I nderuar lexues! Kongresi Arsimor i Tiranës u mblodh më 22 korrik-3 gusht 1922. Mori vendime të rëndësishme për demokratizimin e shkollës, laicizmin e saj, njësimin e punës mësimore etj. Kongresi kërkoi realizimin e arsimit të detyruar, miratoi afatet dhe programin e ri të shkollës fillore, vendosi çeljen e shkollave të ulëta profesionale 3 vjeçare dhe të gjimnazit 6 vjeçar mbi bazën e shkollës fillore të plotë. Pavarësisht kundërshtimit që hasi nga kleri, programi i Kongresit Arsimor të Tiranës në vija të përgjithshme u zbatua në të gjitha shkollat shtetërore dhe ai shënoi një hap përpara drejt forcimit të karakterit kombëtar të shkollës dhe laicizmit të saj.
