Shpërthejnë protestat dhe në radhët e mjekëve dhe infermierëve

redaktor

Rastet e dhunës së ushtruar ndaj mjekes dhe infermieres në QSUT, si dhe testimi i dijeve profesionale kanë nxjerrë në protestë gjatë ditës së djeshme bluzat e bardha të QSUT-së. Protestës për t’i thënë ndal dhunës fizike dhe psikologjike ndaj personelit mjekësor i janë përgjigjur edhe mjekët e rretheve, ku dhe kanë deklaruar se në vend të testimit, do të dorëzojnë CV e tyre, pjesë e të cilave janë edhe testimet e përditshme që kryejnë me pacientin.

”Dhuna verbale dhe dhuna e shkruar ndaj personelit mjekësor është e patolerueshme. Po ndotin figura të cilat kanë punuar me dhjetëra vite për të rrënjosur personalitetin e tyre në mjekësi, në të gjitha fushat. Në këtë mënyrë që është konceptuar “lufta e korrupsionit” është e palogjikshme. Duhet të dimë që nuk korruptojnë 200 apo 500 lekëshat e infermierëve dhe të mjekëve, por zhdukja e milionave që kanë fluturuar dhe vazhdojnë të fluturojnë çdo ditë në drejtime të paditura”, ka deklaruar gjatë protestës mjeku infeksionit Tritan Kalo.

Lidhur me testimin ai shprehet se dikasteri shëndetësor më parë duhet të kalojë në testim burokratët e tij, të cilët nuk dinë të menaxhojnë sektorin e shëndetësisë pjesë e të cilave janë edhe stafet mjekësore. Tubimit për t’i thënë stop dhunës ndaj bluzave të bardha i është bashkuar edhe personeli mjekësor i Maternitetit “Koço Gliozheni”, të cilët kanë ndërprerë për rreth një orë punën në shenjë proteste.

Qëndrim i ngjashëm është mbajtur edhe nga infermierët. Kreu i Urdhrit të Infermierëve, Sabri Skënderi ka deklaruar gjatë ditës së djeshme se ditët e fundit bluzat e bardha janë vënë nën një presion psikologjik nga shteti kryesisht, e kjo ka nxitur njerëzit e papërgjegjshëm të ushtrojnë dhunë fizike ndaj tyre. Skënderi u ka bërë thirrje drejtuesve të dikastereve shëndetësore se misioni i tyre realizohet me bluzat e bardha, dhe çdo nismë duhet të merret në bashkëpunim me ta.

“Ne bëjmë thirrje të ndalet dhuna. Mangësitë dhe defektet e sistemit të mos u faturohen bluzave të bardha. Ka 25 vjet që në shëndetësi punohet vetëm për ndryshim infrastrukture dhe aparatesh mjekësore. Askush nuk është marrë me burimet njerëzore, me kualifikimin e tyre në përshtatje me teknologjitë e reja, me njohuritë e reja të shkencës mjekësore. E sot kur mendohet për t’u marrë me to gjërat politizohen dhe bëhen stresante dhe demoralizuese për bluzat e bardha.

Shëndetësinë do e ndryshojnë punonjësit e shëndetësisë, infermierinë do e ndryshojë infermierët, të bashkëpunojnë me ta për të ndryshuar dhe për të ecur më shpejt drejt një kujdesi sa më cilësor për pacientët. . Ne i bëjmë thirrje shoqërisë se bluzat e bardha janë si ju, me ju dhe për ju. Me respekt dhe dashuri do të fitojmë më shumë se me dhunë nuk fiton asnjë njeri”, shprehet Skënderi.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *