PORTRET / Kryebashkiaku me 3 mandate i Vlorës

redaktor

Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, u mor i pandehur sërish për akuzat e shpërdorimit të detyrës dhe falsifikimit të dokumenteve.

Njësoj si një vit më parë, edhe këtë herë, 51-vjeçari duket se do të jetë më shumë i pranishëm dyerve të gjykatës, se sa atyre të Bashkisë së Vlorës.

I zgjedhur më 8 maj të 2011 në mandatin e tretë radhazi në postin e kryetarit të Bashkisë, Gjika u kthye në një nga politikanët e suksesshëm që arriti të fitonte zgjedhjet, në një kohë që Partia Socialiste ishte në opozitë, raporton Vizion Plus.

Shpëtim Gjika është anëtar i Partisë Socialiste që prej vitit 1992, por vetëm në vitin 2002 arrin të integrohet në strukturat e larta të Partisë Socialiste, pasi fitoi zgjidhet si kryetar i Këshillit Bashkiak në Vlorë.

Pas kësaj, ai emërohet si prefekt i Vlorës dhe në tetor të vitit 2003, kandidon dhe zgjidhet kryetar i Bashkisë me rreth 53 për qind të votave.

Deri në vitin 2005, kur Partia Socialiste humbi zgjedhjet, në Vlorë nisin të kryhen me dhjetëra investime.

Por, edhe pas kalimit në opozitë, më 18 shkurt të vitit 2007, Shpëtim Gjika kandidon sërish për kryebashkiak, kësaj here nën siglën PS-se te drejtuar nga kryetari Edi Rama, ku dhe arrin të fitojë bindshëm.

Edhe pse përflitej për marrëdhënie të tendosura me kryetarin Rama, kandidimi i tij për herë të tretë në zgjedhjet vendore të 8 majit 2011, ishte i pashmangshëm.

Në këto zgjedhje, Shpëtim Gjika arriti të triumfojë ndaj Ardian Kollozit me rreth 55 për qind të votave, më shumë seç ishte zgjedhur për të parën herë kryetar i bashkisë.

Por në këtë moment fitoreje, nisën debatet me lidershipin e Partisë Socialiste.

Një vit e gjysmë më parë Gjika pati një përplasje të fortë verbale me ish prefektin e Vlorës, Besnik Dervishi pas shembjes së disa ndërtimeve pa leje në bregdet.

Gjika gjatë qeverisjes së tij në Vlorë ka arritur të jetë mjaft i hapur edhe me demokratët. Jo rrallëherë ai arrinte kompromise edhe me kundërshtarët e tij politik, sa kundërshtia më e madhe ndaj tij nuk vinte nga PD, por nga LSI.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *