 50 banesa ka hyrë uji brenda. Forcat e policisë po evakuojnë banorët dhe gjënë e gjallë. Në Poçem është përmbytur stacioni i pompave të ujit dhe Mallakastra dhe komunat përreth kanë mbetur pa furnizim me ujë. Ndërkohë që lumi i Semanit është fryrë tej mase dhe rrezikon edhe ai përmbytje. Rreth 100 krerë bagëti të imta janë rrëmbyer nga prurjet e Vjosës. Ndërsa në fshatin Bishan, një furgon policie ka mbetur i bllokuar në ujërat e dala nga shtrati i lumit.
Nga reshjet pa pushim gjatë ditës së djeshme dhe natës, që në orët e para të mëngjesit lumi Vjosa ka dalë nga shtrati si rrallë ndonjëherë në historinë e tij duke përmbytur rrugën nacionale Përmet-Tre Ura dhe Përmet-Tepelenë, duke izoluar qytetin e Përmetit në rrugën tokësore. Niveli i ujit arriti të bllokojë edhe rrugët lidhëse të qytetit duke përmbytur disa biznese dhe dyqane në anë të shtratit të tij. Nga uji janë përmbytur edhe 2 pompat kryesore që furnizojnë me ujë qytetin e Përmetit. Edhe në Këlcyrë lumi Vjosa vërshoi brenda qytetit duke përmbytur disa shtëpi, ku uji ka arritur të futet në katet e para të banesave.
Në qarkun e Beratit reshjet me intensitet të lartë rënduan situatën pasi uji ka pushtuar sipërfaqe të tëra të tokave si dhe banesa. Zonat më problematike për momentin janë Skrapari ku është dëmtuar një urë, ndërsa në komunën Otllak uji ka vërshuar nëpër banesa. Në Urën Vajgurore me dhjetëra banesa janë nën ujë. Për të menaxhuar këtë situatë u mblodh Shtabi i Emergjencave ku është thirrur për ndihmë edhe Ushtria dhe Policia duke koordinuar evakuimin e banorëve. Sipas shefit të Emergjencave, Halim Koxhai, situata është nën kontroll për momentin, por në bazë të komunikimit me qarqet e Korçës e Skraparit prurjet janë duke u shtuar dhe kjo bën që situata të rëndohet.
Në Elbasan u bllokua zona e shpatit për shkak të rrëshqitjeve të tokës në aksin Elbasan-Gjinar pranë fshatit Shelcan, të cilat shkatërruan një pjesë të mirë të kësaj rruge. Po ashtu është bllokuar edhe rruga Elbasan-Gramsh pasi niveli i ujit ka kaluar mbi Urën e Shushicës pranë hidrocentralit të Banjës, çka e bën të pamundur udhëtimin në këtë aks rrugor. Në Memaliaj, në lokalin e quajtur 1 Maji, është bllokuar Fatos Vrenozi nga prurjet e mëdha të lumit Vjosë, i cili u shpëtua me helikopter të Forcave të Armatosura.


Që Shqipëria të bëhet, i nderuari XHevdet SHehu, do 30të burra të ndershëm që ta drejtojnë , ka thënë i madhi Faik Konica. Nga 140 parlamentar, parazitër që ka Shqipëria, më thuaj njërin që është i drejtë. Edvini në vend të bëjë ndërmarrjen e bonifikimit, apo komunalen , inauguron shtëpinë e gjetheve, apo bunkkartin .