Shtërgu i veriut që iku përmes dhimbjes

redaktor

(Rekuiem për shkrimtarin Skënder Drini)

Ata që e kanë njohur nga afër, e kanë në vizionin e tyre të gjithmonshëm ashtu si e kanë parë në ditët e fundit: i zhytur në meditimin e tij fisnik, flokëbardhë si një mjellmë veriore që ishte ulur mes njerëzve për t’i bërë nder atyre, shpesh herë mes tymit të duhanit “shpërnguleshin” edhe lëvizjet e tij të furishme, dhe ende nuk më besohet se ai nuk është më mes njerëzve.

Tepër herët e kam njohur atë: E kam njohur kur isha ende fëmijë dhe lexoja “Tregimet e së shtunës”; më pas e kam njohur në rininë e hershme kur mendoja se do të bëhesha poet dhe njeri i fjalës së shkruar dhe ai ishte njeri nga idolët e mjeshtërisë letrare; e kam njohur edhe më pas, kur nuk mund të them se ishim kolegë, pasi ai ishte lis i madh, por përpiqesha të zhurmoja në lisnajat që kishin hapur të tjerët në qytetin tonë mrekullisht poet. Në tri qasjet e mia të njohjes ai ka mbetur i njëjti; disi i shpërqëndruar fillimisht, entuziast në çdo moment, përpirës i historisë, risjellës i saj më pas me një bukuri të mahnitshme, sidomos tek “Vraje tradhtinë”, ku njëri ndër personazhet ishte stërgjyshi im, kryetari i parë i bashkisë së Shkodrës, Muharrem Gjylbegaj; shembës i idhujve të rremë, pavarësisht nga koha kur shfaqeshin ato, dhe jo befasisht, në takimet e fundit me të në verën dhe vjeshtën e shkuar, një pasionant i pandreqshëm ndaj Kosovës.

Së bashku me dy miq të mi të vyer, shkrimtarin dhe polemistin Lekë Imeraj dhe mikun e rinisë Fatmir Lishi, në verën e kaluar qëndruam gjatë buzë liqenit të Shkodrës. Kishim disa kohë që nuk ishim qëndruar kaq gjatë, kishin qenë mes nesh disa takime të shkurta, mes të tjerëve, ku përsëri e kishim gjetur kohën për të thënë diçka që duhej mbajtur mend. E gjithë biseda ishte për Kosovën, e më pak për letërsinë. Kosova i kishte hyrë në gjak, ndoshta edhe më tej se kaq. Kishte një përmallim të habitshëm ndaj saj, saqë mund të kuptoje fare lehtë se e gjithë kjo vinte nga një e shkuar familjare dhe se, lidhjet e tij me Kosovën nuk kishin qenë një rastësi fatlume, por një kërkim i gjatë njerëzor.

Për vlerën e pashoqe të tij si shkrimtar flasin tashmë të gjithë librat e botuar dhe ata që presin të botohen, ku proza ndërthuret me poezinë dhe ku dhimbja është e prekshme si një natë e stuhishme. Nuk është koha të flas për gjënë e vyer që risolli ai në prozën shqiptare, sepse ai ishte një shkrimtar poet, ku shpirti dilte përmes fjalës dhe ku fjala përcillte shpirtin.

Unë desha të tregoj vetëm dy raste për njeriun.

Gjithnjë mbi shkrimtarin qëndronte hija e një njeriu që ka diçka në biografinë e tij politike. ishte si një dyzim që binte mbi të, herë e errtë, herë-herë e paqtë. Të gjithë e mendonin se kishte diçka në jetën e shkuar të familjes së tij, babai i tij kishte qenë një figurë e njohur e kohëve të shkuara, por mendimi ndalej deri këtu, deri në çastin kur figura e tij bashkohej me atë të shkrimtarit dhe mënjanoheshin hijet. Por ata vinin përsëri, vinin dashje apo dashje , sepse pasi ishin vërvitur mbi jetën e tij, mund të ishin dominuese edhe në krijimtarinë e tij.

E kishim lënë të takoheshim një pasdite pranë Bibliotekës së qytetit. Më kishte kërkuar një koleksion të vjetër gazetash të fillimit të shekullit të shkuar, që ndodheshin ende në shtëpinë tonë, në bibliotekën e njohur si të Gjylbegajve. Nga larg e pashë se po ecte në krah të sekretarit të parë të partisë së rrethit. Ishte Foto Çami, që porsa kishte ardhur në qytetin verior. Ai ecte, si e kishte në natyrën e tij, duke tundur një zinxhir dhe bisedonte diçka me shkrimtarin, pa e kthyer kokën në drejtimin e tij, por dukej se ishte miqësor. Ishte si të thuash, një rehabilitim i shkrimtarit. Kur u afruan pranë Bibliotekës, shkrimtari u ndal, i tha diçka, i dha dorën dhe erdhi drejt meje. Ai, tjetri u habit se ishte një bisedë e këputur në mes. I thashë se mos kishte lënë diçka për gjysmë, tundi kokën e tha si zakonisht, duke mbajtur mes buzëve cigaren e ndezur: Mos u trazo. Koha ka shkuar.

Një tjetër, qoftë edhe me gjysmën e karakterit të tij do e kishte vazhduar ecjen me shefin e partisë së qytetit, do e kishte parë si një lloj rehabilitimi, por ai, shkrimtari e njeriu, ishte i ftohtë ndaj kësaj “njohjeje”.

Rasti tjetër është në një kohë disi më të vonshme. Ditët e para të pluralizmit. Në hollin e teatrit “Migjeni” do të shfaqej një fragment nga “Lahuta e malcisë”, dhe pritej ardhja e Ramiz Alisë, asaj kohe ende president i vendit. Me Skënderin rrinim në radhën e dytë, e ngritur disi më lart, thjesht për të ndjekur shfaqjen. Tre “demokratë të vonuar” iu sulën atij egërsisht. “Edhe ti, edhe ti, duhet të kërkosh falje, ke shkruar për priftërinjtë, i ke nxi ata, ke hedh baltë, a kujton se kena harrue”. Çirreshin si të çartur dhe besoj edhe sot se të çartur ishin.

Skënder Drini i dëgjoi qetësisht dhe pastaj u tha, duke folur ngadalë si ishte në natyrën e tij: “Keni dëgjuar për poetin e madh Gëte? Besoj se po. Ai thoshte se tri gjëra nuk dua në jetë, të ftohtin në errësirë, erën e hudhrave dhe rasat e zeza të priftërinjve të ligj. Unë kam shkruar për këta të fundit, por nuk e duroj as errësirën e ftohtë dhe as erën e hudhrave”.

Ai ndoshta kishte gjithë të drejtën e zotit të vetëshpallej i persekutuari i radhës, i ndaluari i madh; mirëpo kjo ishte jashtë natyrës së tij.

Shtërgu i veriut iku përmes dhimbjes. Ai shembi idhujt e rremë dhe denoncoi tradhtinë. Bëri edhe shumë më tepër se kaq; pasuroi gjuhën, e bëri atë më njerëzore, më poetike. Por edhe sikur të kishte bërë vetëm dy të parat, ai e meriton gjithë mirënjohjen tonë. Shtërgu iku. Pas tij mbesin dallgët e mëdha që solli mes nesh përmes fjalës.

Mik i dashur do na mungosh gjatë…aq gjatë sa të jemi në këtë anë të botës sonë.

 

Share This Article
2 Comments
  • Zot Bedri,

    Ju falenderoj thellesisht qe keni bere kete shkrim per Skender Drinin dhe qe e sollet ne rikujtese te njerezve. Ne rinine time e kam pasur nje nga shkrimtaret me te preferuar. Shembja e Idhujve, Vraje tradhetine, kane qene nder librat qe une i kam lexuar disa here.

    Nuk e di perse me ishte krijuar pershtypja qe edhe Oso Kuken e kishte shkruar Skender Drini, por me nje gjysem dyshimi qe me lindi sapo verifikova ne librarine e vogel qe kam ne shtepi dhe autori ishte Sulejman Krasniqi.

    A keni pasur rastin ta njihni Krasniqin? Librat e tij gjithashtu i kam pasur shume per zemer. Mic Sokolin i tij mendoj se mund te barabitet me Lumin e Vdekur te Jakov Xoxes dhe mund te quhet epika e veriut, ne se Lumi I vdekur eshte epika e Myzeqese.. Do t’ju isha shume mirenjohes si lexues ne se ndonje dite shkruani gjithashtu per Sulejman Krasniqin.

    Keta dy shkrimtare i dhane shume letersise shqipetare duke derdhur shpirtin e tyre patriotik dhe atdhetar ne faqet e librave te tyre pa e percudnuar letersine, perkundrazi duke e ngritur ate ne nivele shume te larta, por nuk u vleresuan aq sa duhet. Ata nuk shkruajten per te huajt, por vetem per vendin ku kishin lindur, dhe kjo nuk i beri shume te famshem.

    Pershendetje!

    N

  • Na perseritet ndjenja e respektit sa lexojme keto ndjenja vertet njerzore per ate NJERI te PENES sa se pari NJERI si ishte Skender Drini.Ai ishte, dhe do te mbetet Skendr DRINI,si vete lumi i DRINIT emrin ai mbajtur. Do vershojne mendimet etij si “UJERAT E DRINIT” se te tilla i kishte;KRISTAL..kam patur fatin e mire te bashkejetoj me verpren e tij.
    I perjetshem vepra dhe kujtimi i tij.
    Guri Naimit D.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *