Agjenti i Cristiano Ronaldos, Jorge Mendes, beson se ekzistojnë klube që janë në gjendje të paguajnë 300 milionë euro për të pasur shërbimet e superyllit të Real Madridit.
Portugezi është shpallur më i miri në botë në dy vitet e fundit dhe forma e tij vazhdon të jetë mahnitëse. Klauzola për prishjen e kontratës së 29-vjeçarit është një miliard euro, ndërsa Mendes thotë se klubet e interesuara do të paguanin trefishin e rekordit aktual për lojtarin më të shtrenjtë (Gareth Bale) në rast se Los Blancos do të vendosnin ta shesin CR7.
“Ai është lojtari më i shtrenjtë në botë, sepse Ronaldo është lojtari më i mirë që ka ekzistuar, sportisti më i mirë i të gjitha kohërave. Ai nuk mund të krahasohet me askënd. Një transferim prej një miliard eurosh është i pamundur, por nëse për ndonjë arsye klubi do të vendoste ta shesë për 300 milionë euro, dikush do të paguante”, ka deklaruar Mendes për BBC Radio 4. Ronaldo ka kontratë me Real Madridin deri në verën e vitit 2018.
