Një grup sekret u takua me dyer të mbyllura në Nju Jork këtë javë. Vendimi i tyre mund të çojë në rritje të çmimeve të barnave për amerikanët dhe qindra milionë banorë anembanë botës.
Përfaqësues nga SHBA dhe 11 vende të brigjeve të Paqësorit u mblodhën për të vendosur të ardhmen e marrëdhënieve të tyre tregtare në të ashtuquajturin Partneriteti Trans-Paqësor (Trans-Pacific Partnership). Kompanitë e fuqishme duket se kanë ndikuar zhvillimin e takimit, pavarësisht aksesit të plotë të zyrtarëve të qeverive nga vendet partnere.
Midis çështjeve që negociatorët morën në konsideratë, janë disa prej dispozitave më të debatueshme të TPP – ato që lidhen me të drejtat e pronësisë intelektuale. Nuk bëhet fjalë për shkarkime muzikore apo DVD të piratuara. Vendimet e mbledhjes mund të ndihmojnë kompanitë e mëdha farmaceutike të ruajnë ose të rrisin fitimet e tyre prej monopolit në emrat e markave të barnave.
Sekreti i negociatave të TPP i bën ato çmendurisht jotransparente dhe e vështirëson diskutimin. Por një ide të qartë mund ta formojmë mbështetur në dokumentet e marra prej Wikileaks nga mbledhjet e shkuara, të cilat kanë filluar që në vitin 2010; nga ato që dimë rreth influencës amerikane në marrëveshjet e tjera tregtare dhe nga ajo që të tjerët dhe unë vetë kam qartësuar duke biseduar me negociatorët.
Marrëveshjet tregtare negociohen nga zyra e Përfaqësuesit Tregtar të SHBA, i cili supozohet se vepron sipas vullnetit të popullit amerikan. Megjithatë, historikisht zyra e Përfaqësuesit Tregtar ka ndodhur që është rreshtuar përkrah interesave të korporatave. Nëse kompanitë e mëdha farmaceutike vazhdojnë të influencojnë, TPP mund të bllokojë hyrjen në treg të barnave xhenerike më të lira. Fitimet e Big Pharma do të rriten dhe barra e rritjes do të rëndojë mbi shëndetin e pacientëve si edhe buxhetin e konsumatorëve dhe të qeverive.
Dy janë rrugët nëpër të cilat Zyra e Përfaqësuesit Tregtar mund të përdorë TPP për të ruajtur ose rritur çmimet dhe fitimet prej barnave.
Rruga e parë është kufizimi i konkurrencës për barnat xhenerike. Është aksiomatike se rritja e konkurrencës sjell ulje të çmimeve. Kur kompanive u duhet të luftojnë për blerës, ato detyrohen të ulin çmimet. Kur një patentë skadon, çdo kompani mund të fusë në treg një version xhenerik të barit. Diferencat në çmim midis emrit të markës dhe barit xhenerik janë shumë të mëdha. Prezenca e barnave xhenerikë i ul çmimet. Në një vend të njohur si prodhues barnash xhenerikë, siç është India, Gilead Sciences, e cila prodhon një bar efektiv për hepatitin-C, së fundi njoftoi se do ta shesë barin për pak më shumë se 1 përqind të 84,000 USD që e shet në SHBA.
Prandaj, që në vitin 1984, kur SHBA hapën tregun e brendshëm për barnat xhenerikë, në barnat e dhëna me recetë ato janë rritur nga 19% në 86%. Kjo u ka kursyer qeverisë, konsumatorëve dhe punëdhënësve amerikanë më shumë se 100 miliard USD në vit. Kompanitë e barnave pritet të fitojnë shumë nëse TPP kufizon shitjen e barnave xhenerike.
Strategjia e dytë është të minojnë politikat qeveritare mbi çmimet e barnave. Rritja e konkurrencës nuk është e vetmja rrugë për të mbajtur çmime të ulta në shërbime dhe mallra të domosdoshëm. Qeveritë mund të pengojnë rritjen e çmimeve me ligj ose nëpërmjet mosrimbursimit të pacientëve për barnat me çmime të larta, çka do t’i detyrojë kompanitë t’i ulin çmimet në nivelet e aprovuara nga qeveria. Këto qasje rregullatore janë të rëndësishme sidomos në tregje me konkurrencë të kufizuar, siç është tregu i barnave. Nëse Përfaqësuesi Tregtar i SHBA vepron në këtë mënyrë, TPP do të kufizojë aftësitë e vendeve partnere për të mbajtur çmimet nën kontroll. Dhe kompanitë farmaceutike shpresojnë me siguri se standardi që ato vendosin me këtë marrëveshje, do të bëhet një standard global, dhe do të shndërrohet në pikënisje e negociatave të SHBA me BE për të njëjtën çështje.
Amerikanët mund të dorëzohen përballë perspektivës së rritjes galopante të çmimeve të barnave anembanë botës. Mbi të gjitha, SHBA i ka lejuar kompanitë e barnave të vendosin çmimet që duan. Por kjo nuk do të thotë se ne nuk duam që një ditë t’i ndryshojmë gjërat. Në këtë pikë, TPP na ka gozhduar: Marrëveshjet tregtare, sidomos disa dispozita të tyre, në krahasim me ligjet e brendshme, janë më të vështira për t’u ndryshuar.
Ne nuk jemi të sigurt se cila prej këtyre tipareve ka dominuar në negociatat e kësaj jave. Por është e qartë se fryma e përgjithshme e seksionit të pronësisë intelektuale te TPP është: më pak konkurrencë dhe çmime më të larta të barnave. Efekti do të shkojë përtej vendeve anëtare të TPP. Barrierat ndaj barnave xhenerike në Paqësor do të ushtrojnë trysni ndaj prodhuesve të këtyre barnave në Indi si edhe në vende të tjera.
Sigurisht, kompanitë farmaceutike e justifikojnë rritjen e çmimeve me rritjen e shpenzimeve për kërkim dhe zhvillim. Por nuk është kështu. Kompanitë farmaceutike shpenzojnë më shumë për marketingun dhe reklamën sesa për idetë e reja. Kufizimet e rrepta mbi të drejtat e pronësisë intelektuale dekurajojnë zbulimet e reja, duke e bërë më të vështirë për shkencëtarët shfrytëzimin e kërkimeve të të tjerëve dhe duke bllokuar shkëmbimin e ideve, të cilat janë kritike për inovacionin. Në fakt, shumica e inovacioneve vijnë prej universiteteve dhe qendrave kërkimore si Instituti Kombëtar i Shëndetit, të financuara nga qeveria dhe fonde të tjera.
Përpjekjet për të rritur çmimet e barnave në TPP na çojnë në drejtimin e gabuar. Gjithë bota do të detyrohet të paguajë një çmim në formën e shëndetit të përkeqësuar apo vdekjeve të panevojshme.
* Fitues i çmimit Nobel në Ekonomi, profesor në Kolumbia dhe ish Kryetar i Këshillit të Këshilltarëve Ekonomikë, autor i “The Price of Inequality.”

Nuk eshte fare e vertete qe zbulimet e barnave kryen nga Instituti kombetar ishendetit financuar nga fonde publike Zbulimet kryen nga kompanite farmaceutike ne gjirin e tyre punojne ne kushte te nje studimi mbinjerezor talente nga fusha te kimise farmaceutike organike bioteknologjise kimise fizike biokimise etj etj qe kostoja e nje bari shkon 1.5 miliard dollare prandaj politika shtypese e qeverive mos financimi i kompanive nga fondet publike kane dekurajuar kerkimet dhe kane nderprere zbulimin e barnave te reja gje qe e komplikon te ardhmen e shendetit njerezor Futja ne mase e kompanive xhenerike ne dukje kaulur ndjeshem cmimet por ka bere qe kompanite lider kane nderprere zbulimet dhi i kane transferuar kerkimet ne fusha te tjera si ne stilin e jeteses psh ne barnat e renies nga pesha te fuqise sexuale suplementeve kozmetikes dhe te tjera fusha te parendesishme prandaj qeverite te ulin shpenzimet e tyre te luxit korupsionin reklamat dhe tju alokojne fonde kompanive qete punojne per zbulimin e barnave te reja Mos haroni qe se afermi njerzimin e pret katastrofa e rezistences se antibiotikeve prandaj perkrahni mendjen brilante te kimisteve farmaciste qe ta shpetojne njerzimin sic e kane bere kete ne te kaluaren Lereni mentalitetin komunist te fitimit