Fluksi i lartë i pacientëve të mbërritur në dyert e urgjencave mjekësore me komplikacione të rënduara të gripit ka vënë në gjendje alarmi strukturat shëndetësore. Referuar shifrave të raportuara nga të gjitha rrethet, Shqipëria tashmë po përballet me epideminë e gripit, ku në të gjithë vendin numërohen mbi 18 mijë raste në javë, rreth 30 për qind më shumë se sa rastet e regjistruara në të njëjtën periudhë të vitit të shkuar.
Pjesa dërrmuese e pacientëve manifestojnë shenja të rënduara të rrugëve respiratore, çka tregon se virusi i gripit është bërë më agresiv. Shërbimi i pediatrisë dhe i infektivit në QSUT kanë regjistruar fluks të lartë urgjencash gjatë javës së shkuar, teksa tejet shqetësuese situata paraqitet edhe në zonat e përmbytura.
Komplikacionet më të rënda raportohen në radhët e fëmijëve të vegjël, të moshuarve, e veçanërisht pacientëve që vuajnë nga sëmundjet kronike. Janë pikërisht këto kategoritë që duhet të bëjnë më shumë kujdes gjatë ditëve në vijim. Kreu i Institutit të Shëndetit Publik,Arian Bregu ka apeluar gjatë ditës së djeshme për kujdes maksimal gjatë ditëve në vijim, pasi numri i të prekurve do të shtohet edhe më tej për shkak të ndryshueshmërisë së temperaturave.
Bregu u ka kërkuar mjekëve të familjes, (të cilët janë edhe hallka e parë e sistemit ku qytetarët ndalen për të marrë ndihmë), që të bëjnë kujdes dhe të mos neglizhojnë trajtimin e asnjë rasti me grip.
Ndërkohë edhe vetë qytetarët duhet të jenë të vëmendshëm dhe të mos neglizhojnë vajtjen tek mjeku sapo shfaqen simptomat e para, në mënyrë që të mos përballen me pasojat e praktikave të gabuara të vetëmjekimit siç ndodh rëndom. Bluzat e bardha apelojnë që të shmangen ambientet e mbyllura, kontaktet me njerëzit e infektuar me virusin e gripit, si dhe të mos neglizhohet ndjekja e rregullave të rrepta higjieno-sanitare, ndërsa vijojnë të rekomandojë edhe vaksinën antigrip.
“Shqipëria është duke përjetuar një intensitet të lartë të infeksioneve respiratorë, ashtu si një pjesë e mirë e rajonit evropian. Aktualisht, Shqipëria gjendet në periudhën e epidemisë së gripit.
Shenjat klasike janë temperatura e lartë e menjëhershme, kollë e thatë, rrjedhje të hundëve, dhembje të grykëve, anoreksi, lodhje, dhimbje koke, të përziera, diarre, të vjella”, ka theksuar ditën e djeshme drejtori i ISHP-së, Arian Bregu. Për të mos lejuar shtimin e ndërlikimeve, mjekët theksojnë se kur i sëmuri që shfaq shenja të gripit, brenda 48 orëve duhet të ketë kontaktuar me mjekun, ndërsa rekomandojnë qëndrimin në shtëpi për të paktën 24 orë, në mënyrë që të mos e rrezikojnë infektimin e personave të tjerë që mund të jenë në të njëjtin ambient me ta.
“Periudha e inkubacionit zgjat nga 1 deri në 4 ditë. Një individ i prekur nga virusi i gripit, mund të infektojë të tjerët një ditë para shfaqjes së simptomave, gjatë periudhës së sëmundjes, pra, një person i prekur nga virusi i gripit, mund të transmetojë virusin para se të kuptojë se është i sëmurë.
Medikamentet kundër gripit duhet të fillohen brenda 48 orëve të fillimit të sëmundjes për të pasur efikasitet të lartë. Medikamentet kundër gripit mund të bëjnë sëmundjen më të butë dhe mund të shkurtojnë kohën e sëmundjes. Ato mund të parandalojnë dhe komplikacionet e rënda që mund të vijnë nga gripi.
Por duhet të veprohet me kujdes në përdorimin e tyre, vetëm sipas rekomandimit të dhënë nga mjeku specialist, e jo të merren vetë nëpër farmaci”, thekson Bregu. Në urgjencat spitalore të paraqitura, një pjesë e mirë e pacientëve janë prekur nga format më të rënda të gripit, të cilat shkaktojnë insuficiencë akute respiratore të rëndë dhe komplikacione të tjera.
Transmetimi i gripit
Gripi sezonal është një infeksion viral akut, i cili përhapet lehtë nga njeriu tek njeriu. Gripi mund të prekë çdo njeri në çdo grupmoshë. Virusi i gripi transmetohet me spërkla gjatë teshtimave, kollitjes apo gjatë bisedimit me një person të infektuar. Ndonëse më rrallë, një individ mund infektohet me virusin e gripit edhe duke prekur objekte të kontaminuara nga virusi dhe pastaj individi të prekë gojën apo hundën me duart e infektuara.
Periudha e inkubacionit zgjat nga 1-4 ditë. Një individ i prekur nga virusi i gripit, mund të infektojë të tjerët 1 ditë para shfaqjes se simptomave, gjatë periudhës së sëmundjes. Pra, një person i prekur nga virusi i gripit mund të transmetojë virusin një personi tjetër përpara se ai ta kuptoj që është i sëmurë.
Shenjat e gripit
Shenjat më të zakonshme të gripit janë: “Temperaturë e lartë e menjëhershme, kollë që mund të jetë e thatë, rrjedhje të hundëve, dhimbje fyti, anoreksi, lodhje, dhimbje koke, të përziera, diarre, të vjella, dhimbje barku, si dhe dhimbje muskulore”.
Bregu thekson se në tre hapat që duhet të ndiqen për të luftuar gripin bëjnë pjesë vaksinimi kundër gripit, kujdesi për masat parandaluese për përhapjen e virusit të gripit, si dhe përdorimi i medikamenteve antiviralë sipas përshkrimeve të rekomanduara nga mjeku i familjes ose ai specialist.
Të dhënat tregojnë që medikamentet kundër gripit, “ose ltamivir dhe zanamivir (inhibitore të neuraminidazes) vijojnë të kenë të njëjtin efikasitet sikurse vitin e kaluar. Por, ato mund të përdoren vetëm me rekomandimin e mjekut, kur ai e vlerëson të nevojshëm. Më tej, vaksina e gripit mund të reduktojë sëmundjet e menjëhershme të rrugëve të frymëmarrjes, format më të rënda të tyre, si dhe komplikacionet që shfaqen në të sëmurët kronikë”, shprehet Bregu.
Shenjat paralajmëruese për emergjencë.
Fëmijët shfaqin:
Frymëmarrje e shpejtë, ose probleme me frymëmarrjen
Ndryshim të ngjyrës së lëkurës
Nuk konsumon lëngje të mjaftueshme
Nuk ka gjallëri ose nuk bashkëvepron
Bëhet nervoz sa që fëmija nuk dëshiron të mbahet
Rikthim të shenjave të gripit, por me ethe dhe kollë të keqe
Ethe me një skuqje të lëkurës
Fortësim i qafës
Të rriturit shfaqin:
Vështirësi në frymëmarrje apo gulçim
Dhimbje apo presion në gjoks apo bark
Marramendje e papritur
Konfuzion mendor
Të vjella të menjëhershme ose të vazhdueshme
Veprimet e praktike që pengojnë përhapjen e virusit të gripit
Mundohuni të evitoni për aq sa është e mundur kontaktet e afërta me individë të sëmurë.
Nëse jeni të sëmurë qëndroni në shtëpi për të paktën 24 orë.
Nëse jeni të sëmurë evitoni kontaktet me të tjerët pasi virusi i gripit është shumë ngjitës.
Mbuloni hundën dhe gojën me një shami kur të teshtini dhe kolliteni dhe hidheni më pas në vend të sigurt.
Lani duart shpesh me ujë dhe sapun, ose përdorni solucione duarsh me alkool.
Mos prekni sytë, hundën dhe gojën me duar të kontaminuara, pasi virusi përhapet në këtë mënyrë.
Pastroni dhe dezinfektoni sipërfaqet dhe objektet që mund të jenë kontaminuar nga virusi.
Konsultohuni me mjekun për përdorimin e medikamenteve.
Medikamentet kundër gripit mund të përdoren vetëm nëse jeni të sëmurë me grip, dhe të rekomanduara nga mjeku.
Medikamente kundër gripit duhet të fillohen brenda 48 orëve të para të fillimit të sëmundjes për të pasur efektivitet të lartë.
Medikamente kundër gripit mund ta bëjnë sëmundjen më të butë si dhe të shkurtojnë kohën e sëmundjes. Ato mund të parandalojnë edhe komplikacionet e rënda që mund të vijnë nga gripi. Kujdes, ilaçet kundër gripit jepen vetëm me rekomandim të mjekut.
