Merkel në Hungari, frikë për rrëshqitje të vendit drejt Rusisë

redaktor

Vetëm dy javë përpara se lideri rus Putin të vizitojë Hungarinë, kancelaria gjermane Merkel zbarkon në Budapest për një takim kokë më kokë, me kreun e qeverisë Viktor Orban. Duket se shqetësimet mbi luhatjen e vazhdueshme të Hungarisë mes BE-së dhe Rusisë, kanë mbizotëruar axhendën e takimit. Por, ç’po ndodh realisht në Hungari dhe a mund të flasim për një kthim kursi drejt Rusisë?

Shqetësimet e BE-së 

Hungaria është shndërruar në një rast unik, në historikun e marrëdhënieve të vendeve anëtare me BE-në. Një rast i paprecedent, i cili ka arritur të verë në dyshim parimet dhe vlerat themeltare të Bashkimit Europian. 

Hungaria që prej ardhjes në pushtet të kryeministrit aktual Viktor Orban, është venë në fokus të kritikave për një rrëshqitje drejt autoritarizmit. Me ardhjen në pushtet, Orban filloi menjëherë aktualizimin e një projekti politik autoritar, të shoqëruar me kuadrin legjislativ të nevojshëm. Një sërë reformash kushtetuese, ligjore dhe ekonomike (rreth 500) prekën në thelb të gjithë sistemin: parlamentin, pushtetin gjyqësor, ligjin elektoral si edhe median. Miratimi i Kushtetutës së re në vitin 2011, teksa Hungaria po mbante Presidencën e radhës të Këshillit të BE-së, u vlerësua si konservatore dhe se po riciklonte idetë e shekullit të 19-të: fokus të madh mbi rolin e kishës; mbi rolin tradicional të familjes dhe mbrojtjen e embrionit që në konceptimin e tij; kufizim i lirisë së medieve si edhe cenim i të drejtave të njeriut dhe të minoriteteve.

Këto procese reformimi të mundësuara nga pushteti që i jepte vota në shumicë prej 2/3, u kryen pavarësisht kritikave të forta nga spektri opozitar, nga grupet e interesit, grupet e të drejtave të njeriut, organizmave të brendshëm dhe atyre ndërkombëtarë, duke përfshirë në mënyrë specifike dhe BE-në. Me miratimin e kuadrit reformues, Orban ka arritur të kontrollojë vendin, duke e rikonfiguruar kombin, sipas vijës nacionaliste të ideologjisë partiake.

Për Bashkimin Europian, kjo situatë ishte e paprecedent pasi asnjë vend tjetër, nuk kishte tejkaluar “linjën e kuqe” duke kryer dhunime të hapura të principeve dhe vlerave themeltare si edhe të kuadrit ligjor të saj, bazuar në traktate. Nga ana tjetër, situata është konceptuar si një absurditet logjik, teksa një vend aderon në BE dhe shpërfill tërësisht parimet themeltare të saj. Një sërë procedurash ankimuese janë kryer në institucionet garantuese të zbatimit të ligjit kundrejt Hungarisë. Por, gjithsesi ka një moment interesant, teksa BE fillon ankimin ligjor, kritikat nga Amnesty International theksonin se këto ankimime kanë më shumë fokus teknik duke zhvlerësuar impaktin e gjerë negativ mbi të drejtat e njeriut, që po shkakton ky kuadër ligjor i reformuar.

Pragmatizëm deri në limit

Retorika politike e përdorur nga Orban, është e një niveli viktimizues. Sipas tij, BE kërkon shtypjen e qeverisë hungareze, që po lufton vetëm për lirinë e saj. Bashkimi Europian, në retorikën e Orban identifikohet si anti-patriotike, me politika që bien tërësisht ndesh me rolin tradicional të familjes dhe të kishës në shoqërinë hungareze.

Nga ana tjetër, ndonëse ndaj BE-së përdoret një retorikë e vrazhdët, Hungaria që prej vitit 2004, përfiton në nivele të konsiderueshme nga fondet strukturore evropiane. Vetëm për periudhën 2007-2013, Hungaria ka thithur përfitime në vlerën rreth 25 miliardë euro (financime në rrjetin e metrove, zhvillim i infrastrukturës rrugore, hekurudhore, etj). Për periudhën në vijim, 2014-2020, vlera e fondeve prej rreth 21 miliardë euro, pritet të shkojë gjithashtu për investime publike lokale.

Por, teksa sulmet politike të Orban janë të shpeshta ndaj BE-së, vihet re një qëndrim pro politikave dhe interesave ruse.  Në retorikën e tij politike, kreu i vendit, Orban e vlerëson liderin rus Putin, si një shembull dhe model që duhet ndjekur gjithashtu në politikën hungareze. Ky model ndjekje është shpallur nga Orban, njëkohësisht edhe me konceptimin e ri politik mbi një “demokraci jo liberale”.

Hungaria ka një varësi energjetike të rëndësishme përballë Rusisë. Por, gjithsesi kjo varësi vlerësohet të jetë pak a shumë e të njëjtit nivel si edhe vendet e tjera ish-satelite të BS-së, tashmë anëtare të BE-së. Projekti “Rryma jugore” në të cilin Hungaria kishte një rol të konsiderueshëm u anulua vetëm para pak kohësh nga Rusia. Por, gjithsesi vitin e kaluar Hungaria ka nënshkruar me Rusinë, një kontratë prej 12.5 miliardë euro për ndërtimin e dy reaktorëve nuklearë afër Budapestit.

Por, duket se përtej rrezikut për një rrëshqitje nga BE dhe përafrim me Moskën, politikat e Orban mund konsiderohen edhe si një pragmatizëm i skajshëm politiko-ekonomik.

Logjika e përplasjeve të Orban me BE-në është e një filozofie “tërhiq e mos e këput”. Pas çdo iniciative ankimuese ligjore apo verbale e instancave të BE-së, është konstatuar edhe një reagim reflektues nga ana hungareze, që tërhiqet në rishikimin e pozicionimeve. Pra, nuk ka një tendencë të qartë, të prerë anti-BE, por një reagim kryesisht pragmatist, në logjikën përfituese të një politike të brendshme.

Nga ana tjetër, përtej anës përfituese financiare, që vjen nga anëtarësimi në BE, të padiskutueshëm nga ana e Hungarisë, kemi dhe një kontribut të vazhdueshëm të saj në politikat integruese europiane. Pjesë e rëndësishme e Trekëndëshit të Visegradit apo V4 (Republika Çeke, Sllovakia, Polonia, Hungaria), që prej vitit 1991, Hungaria ka bashkëpunuar thellësisht për integrimin e V4 në BE, si edhe në NATO. Po në këtë kuadër, ky bashkëpunim i thelluar ka ndërmarrë edhe iniciativa konkrete në kuadrin e Politikës së Sigurisë dhe të Mbrojtjes në BE, me krijimin e një “grupi të përbashkët luftimi” për të katërt shtetet në vitin 2016. Përveç fushës së sigurisë dhe mbrojtjes, bashkëpunimi shtrihet edhe në sektorin energjetik dhe industrial. Hungaria ka gjithashtu një përqasje pozitive ndaj politikave të zgjerimit të BE-së.

Iniciativat e mësipërme në rang evropian dhe mos vënia në diskutim e thithjes së vazhdueshme të fondeve evropiane, lënë hapësirë për një këndvështrim të mundshëm tërësisht pragmatik të qeverisë së Orban në politikën e brendshme kombëtare. Ky pragmatizëm i brendshëm politik-ekonomik, mund të interpretohet edhe ndaj përafrimit me Moskën zyrtare, në projekte konkrete ekonomike.

Por, ndonëse pozicionimi i Hungarisë mund të lexohet si pragmatizëm i brendshëm, ai është një shqetësim real dhe i vazhdueshëm për BE-në. Nga njëra anë, rrëshqitja në autoritarizëm në politikën e brendshme dhe thyerja e principeve dhe vlerave themeltare të BE-së, janë klimë e një precedenti dhe modeli aspak pozitiv. Nga ana tjetër, në kontekstin e politikës së jashtme dhe konfliktit Ukrainë-Rusi, BE-së i nevojitet një unifikim qëndrimi. Unifikim, i cili është tashmë i njohur si problematik brenda BE-së, pa llogaritur kostot në vijim të ndryshimit të politikave, që po reflektohen edhe nga vendet e jugut./im.ta/

 

 

Share This Article